Opozita me platformë – Basha: Në këto zgjedhje do të vendosin qytetarët, jo kriminelët

4

Kryedemokrati Lulzim
Basha ka mbledhur sot në një takim të gjithë krerët dhe përfaqësuesit e partive
opozitare parlamentare ose jo për të unifikuar qëndrimin 5 muaj para zgjedhjeve
parlamentare në vend.

Basha tha se opozita
bashkohet në një qëndrim për të mos lënë kriminelët të vendosin në këto
zgjedhje por qytetarët. Ai theksoi disa nga çështjet kryesore që duhet të
zgjidhen para zgjedhjeve duke përfshirë edhe votimin elektronik.

“Sot kemi mbajtur një
takim të opozitës parlamentare. Takim vjen pas një koordinimi të opozitës
parlamentare dhe jo parlamentare. Kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për
zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës, parlamentare është se në
këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët por do të vendosin qytetarët. Nuk
do të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shit-blerjes së votës
por do të vendosin qytetarët. Zgjedhjet në rrezik për shkak të krimit dhe
korrupsionit, për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në një parajsë të krimit.
Opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit. Sot kemi rënë dakord për një
platformë, që është një kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të
ndershme. Në themel është kjo, zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët por
shqiptarët. Votimi dhe numërimi elektronik, mospërdorimi i resurseve të shtetit
në kundërshtim me ligjin etj”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se opozita
do të fokusohet vetëm tek zgjedhjet dhe çdo kauzë dhe veprimtari do të shkojë
për to.

“E reja është që kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët nuk
ka dhe nuk do të ketë. Opozita do të kushtëzojë çdo akt tjetër para reformës
zgjedhore. Opozita parlamentare sot është dakordësuar që çështja numër një që
kanë Shqipëria dhe shqiptarët janë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Veprimtaria jonë, energjia do të fokusohet tek zgjedhjet”, tha ai.