Opozita nuk ka strategji politike e as afron alternative

495
Sigal

Skenarë të përsëritshëm çdo javë: Bllokim të foltores së Kuvendit nga PD-ja, maxhoranxa miraton ligjet, pa diskutime

Mazhoranca socialiste, meqë ka 75 vota në Kuvend, bën çfarë të dojë, nuk pyet aspak opozitën për asgjë, në asnjë ligj, në asnjë vendimmarrje ligjore. Opozita çdo seancë plenare të Kuvendit bllokon foltoren, ndërkohë që mazhoranca, pa bërë diskutime, miraton çdo projektligj, ku asnjë deputet nuk jep oponencën e vet, thua se parlamenti është vulëvënës pasaportash, në dogana kufitare. Duket qartë, se opozita nuk ka strategji politike, se çfarë të kërkojë e si do ta arrijë. As dorëheqjen e kryeministrit nuk ka kërkuar, as zgjedhje të parakohshme nuk do. PD-ja edhe në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, siç duket ka bërë kompromis me PS, që të ruajnë ato privilegjet elektorale, në dëm të partive të tjera, pavarësisht se ky sistem zgjedhor i dha mundësinë kryeministrit Rama të bënte deputetë persona me rekorde kriminale dhe pabarazinë e votës. Me gjithë këto skandale të mëdha të qeverisë së Rilindjes, të korrupsionit, të hashashizimit të gjithë Shqipërisë, të bashkëpunimit të segmenteve të shtetit me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, kur edhe vetë ministri Brendshëm hetohet penalisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur drejtorë të Policisë janë nën hetim etj., opozita nuk ka një strategji politike, që të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. Por më keq, opozita nuk ka as alternativa bindëse, se mund të jetë ajo një qeverisje ndryshe. Protesta e 26 majit u harrua më shpejt nga opozita, sesa të trembte mazhorancën, thua se ishte një fishekzjarr, që shënoi mbarimin e një maratone. Opozita ka 5 vite që çdo herë, si strategji politike opozitare përcakton një objektiv disa orësh dhe paskëtaj, sërish, shënon në kalendarin e saj datë-takimin e radhës, pas disa muajsh. Si gjethe vjeshte u venitën zotimet e opozitës, për “mosbindje civile”, dhe thirrja e fundit e 26 majit “Kërkojmë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm” u reduktua në kundërshtimin e procedimit penal që Policia e Shtetit u bëri protestuesve. Nuk është strategji politike të bësh zhurmuesin në komisione parlamentare apo të bllokosh foltoren e parlamentit në seanca plenare, sepse kjo lloj opozitarizmi shumë-shumë të kujtojnë ato zhurmues që vendosnin në Kohën e Socializmit, kundër kanaleve ve televizive të huaja, që të mos i shikonin shqiptarët. Strategji politike e opozitës, për të detyruar ministrin e Brendshëm të dorëhiqej, do të ishin protestat e përditshme para kryeministrisë, siç bënë qytetarët rumunë, që detyruan qeverinë, e akuzuar për korrupsion, të dorëhiqej. Bashkimi Evropian nuk hap negociatat e anëtarësimit, me Qeverinë Socialiste, por me Shqipërinë.