Opozita lë seancën për protestën Berisha: Revolucion paqësor!

404
TIRANE – Dështimi i planit të demokratëve për bllokimin e hyrje-daljeve të parlamentit një javë më parë, ka bërë që protestuesit të cilët kërkojnë dorëheqjen e Metës nga Kuvendi, të grumbullohen para nisjes së seancës plenare të kësaj të enjteje.
Të paktë në numër krahasuar me tubimin që opozita mbajti të enjten e kaluar, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta, kjo pas akuzave që deputeti i përjashtuar nga PS, Tom Doshi artikuloi publikisht duke e akuzuar si urdhërues të vrasjes së tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi.
Sakaq, pas mbledhjes së grupit parlamentar nën kryesimin e Edi Palokës, demokratët iu bashkuan seancës plenare e cila këtë të enjte drejtohet nga nënkryetari Vangjel Dule për shkak të vizitës zyrtare të Metës në Zvicër. Po ashtu lideri demokrat Basha ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjermani.
Paloka mbajti një fjalë para protestuesve ku u kërkoi të mos e mballimin tubimin e tyre, pasi më tej do tu bashkohen edhe deputetët pas fjalëve të shkurtra të mbajtura në Kuvend.
Ora 10:40 Berisha: Krimi ka kapur shtetin, duhet revolucion paqësor

“Rrezikun e jashtëzakonshëm që ata përbëjnë për vendin. Por besoj se Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e këtyre lidhjeve. Mark Frroku është fytyra e këtij parlamenti, e kësaj qeverisje. Natyrisht që bosi i tij është Ilir Meta dhe dua t’i bëj apel qytetarëve shqiptarë, le të vendosim për një revolucion paqësor si rruga e vetme për të hapur horizontet e së ardhmes. Përveç kësaj asgjë nuk mund të shkulë krimin që ka përfshirë shtetin dhe këtë administratë. Revolucioni paqësor është përgjigja për sigurinë e çdo njeriu dhe për të ecur të sigurtë drejt BE. Përndryshe unë ju garantoj se Mark Frrokërit do të shkojnë lart e më lart. Sot më thonin disa të huaj se ka ministër me mbi 200 telefonata me trafikantë. Këtë do ta themi në momentin e duhur. Ne nuk ngurrojmë. Problemi kryesor është se Kreu i Kuvendit ka pushtuar parlamentin dhe nuk bën detyrën më minimale të paraqitet jo si nr.2 por si deputet i thjeshtë. Personalisht unë kam kërkuar që ditën e parë që Meta të shkojë i barabartë me deputetët e tjerë përpara Prokurorisë. Por Meta është i frikësuar nga arrestimi, i tmerruar nga krimi. Meta nuk ka fakte por bën veorime sikur ka. Meta është i përfshirë në skenar sepse e fshehu 6 muaj. Më ka ardhur Prifti me video në zyrë, dhe mendonte se do të më thyente për t’i kërkuar dorëheqjen. Reagimi ishte ik çoje në Prokurori. Rama ka caktuar Prokuror Saimir Tahirin. Kështu që ik i thashë, nuk mund të ketë përgjigje tjetër. E para nuk më merr peng dhe e dyta nuk pengoj hetimin. Meta e mbajti të fshehur 6 muaj. Pse e mbajti? Se nëse eliminonte Doshin do fajësonte Berishën. Do mund të manipulonte çdo provë. Eliminonte edhe 2 dëshmitarët kyç. Dështoi me këto. Çfarë ndodhi mbrapa? Ky njeri të cilin skenari i tij kriminel e ka pushtuar në çdo qelizë të shpirtit, doli e u tha se nuk jap dorëheqjen se e kam dhënë një herë për Shkëlzenin. Unë nuk e kuptova. Se Shkëlzeni ishte në video dhe ky ishte bërë kurban? Pasi kishte thirrur familjarët e Fufit u kishte thënë se vrasje ka, por atë do ta bënte Sali Berisha. Pasi dështoi me këto variante tha se nuk e kam mbajtur sekret për veten time por për Berishën. Pasi dështoi edhe me këtë turp, kërkoi Baba Takun, në torbën ku ai mban kokainën e Gëzim Çelës për bosin Ilir Meta. Shëtiste ish-xhelati i diktaturës në emër të Metës si një pengmarrës dhe mendonte se në torbën e tij të zezë do fshihte skenarin. E çoi në Hanoverin të takonte Tonin e LSI që çifti thotë se nuk e njoh edhe pse është një nga njerëzit më të afërt.Toni ka qenë shoferi i Tan Avllait, pyeteni Tan Lepurin për këtë. Lexoni historitë e guroreve të denoncuara nga opozita. Pastaj shkoi në Milano vetë me Vasilin.”
Ora 10.34 Deputetet e opozites braktisin seancen
Pas fjalës së deputetit Eduard Halimi, opozita braktisi seancën plenare. Deputetët e opozitës u larguan nga Parlamenti menjëherë sapo nënkryetari Dule hapi diskutimet për projektligjet në rendin e ditës. 
Ora 10.18 Halimi: Meta iu fsheh sërish qytetarëve
Duke iu referuar faktit që kryeparlamentari Ilir Meta nuk u ndodh në seancë për shkak të vizitës zyrtare në Zvicër, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se kjo është hera e dytë që sipas tij Meta i fshihet qytetarëve. Rasti i parë sipas Halimit, është mbyllja e seancës së shkuar në vetëm 12 minuta, sipas tij nga frika e përballjes me qytetarët.
“Një javë më parë, qindra mijëra burrë e gra u ngritën kundër krimit dhe varfërisë dhe oligarkisë me akuza për larje hesapesh politike duke kërkuar largimin e kryetarit të kuvendit. Shumë prej tyre kanë ardhur sërish sot se nuk mund të jetojnë me frikën e sigurisë në shkolla, se krimi mund t’i rrëmbejë djersën. Nuk mund të mbajë peshën e krimit që ka arritur deri në instancat më të larta. kanë ardhur për të kërkuar largimin e Metës. Opozita dhe qytetarët kërkojnë largimin e kryetarit të Kuvendit për të lënë të lirë Prokurorinë që të hetojë. Të largojnë një kryetar kuvendi, që porositi vrasjen e dy deputetëve. Një kryetar Kuvendi që thërriti në zyrën e tij kryeministrin. Fakte këto që parashikojnë ndëshkimin më të ashpër. Një ministër që pret vrasësit në rezidenca. Një qeveri që thotë më mirë të fsheh krimin se të përballem me qytetarët. Akuzat vijnë nga deputeti i cili është objekt për eliminim të tij. ai nuk ka qenë kurrë pjesë e opozitës, dhe siç ka qenë miku kryesor i kryeministrit Edi Rama për 10 vjet. Si erdhëm deri këtu?prej më shumë se 1 viti e gjysëm shohim drejtues të lartë të lidhur me krimin. Nga mbinë të gjithë këta dhe pse brenda një viti? Po të dashur qytetarë, sepse këta këtu mbrapa e kishin parashikuar në zgjedhjet e fundit të bënin marrëvesshje me krimin. Kontrata ishte e qartë, ju më ndihmoni në zgjedhje, unë ju ndihmoj në pushtet. Kjo është kontrata më vrastare e shtetit ligjor. Ajo ka impakt të drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve. Ndaj janë ngritur sot mijëra vetë. Atë që kanë dëgjuar dhe parë qytetarët është tronditëse. Vrasës me pagesë që bëjnë rrëfime në zyrën e ministrit të brnedshëm por ministri hesht. Kushtetuta përcakton se Prokuroria ka ekskluzivitetin e hetimit. Por Rama thotë se hetimin e bëri ai. Kjo do të thotë të sundojë mafia dhe jo drejtësia. Ligji e parashikon qartë se nëpunësit publikë përfshirë kryeministrin, kur marrin informacion për një vrasje detyrohen të bëjnë kallëzim. Këta shtetin e kthejnë në shtet personal. Ky nuk është shtet ligjor, por sundimi i mafias. Çfarë ndryshimi ka ndërmjet Gjokonajt dhe Bamit? Ta heqim thanë Tomën se na shajti Briseldën. Kështu e mbrojtët edhe Kostandinin, duke thënë se ishte djalë i mirë. Sërish e fshehët, dhe kur ai doli lord i drogës ju sërish na e fshehët madje duke na e sjellë këtu se ishte djalë i shkëlqyer. Po kur vrau 4 vetë, ulët kokën. Kur trafikantët ju ikin nga Rinasi dhe Kakavija ju vetëm jo që nuk merrni masa por ja fshihni opozitës. Oligarkia dhe krimi po përhapen dhe po prekin çdo qytetar. Sot në mëngjes DASH e cilësoi Shqipërinë si vendin kryesor të drogës, por ju sërish e fshehët. DASH thotë po atë që Shqipëria po kthehet në Kolumbinë e Evropës. 

Ora 10.15 Kuvendi nis seancën plenare, drejtohet nga Dule
Ka nisur seanca plenare e dites se sotme, eshte nenkryetari i Kuvendit te Shqiperise, Vangjel Dule ai qe drejton seancen pasi kryeparlamentari Ilir Meta ndodhet ne nje vizite zyrtare ne Zvicer. A1 Report meson se kreu i Kuvendit do te kthehet gjate dites se sotme ne Shqiperi dhe besohet ti bashkohet Kuvendit ne nje pjese te seances. 
Ora 10.00 Paloka-protestuesve: Mos ikni, do mbajmë fjalë në parlament dhe kthehemi shpejt mes jush
Pasi drejtoi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i grupit Edi Paloka iu bashkua protestuesve duke mbajtur një fjalë para tyre. Paloka u kërkoi të mos ndërprisnin protestën e tyre, pasi më tej do t’i bashkohen edhe deputetët e opozitës. Kjo sipas Palokës, pasi të mbanin një fjalë të shkurtër në sallën e Parlamentit.
“Ne i kemi kërkuar metës vetëm një gjë më të thjeshtë më minimalen, jep dorëheqjen dhe dil para drejtësisë, Meta ik. Ka dy javë që praktikisht ky parlament nuk funksionin, një javë më parë përballë forcës së qytetarëve ata e mbyllën parlamentit për 12 minuta, edhe sot ai nuk është në Parlament, por ne kërkojmë që ai të ikë të japë dorëheqjen. Do ikim në Parlament, do të mbajmë një fjalë aty dhe do të kthehemi shumë shpejt, prisni. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky shtet të marrë të ardhmen e fëmijëve tanë, ju faleminderit do të kthehemi shumë shpejt”, tha Paloka.
Ora 09:55 PD përfundon mbledhjen e grupit, deputetët i drejtohen turmës
Menjëherë pasi kanë përfunduar mbledhjen e grupit parlamentar të PD deputetët kanë kaluar mes për mes protestuesve në hyrje të Kuvendit, për t’iu bashkuar më tej seancës plenare. 
Ora 09.45 PD mbledh grupin, drejtohet nga Paloka
Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar për të diskutuar mbi organizimin e protestës së sotme para Kuvendit, dhe qëndrimin që do të mbajnë deputetët ne sallën e seancave plenare. Pritet që demokratët të bllokojnë punimet normale të Kuvendit, duke “zaptuar” foltoren. Mbledhja e grupit parlamentar zhvillohet nën drejtimin e kreut të Grupit Edi Paloka pasi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjermani.
Ora 09.30 Nis protesta e PD, militantët bllokojnë hyrjen e Parlamentit: Meta ik, kriminel!
Militantë të Partisë Demokratike nisën protestën para Parlamentit përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. Protestuesit kanë bllokuar hyrjen kryesore të Parlamentit, aty ku deputetët do të duhet të kalojnë për të nisur punimet e seancës së sotme plenare. Ndërkohë, deputetët e opozitës nuk janë aktualisht në tubimin e militantëve, pasi ndodhen në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në selinë blu. “Ilir Meta ka mbaru”, janë thirrjet që artikulohen njëzëri nga protestuesit.
Sigal