Opozita me platformë - Basha: Në këto zgjedhje do të vendosin qytetarët, jo kriminelët

Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur sot në një takim të gjithë krerët dhe përfaqësuesit e partive opozitare parlamentare ose jo për të unifikuar qëndrimin 5 muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend.

Basha tha se opozita bashkohet në një qëndrim për të mos lënë kriminelët të vendosin në këto zgjedhje por qytetarët. Ai theksoi disa nga çështjet kryesore që duhet të zgjidhen para zgjedhjeve duke përfshirë edhe votimin elektronik.

“Sot kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare. Takim vjen pas një koordinimi të opozitës parlamentare dhe jo parlamentare. Kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës, parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët por do të vendosin qytetarët. Nuk do të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shit-blerjes së votës por do të vendosin qytetarët. Zgjedhjet në rrezik për shkak të krimit dhe korrupsionit, për shkak të shndërrimit të Shqipërisë në një parajsë të krimit. Opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit. Sot kemi rënë dakord për një platformë, që është një kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në themel është kjo, zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët por shqiptarët. Votimi dhe numërimi elektronik, mospërdorimi i resurseve të shtetit në kundërshtim me ligjin etj”, deklaroi Basha.

Ai theksoi se opozita do të fokusohet vetëm tek zgjedhjet dhe çdo kauzë dhe veprimtari do të shkojë për to.
“E reja është që kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme për shqiptarët nuk ka dhe nuk do të ketë. Opozita do të kushtëzojë çdo akt tjetër para reformës zgjedhore. Opozita parlamentare sot është dakordësuar që çështja numër një që kanë Shqipëria dhe shqiptarët janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Veprimtaria jonë, energjia do të fokusohet tek zgjedhjet”, tha ai.