Opozita: Policia të mos provokojë protestuesit. Plani për të sjellë në Tiranë dhjetëra mijëra qytetarë

765
Opozita: Policia të mos provokojë protestuesit më 27 janar
PD, LSI dhe aleatët e tyre përgatisin mbërritjen në Tiranë të dhjetëra mijëra mbështetësve për mitingun përpara kryeministrisë. Paralajmërimi i Bashës e Kryemadhit 
Partitë e opozitës deklaruan se mitingu i 27 janarit do të jetë paqësor, ndërsa i bënë thirrje policisë të mos i provokojë protestuesit. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë aleate po përgatisin mbërritjen në Tiranë të dhjetëra mijëra mbështetësve, të cilët do të protestojnë përpara selisë së kryeministrisë. Me një organizim të detajuar, partitë e opozitës e kanë vënë theksin te pjesëmarrja masive në mitingun e 27 janarit, si një sinjal i pakënaqësisë popullore ndaj qeverisë së kryeministrit Rama. Burime nga partitë opozitare se po merren masa për të pasur një pjesëmarrje masive dhe për të mundësuar që qytetarët të marshojnë pa pengesa drejt Tiranës. Deputetë të opozitës dhe drejtues të lartë të saj do të mbikëqyrin udhëtimin e protestuesve nga rrethet drejt Tiranës për të evituar që ata të frikësohen apo provokohen nga policia apo struktura të tjera. Gjithashtu, opozita do të marrë masat e saj për të garantuar zhvillimin paqësor të protestës, duke synuar të evitojë çdo provokim të mundshëm. 

Basha: Lufta mbaron kur e vendos populli
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se nisma e opozitës për zgjedhjen e një Prokurori të Përgjithshëm sipas Kushtetutës dhe me veting është treguesi më i qartë i vullnetit të opozitës për zbatimin e Reformës në Drejtësi, të pakapur nga krimi. “E pra ky është një akt i përgjegjshëm politik, i cili bëhet për t’ia davaritur çdokujt dyshimin se Partia Demokratike ka ndonjë agjendë tjetër përveç se përshpejtimit të Reformës në Drejtësi. Se afërmendsh, opozita nuk ka dhe nuk mund të ketë aleatë më të mirë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve dhe të korruptuarve, se sa një drejtësi që funksionon”, u shpreh Basha. Në aktivin me disa degë të Tiranës, kreu i opozitës tha se, nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues, Rama synon të bllokojë hetimet për Saimir Tahirin dhe të diktojë zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të kontrolluar më pas edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke shkatërruar themelet e Reformës në Drejtësi. “Saimir Tahiri kapet nga antimafia duke përfituar dhjetëra, mijëra euro varëse e byzylykë floriri. 5 milionë euro në muaj nga trafikantët e drogës, dhe Edi Rama ndalon arrestimin e tij. Përse? Fare e thjeshtë, sepse arrestimi i Sajmir Tahirit, është hapi i parë drejt arrestimit dhe vënien para drejtësisë të Edi Ramës, si koka dhe arkitekti i kanabizimit dhe kriminalizimit të Shqipërisë. Po mbron veten e tij. Kaq e thjeshtë është!”, nënvizoi Basha. Ai tha se protesta e 27 Janarit nuk është një manifestim për interesin e një force politike, por për t’i dhënë zë shumicës së shqiptarëve. “Ne jemi njerëzit që kemi ditur të sakrifikojmë edhe interesat tona politike dhe partiake, siç ishte marrëveshja e 18 Majit, për interes të Shqipërisë ndaj nuk shkojmë për karrigen tonë. Nuk shkojmë për të bërë Lulzim Bashën Kryeministër. Shkojmë për të çliruar Shqipërinë nga krimi. Për të çliruar drejtësinë nga krimi! Për të çliruar qeverinë nga krimi, për të çliruar ekonominë nga krimi. Vetë protesta do të jetë numerikisht, shumë e shumë herë më e madhe se bashkimi i kopukëve dhe horrave e kriminelëve të Edi Ramës, ndërsa zëri i protestës, do të jetë zëri i shumicës absolute të shqiptarëve”, tha Basha. Kreu i opozitës shprehu bindjen se në protestë shumica e shqiptarëve do të tregojnë se nuk pajtohen me Aleancën e Krimit të ndërtuar nga Edi Rama, që po i varfëron çdo ditë dhe po e bën jetën e familjeve shqiptare më të pasigurt. “John Lennon, me këngën e tij të famshme “War is over, if you want it”, “Lufta mbaron po të duash ti”. Edi Rama mbaron, po të duash ti! Ky është mesazhi që do t’i japim çdo shqiptari. Po të duash ti, po të duam ne, Edi Rama mbaron! Ky është mesazhi i protestës. Po të ngrihet populli, po të bashkohen qytetarët, Edi Rama mbaron!“, tha Basha.

Kryemadhi: Dhunën e solli Edi Rama
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u shpreh se shqiptarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer për sa i përket situatës politike dhe me klasën politike mbi të gjitha. “27 Janari do të jetë një protestë paqësore, ku të gjithë shqiptarët që ndihen të varfër, të pashpresë, që kanë shumë pak mundësi punësimi, që paguajnë më shumë para, që ju rri taksidari i qeverisë te koka, për të gjithë ata biznesmenë që ju rrezikohen bizneset, e tyre për të gjithë ata njerëz të cilët nuk shikojnë më asnjë shpresë por duan të ikin nga sytë këmbët sa më përpara nga Shqipëria, i ftojmë që në datën 27 Janar të protestojnë më prezencën tonë për t’i treguar Edi Ramës që shumica e shqiptarëve janë kundër tij”, u shpreh Kryemadhi. Ajo shtoi se “në imazhin e shqiptarëve është krijuar gjithmonë ideja e protestave të dhunshme, duke pasur parasysh që dhunën në protesta e solli z.Rama në 21 Janar, i cili ishte shembulli më i keq për të treguar se si protestohet”. “Protesta e 18 Dhjetorit ka qenë një protestë shumë paqësore. Në qoftë se flakadanët i quan bomba, gaz lotsjellësi është çështje, nuk po them çështje botëkuptimi, por është çështje interpretimi dhe çështje informacioni. Mendoj që policia dhunoi disa gra dhe vajza, gjë që normalisht njerëzit i irritojnë. Dhuna nuk është nga njëra anë, dhuna vjen kush e provokon dhe Policia duhet të jetë shumë e kujdesshme për të mos provokuar qytetarët, sepse nëse është shumë normale që nëse prindërit e tyre do të shikojnë që fëmijët e tyre dhunohen në mënyrë të padrejtë nga policia, nuk ka prind që ta pranojë dhe ta suportojë”, nënvizoi drejtuesja e LSI-së. Sipas saj, rrugët e Tiranës, dhe jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë, janë rrugë për të ecur qytetarët, por janë rrugë dhe për të protestuar, sepse ne pretendojmë që jemi një vend demokratik. “Në fakt në situatën që ne gjendemi, Shqipëria është një vend hibrid, nuk është vend demokratik. Është midis diktaturës dhe uzurpimit të shtetit nga një organizatë e strukturuar kriminale, e cila është bërë çdo ditë e më shumë më e rrezikshme”, u shpreh Kryemadhi. Ajo shtoi se nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të ngërdheshet dhe të zbavitet me ankthin e z.Rama, “i cili gjen suflerë, që do ishte shumë mirë njëherë që të përballen me drejtësinë, sepse kanë drejtuar institucione pa qenë të diplomuar në shkollat e tyre”. “Pra kur flasim për njerëz të pashkolluar, duhet të jemi shumë të vëmendshëm, që akuzat kur t’i ngremë t’i shikojmë dhe nga vetja jonë, sepse është si puna e asaj që e ngre kokën lart dhe të bie mbi fytyrë. Kështu që u them kolegëve të mi të Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë asnjë lloj lidhje me Rilindjen, sepse po të shikosh të gjithë socialistët e vërtet nuk i ke pjesë të të gjithë akuzës që bëj ndaj mazhorancës, sepse ata që e ndjejnë më shumë nga të gjithë presionin dhe devijimin që ka marrë Partia Socialiste, por për atë sekt kriminal të Rilindjes, i cili është në duar të disa njerëzve”, u shpreh Kryemadhi.
PD: Persekutim i dytë për të përndjekurit politikë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi ndaj vendimit të Ministrisë së Financave për të pezulluar ndarjen e fondeve për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve. “10% e familjeve në Tiranë nuk sigurojnë dot më shumë se një vakt bukë për fëmijët e tyre, por Arben Ahmetaj i dha inceneratorit të Fierit 820 mijë euro të tjera paradhënie duke e çuar shifrën totale në 5.8 milionë euro paradhënie për të ndërtuar një fabrikë helmesh, një nga tre fabrikat e helmeve, të cilat, në total do t’u kushtojnë shqiptarëve, vetëm vitin e pare”, tha Basha. Sipas tij, është ky Arben Ahmetaj i cili, në emër të Edi Ramës, njoftoi se do të ndërpresë pagesën për trashëgimtarët e të përndjekurve politikë, ndërkohë që vetë fondi i pagesave ka ardhur në reduktim drastik nga viti në vit, në thyerje totale të premtimit të Edi Ramës. “Për Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn kurrë nuk kanë qenë prioritet të përndjekurit dhe dëmshpërblimi i tyre i ligjshëm, si akt moral në radhë të parë, jo vetëm financiar. Për të rëndësi kanë vetëm xhepat e tij. Ato 820 mijë eurot që i ka paguar vetes së tij për inceneratorin e Fierit, ato 2.5 milionë euro që i paguan për të shkulur palmat në autostradë, janë lekët e shqiptarëve dhe nuk shkojnë për shqiptarët, nuk shkojnë për të përndjekurit politikë, të cilët e kanë merituar dhe e meritojnë plotësisht shlyerjen një orë e më parë të këtij borxhi moral historik dhe material”, nënvizoi Basha. Ai tha se opozita dhe PD do të qëndrojnë fuqishëm kundër çdo nisme ligjore që do të sjellë për të shkurtuar dëmshpërblimin apo për të hequr trashëgimtarët e të përndjekurve politikë nga dëmshpërblimi.
Sigal