Opozita nuk u regjistrua por Duka prezanton kandidaten në Kukës: Në zgjedhje vetëm me qeveri teknike

267
“Nëse PS dhe LSI hyjnë në zgjedhje pa opozitën kjo nuk do të zgjasë shumë sepse vendi rrezikon të kthehet në një regjim autokratik të Ramës”. Kështu ka deklaruar Agron Duka, kreu i PAA-së, aleat i Lulzim Bashës, në prezantimin e kandidates për deputete në Kukës. Duka e vlerësoi situatën politike në vend jo të zakontë, çka solli edhe vendimin e pazakontë të opozitës.
“Situatë jo e zakontë. PD dhe aleatët e saj kanë ndërmarrë një vendim jo normal sepse situata politike është jo normale. Jemi në një situatë që nuk ka asnjë lloj shprese për zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD dhe aleatët e saj kanë marrë vendim që të mos hyjnë në zgjedhje sepse ka një sërë argumentesh që dihen tashmë dhe nëse nuk kalohet në një qeveri gjithëpërfshirëse dhe teknike e cila të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në situatën që ndodhemi mendoj se ligjërisht nuk mund të hyjmë në zgjedhje sepse opozita dhe aleatët nuk janë regjistruar. PS dhe LSI janë rreshtuar veçmas nga njëra -tjetra. Nëse PS dhe LSI hyjnë në zgjedhje pa opozitën besoj se kjo nuk do të zgjasë shumë sepse vendi rrezikon të kthehet në një regjim autokratik të Ramës”, tha Duka nga Kukësi.

Kreu i PAA pati një takim sot në këtë qytet me anëtarë dhe e simpatizantë të partisë që ai drejton duke prezantuar edhe kandidaten e parë femër për deputetë për zgjedhjet parlamentare për qarkun e Kukësit, Merita Hoxha.