Opozita, plani i ri pas ikjes së Tahirit

574
Opozita premtoi se do të vazhdojë hetimin e trafikut të drogës dhe implikimit të shtetarëve në të, pavarësisht dorëzimit të mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëkohësisht kryetar i komisionit hetimor, deklaroi se duhet hetuar kryeministri Rama. Sipas Palokës, Komisioni Hetimor rëndom quhet komisioni “Tahiri” por në fakt po të shihet objekti, është ngritur për të hetuar Ramën bashkë me Tahirin. “Çfarëdo që të bëjë Prokuroria e kapur nga Rama, të hapë apo të mbyllë çështje, ky komision do të vazhdojë të bëjë rolin e tij deri në fund, derisa të vërtetojë se projekti, strategjia e kanabizimit, trafikimit të drogës, dhe blerjes se zgjedhjeve dhe pushtetit me paratë e drogës nuk ishte thjesht lojë e Tahirit, por ishte një projekt që u ideua nga Edi Rama dhe u zbatua nga Rama dhe Tahiri. Ne do të vazhdojmë deri në fund me gjithë pengesat që po i krijohen komisionit derisa ky fakt që sot dihet botërisht të vërtetohet edhe me dokumente”, tha deputeti demokrat. Sipas opozitës, çdo minutë që kalon që nga dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit, vërteton qartazi se ky akt nuk është gjë tjetër veçse një lojë e tij dhe e kapos së tij në përpjekje për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve dhe për të mashtruar ndërkombëtarët. “Rama mendon se me këtë veprim do të arrijë të mashtrojë jo vetëm ata që i kanë kërkuar kokën e Tahirit si një prej parakushteve për hapjen e negociatave, por mendon se do të mashtrojë të gjithë shqiptarët. Vazhdon t’i marrë shqiptarët për naivë dhe për budallenj. Nuk ka njeri që ta besojë se akti i Tahirit ishte, siç thotë Rama, një akt i pavarur dhe i kryer në padijeni të Ramës. Çdo gjë bëhet me shpresën që Rama do të mashtrojë shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Në fakt me këtë akt që kanë ndërmarrë të dy, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do u vërtetojnë si shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, edhe një akuzë tjetër që ne kemi ngritur prej kohësh që ky zotëri ka kapur tërësisht dhe ka marrë në duart e tij edhe drejtësinë”, tha kreu i komisionit hetimor.
Sigal