Opozita: Largim Gramoz Ruçit nga drejtimi i Kuvendit

602
PD dhe LSI e bëjnë kryeparlamentarin përgjegjës për tensionin e vazhdueshëm të seancave në Parlament. Vasili: U konsumua një ‘2 prill’ i ri
Partia Demokratike dhe opozita pritet t’i rikthehen kërkesës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Pas seancës së djeshme të tensionuar dhe përjashtimit të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, opozita ka shqyrtuar dje aktivizimin e një mocioni për largimin e kryeparlamentarit. Opozita ka shqyrtuar edhe dje shkeljet e rregullores së Kuvendit nga kryeparlamentari socialist dhe pas marrjes së një vendimi politik, deputetët demokratë pritet të firmosin edhe zyrtarisht kërkesën e tyre për një mocion për shkarkimin e Gramoz Ruçit. Një dokument me shkeljet për të cilat akuzohet Ruçi është tashmë i gatshëm në selinë blu dhe seancat e fundit duket se vetëm do ta pasurojnë. Demokratët kanë kundërshtuar zgjedhjen e Ruçit në krye të Kuvendit, por tensioni mes politikanit socialist dhe opozitës arriti kulmin në seancën e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, si dhe me përjashtimin e Spahos nga Parlamenti. Edhe më parë, Ruçi ka kërcënuar me përjashtime nga seanca të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Berisha. Për seancën e 18 dhjetorit 2017, opozita ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Ruçit, por për këtë nuk ka ende asnjë zhvillim. Me 74 mandatet e fituara në zgjedhjet e 25 qershorit, socialistët ndihen të qetë për të mbështetur Ruçin në krye të Kuvendit, ndërsa demokratët e kanë sulmuar atë edhe për të shkuarën dhe veçanërisht postet politike që ka mbajtur para viteve ’90 dhe deri në vitin 1991. Gjatë zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit dy deputetë të Partisë Demokratike votuan kundër vendimit të grupit parlamentar. 

Vasili: Fundi i ‘2 prillit’ dihet
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kritikoi kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për mënyrën e drejtimit të punimeve të Parlamentit. “Është parlament kuisling dhe ka një kryeministër kuisling, pasi vendi i pushtuar nga krimi, tashmë ka emëruar dhe kryeministrin e tij tërësisht kuisling, tradhtar të interesave të vendit, tradhtar të interesave të qytetarëve, dhe kjo tradhti nuk ka kursyer as librat e fëmijëve. Ku 74 armiq të të varfërve nuk i ndihmuan as për këtë”, tha Vasili. Sipas tij, vendin e ka pushtuar krimi dhe qeveria s’ka asnjë merak për të shpëtuar nga krimi. “Ishte për t’u diskutuar dhe u mbyll goja, sepse donim të hidhnim dritë mbi krimin shtetëror të ekstradimit të personit kyç të bandës së Habilajve. Pikërisht për këto arsye u mbyll goja dhe u konsumua një 2 Prill i ri me autorin e vjetër të 2 Prillit dhe me autorin e ri të shtuar, kryeministrin Edi Rama”, tha Vasili. Sipas kreut të deputetëve të LSI, fundi i 2 Prillit ka qenë i qartë. “Atë fund do të marrin edhe këta dhe salla e Parlamentit nuk ka për të qenë kurrë e tyre dhe deri ditën që atje do kthehet legjiimiteti i popullit që përfaqësohet me gjithë deputetët e vetë. Nuk është pronë e Gramoz Ruçit e as e këtij kryeministrit. Dhe derisa të kthehet ky normalitet ne do të jemi aty të palëkundur, këtu në çdo vend në çdo shesh dhe kudo që qytetarët presin fjalën tonë”, tha Vasili.
Sigal