Opozita: Ja 4 kushtet për qeverinë

573
Opozita përgatit protestën, gati kushtet për qeverinë
Në mitingun e 27 Janarit pritet të kërkohet zgjedhja e kryeprokurorit të ri brenda shkurtit dhe arrestimi i Tahirit e disa kryebashkiakëve 
Partitë e opozitës po përgatiten intensivisht për protestën e 27 janarit, ku PD, LSI dhe aleatët e tjerë pritet të mbledhin në Tiranë mbështetësit e tyre për të kundërshtuar kapjen nga kryeministri Rama të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Në mënyrë të veçantë, opozita do të kundërshtojë mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, si dhe mbrojtjen politike për disa nga eksponentët e Partisë Socialiste, të akuzuar prej saj për lidhje me krimin. Burime politike bënë të ditur se krahas përgatitjeve organizative për protestën e 27 janarit, janë duke u formuluar edhe tezat politike që do të shpalosen para mbështetësve, por edhe opinionit publik. Ato do të jenë si kushte për mazhorancën dhe qeverinë “Rama”. Një ndër pikat kryesore të kërkesave të opozitës pritet të jetë zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm brenda muajit shkurt. Ky proces, sipas opozitës, duhet të bëhet me ngritjen dhe përfshirjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas burimeve, vetëm në këtë mënyrë, opozita do ta konsideronte të mbyllur debatin e ashpër të 18 dhjetorit dhe seancën e tensionuar parlamentare. Ngritja e KLP-së, e bllokuar për muaj me radhë për shkak të mungesës së kandidaturave nga shoqëria civile, pritet të nisë këtë javë në Kuvend, ku tashmë është i depozituar edhe opinioni i vëzhguesve ndërkombëtarë. Ngritja e KLP-së do të hapte rrugën edhe për zgjedhjen e SPAK-ut e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dy struktura të specializuara për hetimin e veprave penale të zyrtarëve të lartë, që do të zëvendësojnë Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, në kërkesat e opozitës pritet të përfshihet edhe arrestimi i Saimir Tahirit dhe disa kryebashkiakëve. Për ish-ministrin e Brendshëm mazhoranca refuzoi tre muaj më parë dhënien e autorizimit për arrestim, pas kërkesës së prokurorisë, ndërsa drejtuesit e bashkive nuk gëzojnë një imunitet specifik ligjor. Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama se po mbron nga hetimi disa nga kryebashkiakët kryesorë të vendit. Në të njëjtën kohë, në kërkesat e opozitës pritet të jetë edhe rishikimi i ndarjes territoriale të vendit, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore, si dhe hartimi sa më shpejt i reformës zgjedhore. Një komision parlamentar i ngritur për këtë çështje nuk ka dhënë asnjë rezultat në 3-4 muaj jetë. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka vijuar publikimi i të dhënave të tjera nga përgjimet e dosjes “Tahiri-Habilaj”, ndërsa opozita ka sulmuar edhe koncesionet. Sipas kryedemokratit Lulzim Basha, “200 milionë euro është fatura që shqiptarët paguajnë vit për vit për 5 koncensionarë, për 5 derra të krimit dhe korrupsionit që ndajnë paratë me Edi Ramën”. “Nuk ka asnjë arsye pse një qeveri që e ka lidhur fatin me njerëzit të mos ndërpresë menjëherë këtë marrëdhënie kriminale korruptive, të shlyejë borxhin ndaj KESH-it dhe të çlirojë qindra e mijëra familje shqiptare nga zgjedha e kamatave të padrejta të KESH-it apo nga mynxyra e rritjes së çmimit të ujit”, u shpreh Basha. Kryetari i PD-së theksoi se përmes protestës shqiptarët do të imponojnë largimin e një qeverie ilegjitime dhe krijimin e një qeverie anti-mafia.
Sigal