Opozita mblidhet në Elbasan, Basha përmend tre emra: Ja kush e drejton krimin

658
Sigal

Opozitarët kanë vendosur të bojkotojnë për të dytën herë radhazi seancën plenare për t’u zhvendosur në një tjetër qytetet, pas Shkodrës në Elbasan, duke e vlerësuar këtë të fundit si qytetin e dytë në vend ku sipas tyre fshihen lidhjet e forta krim-qeveri.

Në fjalën e tij në nisje Kryedemokrati Basha e konsideroi Elbasanin qytetin simbol të bashkëqeverisjes se Ramës me krimin.

Basha tha se Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe banda e krimit të organizuar nga Çelët te Sanxhaktarët treguan se kush sundon kur goditën policinë e shtetit pa asnjë pasojë ligjore.

“Do të presin skandalin e radhës dhe do të lenë të qetë familjet kriminale të Shkodrës si lanë ata të Elbasanit. Është krimi që dikton dhe kjo është arsyeja po qeveria po destabilizohet.
Në më pak se 24 orë dy familje do të ndahen nga dy fëmijë që kanë humbur jetën në akte kriminale
Kemi një kryeministër në letër që ka dorëzuar territorin e kontrollit kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të krimit.
Elbasani ka një simbolikë tjetër. Këtu është gjeneza e bashkëpunimit të Ramës me krimin. Fabrika e kokainës është çengeli kriminal që mban peng Ramën, përmes Olsi Ramës. Faktet e përfshirjes së tij në këtë aferë janë fshehur në mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafa dhe shokut të tij në polici, Ard Veliu. Kjo është arsyeja pse u bllokua komisioni hetimor. Fakte tronditëse do të dalin dhe do të provojnë se këtu në Elbasan Rama ngriti çengelin e krimit të organizuar”, deklaroi Basha.

Basha tha se në funksion të këtij objektivi kombëtar për të çliruar qeverisjen nga krimi opozita e bashkuar, po përpunon platformën e saj e cila do të bëhet publike menjëherë.
“Vendimi ynë, ka qenë të jemi me njerëzit, t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin. Të çojmë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë. Ofrojmë një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, zhvatja e grabitja, duke nisur nga paradhoma e Ramës.
Dekriminalizim i plotë, çlirimi i drejtësisë nga kapja politike, zgjedhje të lira të ndershme demokratike, ku qytetarët të vendosin, janë objektiva kryesore të platformës tonë në këtë mbledhje këtu në Elbasan”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së theksoi më tej se “Duke dënuar mungesën totale të vëmendjes e pranisë të rendit këtu në Elbasan, le t’i japim formë kësaj platforme e të nisim punën për shpërndarjen e diskutimin e mobilizimin qytetar për ta kthyer këtë platformë në një alternativë që ta parashtrojmë si rrugëdaljen nga katastrofa në të cilin e ka futur Shqipërinë bashkëqeverisja e Ramës me krimin”.