Opozita lufton me miell,vezë dhe ujë mbi kostumet e zeza të qeveritarëve, ministri i Jashtëm kundërpërgjigjet me shishe

152
Jakup B. GJOÇA
Badigardët e armatosur të kryeministrit në Parlament, Byroja përjashton nga Kuvendi edhe ministrin e Jashtëm Bushati
Opozita e Bashkuar, që pardje kishte paralajmëruar se nuk do të lejonte që kryeministri Rama të fliste në seancën plenare të Kuvendit dje. Për Opozitën nuk mund të ketë debat dhe diskutime projektligjesh, ndërkohë që në qelitë e burgut ndodhen 11 qytetarë protestues të Kukësit, kur policia e Shtetit ka paditur penalisht dhjetëra qytetarë dhe deputetë pse protestuan të enjten e kaluar, duke bllokuar për 2 orë rrugët kombëtare, si edhe vendosja e TVSH-së ndaj biznesit të vogël. Opozita ishte e vendosur që Mosbindjen Civile ta sillte në sallën e parlamentit, jo me bojkotim, por me mjete të tjera vepruese. 
Kryetari i Opozitës kërkon largimin e kryeministrit nga salla e parlamentit
Dje, në sallë deputetët kishin me vete dhe poster ku shkruhej: “Liro kuksianet! “Arresto kriminelët!” Seanca plenare nisi me fjalën e kreut të KQZ-së, Klement Zguri. Gjatë kësaj kohe deputetët e opozitës nuk ishin në sallë. Kur deputetët e opozitës u futën në sallë, Kuvendit, kryetari i PD-së Lulzim Basha foli i pari dhe kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama nga seanca plenare. “Duke nisur këtu nga kjo sallë, nuk mund të vazhdojë sot ky parlament me njeriun që ka fyer rëndë popullin. E përjashtoj zyrtarisht që të vazhdojë seanca normalisht. Ky është fundi i këtij pushteti, populli nuk mund ta pranojë kurrë një sundimtar si ai. Nuk do ketë zhvillim normal të kësaj seance, ai do largohet e të mbajë përgjegjësi para ligjit për fyerjet që ka bërë”, tha Basha. Kreu i opozitës kërkoi edhe lirimin e 11 kuksianët e arrestuar, të cilët vazhdojnë të mbahen në burg për protestën e zhvilluar më 31 mars në ‘Tunelin e Kalimashit’. 
Tensionohet situata në Kuvend, opozita bllokon foltoren 
Pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Basha, deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë ngritur në këmbë dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit. Deputetët e opozitës thërrasin njëzëri ‘Rama ik’ dhe kërkojnë largimin e kreut të qeverisë.
Miell dhe ujë kundër qeverisë
Deputetët e PD-se iu afruan foltores. Garda u afrua për të larguar deputetët, por kryetari i Parlamentit Ruçi u kërkoi të largohen, ndërsa Bashës i tha se po vepronte në kundërshtim me rregulloren. 

Basha: “Ky parlament nuk do të vazhdojë asnjë sekondë pa e nxjerrë nga salla kryeministrin Rama. Ndale seancën menjëherë. Përjashtoje! Nuk ka për të pasur procedim normal pa larguar njeriun që ka ofenduar të gjithë shqiptarët”
Gramoz Ruçi: Nuk mund të merrni vendime për të pezulluar seancën. Është në kundërshtim me rregulloren. Më pas Ruçi ndërpreu seancën për 5 minuta. Me rifillimin e seancës në Kuvend erdhi dhe Rama. Deputeti Flamuri Noka mori një poster me mbishkrimin “Liro kuksianet!” dhe e vendosi para kryeministrit. Madje ndaloi dhe gardën ta largonin. Largimi i kryeministrit nga seanca ishte qëllimi i opozitës e për këtë, ata përdorën miell, ujë dhe vezë, ku nën objektiv ishte kryeministri dhe anëtarët e kabinetit. Deputeti Flamur Noka iu afrua kryeministrit dhe hodhi një qese me miell. Rama u mundua të ruante qetësinë madje piu dhe pak ujë teksa shihte përballë gjithë skenën. Seanca u ndërpre, pasi kryetari i parlamentit përjashtoi deputetin Flamur Noka dhe urdhëroi gardën ta nxirrnin jashtë. Pas pastrimit seanca nisi. Rama dhe Bushati u ulën në vendet e tyre tashmë të pastruara nga mielli. Deputetët e opozitës i bien foltores ndërkohë Braçe akuzon Bashën se ka vrarë njerëz në pluralizëm. 
Precedent i rëndë: Ministri i Jashtëm godet me shishe
Ndërsa situata ishte e acaruar nga “lufta” e miellit, vezëve dhe ujit prej deputetëve të opozitës kundër kryeministrit Rama, në një moment, deputeti i PD-së, Klevis Balliu goditi me vezë drejt ministrit Bushati, dhe ky i fundit iu përgjigj duke i gjuajtur me ujë. Kjo solli tensionim më të madh të situatës në Kuvend. Përbën incident të rëndë politik, që ministri i Jashtëm të reagojë i irrituar dhe dhunshëm nga podiumi i Parlamentit kundër kolegëve deputetë. Ministri i Jashtëm Bushati u detyrua më vonë të kërkojë falje publike për irritimin e tij ndaj kolegëve deputetë. Pas më shumë se një orë, akuza, debate, miell, vezë dhe ujë, por mazhoranca edhe pse nën tension e votoi rendin e ditës. Deputetët demokratë vrapuan jashtë sallës së kuvendit për të bllokuar daljen e kryeministrit, por me ndërhyrjen e gardës kryeministri Rama përdori derën dytësore.
Përjashtohen nga salla 3 deputetë të Opozitës
Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi përjashtoi nga seanca Klevis Balliun, Ervin Salianjin dhe Flamur Nokën. Deputeti socialist Erjon Braçe: “Ka njerëz njerëz që duan të mbrojnë të pamundurit, ka një qeveri që i bindet vendimit për të mbrojtur të pamundurit ashtu siç ka të tjerë që duan t’i përdorin të pamundurit thjesht dhe vetëm për bythën e tyre.”