Opozita përshkallëzon protestën, të hënën bllokim trafiku

471
Partia Demokratike dhe aleatët parashikojnë përhapjen e lëvizjes, duke kaluar në akte të mosbindjes civile. Basha zbulon “ofertat”

Partia Demokratike vendosi ta përshkallëzojë protestën e saj për zgjedhjet në ditët e ardhshme, duke kaluar edhe në akte të mosbindjes civile. Vendimi është zyrtarizuar dhe kreu i opozitës Lulzim Basha mësohet se e ka diskutuar përhapjen e protestës në disa pika të ndryshme të vendit, në një takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe më pas me aleatët në koalicion. “Opozita e bashkuar, me në krye PD-në, ka vendosur intensifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë, duke ruajtur si pishtar, si bërthamë, si monument të kësaj lëvizje, çadrën e lirisë, 24 orë në ditë, por duke e shtrirë atë në mbarë vendin. Ditën e hënë, të gjithë qytetarët shqiptarë, të djathtë, të majtë, patriotë, të rinj, të reja, të moshuar, bashkohemi mes orës 11.00 dhe 12.00 në bllokimin total të trafikut kombëtar në gjithë Shqipërinë. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar”, tha Basha. Sipas tij, kjo orë është një orë e madhe e solidaritetit kombëtar. “Eshtë një orë e madhe mesazhi i shqiptarëve të bashkuar ndaj kastës së korruptuar të republikës së vjetër se kurrë më nuk do të ketë tërheqje dhe kompromis, as pazar me interesat e republikës së vjetër, por vetëm qëndresë deri në hedhjen e themelit të Republikës së Re, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha. Sipas tij, ky është fillimi i një aksioni politik, i cili vetëm do të përshkallëzohet për të kulmuar në një tjetër kulm, në datën 7 Maj. “Ne do t’i rrimë deri në fund fjalës së dhënë shqiptarëve dhe kavajasve, për të mos ia dorëzuar më Kavajën krimit, për t’i thënë ndal krimit, drogës dhe kriminelëve në Kavajë, dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, u shpreh se opozita ka qenë dhe është më e bashkuar, më e vendosur dhe më e fortë se kurrë për të qenë në ballë të kësaj lëvizjeje deri në fitoren e saj. “Së bashku morëm një vendim, nuk ka zgjedhje fasadë, zgjedhje të diktuara nga krimi dhe droga dhe opozita e respektoi kontratën e 18 Shkurtit, opozita sot është e bashkuar dhe e vendosur, kjo çadër dhe kjo lëvizje e madhe ia doli po kështu të shpërthejë e shpartallojë pazaret dhe intrigat”, tha Basha. Ai tha se “nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve për Republikën e Re, por ka patur ka e do të ketë një gatishmëri për dialog të vërtetë që i shërben zgjidhjes”. “Në këtë dialog ne vijmë me kërkesat e parashtruara nga qytetarët shqiptarë që përbëhen nga dy pjesë, dy pjesë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Hapi i parë është qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Hapi i dytë, mandati i kësaj qeverie, që ka të bëjë me zbatimin deri në fund të ligjit të dekriminalizimit për të larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, nga parlamenti, nga bashkitë”, tha Basha, duke përmendur zgjedhjet e lira si hapin e tretë.

Ofertat
Në fjalën e tij në çadrën e ngritur nga Partia Demokratike, Lulzim Basha përmendi edhe një seri ofertash të ardhura nga mazhoranca. “Ne 24 orët e fundit, pazari i peshkut që është qelbur nga koka, nga Konispoli në Vermosh, nga Bilishti në Rodon, ka filluar manovrat që mendojnë se do e nxjerrin në breg republikën e vjetër që ua ka marrë e po ua merr lumi përditë. Pazari i peshkut mendon se tani që nuk po ia del dot faqe kurajës dhe bashkimit qytetar, do të negociojë me opozitën, me ne, politikanët e opozitës, një pazar politik që të mbajë në këmbë republikën e vjetër, dhe ti shesë qytetarëve sapunin për djathë dhe kjo përbëhet nga dy platforma”, tha Basha.

Sipas tij, “platforma e para është hajde t’i bëjmë edhe luftën kundër drogës, edhe luftën kundër krimit, edhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, po hajde se i bën Ed Rama këto”. “Pra njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, sa i përket sasive të drogës, se në Kolumbi drogën e bëjnë të gjitha palët, kurse këtu drogën e kontrollon Edi Rama dhe çeta e tij, ajo që e solli në pushtet, pra, ky që e mbushi Shqipërinë me drogë, tani do besimin tonë se mund të luftojë drogën dhe paratë e drogës”, tha Basha. Sipas tij, kjo platformë parashikon që njeriu, “i cili solli kriminelët në pushtet që e detyruam të bënim ligjin për dekriminalizimin me ndihmën e partnerëve tanë evropianë, që sot u thotë botërisht, aleatit të vet dhe ambasadorëve, që jam bërë pishman që kam kaluar ligjin për dekriminalizimin, kërkon që shqiptarët ta besojnë se tani do ta zbatojë ky ligjin për dektriminalizimin, tani që e ka lakun në fyt nga ky bashkim popullor dhe vendosmëria juaj për ta spastruar politikën nga kriminelët”. Megjithatë Basha tha se Edi Rama nuk e ka e nuk do ta ketë kurrë besimin e opozitës për të kryer këto detyra si Kryeministër.

Më tej, kreu demokrat përmendi edhe platformën e dytë të ofruar. “Rruga tjetër, thotë, hajde të bëjmë qeveri teknike dhe shkojmë në zgjedhje me 10 korrik. Pra, qeveria teknike fasadë. 10 korrikun po e them meqë po qarkullojnë këtë ide, që do shpërndajmë parlamentin, se nuk zgjedhim presidentin, do futemi në krizë kushtetuese, dhe kushtetuta mbi të gjitha”, tha Basha. Sipas tij, qeveria teknike duhet të ketë kohën e mjaftueshme për të zbatuar mandatin e saj që shqiptarët me të vërtetë të votojnë të lirë nga krimi, nga droga, që kartat e tyre të identitetit të mos blihen dhe të mos mblidhen. 

“Asnjëra dhe as tjetra veç e veç nuk bëjnë fajde. Të dyja bashkë, është oferta e lëvizjes më të madhe kombëtare për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Të dyja bashkë po, e bëjnë punën”, tha Basha.
Sigal