Opozita fund bojkotit, rezoluta e PE votë unanime në Kuvend

454
Sigal

TIRANE – Me vota unanime, mazhoranca dhe opozita  përkthyen në një rezolutë parlamentare marrëveshjen e hartuar nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, draft i cili u bë shkak për rikthimin e opozitës në Kuvend pas një bojkoti prej më shumë se 5 muajsh jashtë veprimtarisë parlamentare.
 
Me 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë unanimisht dakordësinë për këtë rezolutë, e cila për herë të parë mori ne mesnatë firmat e 4 përfaqësuesve nga opozita dhe mazhoranca, pas 8 orë negociatash. 

Opozita zuri vendet e saj në Kuvend rreth orës 12:24 ndërsa prej 10 minutash deputetët e mazhorancës kishin nisur diskutimet për projektligjet në seancën e 24 Dhejtorit, e cila është edhe e fundit për këtë sesion parlamentar.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se miratimi i kësaj rezolute nuk është pakt paqeje me qeverinë e cila sipas tij, e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të largohet.

Me një mungesë prej muajit Korrik në sallën e Kuvendit, opozita mori vendimin politik për t’i dhënë fund bojkotit, në dy mbledhje të grupit të zhvilluara radhazi para nisjes së seancës.

I pari nga opozita që bëri fakt fundit e bojkotit, ishte kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i cili nuk mori pjesë ne mbledhjen e grupit te PD, por mbajti “premtimin” e dhënë më herët, se pavarësisht çdo vendimi të kreut të PD Basha, ai do të ishte në Kuvend në seancën e fundit. Më tej u bashkuan dhe deputetet e tjere te opozites. 

Taulant Balla e Genc Pollo udhëhoqën negociatat që në mesnatë sollën marrëveshjen me 4 pika të pandryshuara nga propozimet e dy eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein. Deputetet e PE takuan në ditë të veçanta në Tiranë liderët politikë me misionin për të kthyer opozitën në Kuvend. 

Ora 12:35 Paloka: Marrëveshja mes nesh, nuk është pakt paqeje!
Rikthimi i opozitës në Kuvend pas rreth 6 muaj bojkot, nuk do të thotë një vendosje e paqes mes palëve. Kështu është shprehur kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit, pas rikthimit të opozitës.

Sipas tij, marrëveshja e arritur falë ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, është në interes të qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë në vend, por nuk do të tohtë një vendosje e paqes mes mazhorancës dhe opozitës, duke shtuar se sipas PD, qeveria aktuale e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të ikë në shtëpi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, theksoi se bojkoti erdhi si shkak i një zgjedhje të detyruar nga arroganca e qeverisë, ndërsa shtoi se marrëveshja e arritur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk u bë për shkak të ndonjë lëmoshe ndaj opozitës për të mos djegur mandatet, por si një domosdoshmëri për të shpëtuar politikën shqiptare.

Dhe sipas tij për të arritur këtë nevojitet vetëm vullneti i mazhorancës. Ndër të tjera Paloka i bëri apel mazhorancës të respektojë rezolutën, për të ruajtur rolin e Parlamentit si një tempull i demokracisë dhe lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Po rikthehemi me kokën lart se ja kemi arritur qëllimit dhe kërkesat tona që nuk janë në interes vetëm të PD por të gjithë qytetarëve. Rikthehemi me vullnetin që ky Parlament të jetë tempulli i demokracisë, lirisë dhe të drejtave të qytetarëve. Bojkoti u bë zgjedhje e detyruar, pasi ky parlament duke mos zbatuar detyrimet e tij, u shkelën të drejtat e qytetarëve. Dhuna ndaj opozitës ishte vetëm akti i fundit, ku vazhdimisht shkelej kushtetuta, dhe nuk zbatoheshin as vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një parlament ku dënohej i adresuari njësoj me agresorin. Ne nuk vumë kushte, as kërkuam favore nga mazhoranca, por vetëm që kjo mazhorancë të mos bënte sikur nuk e dinte çka kërkonte opozita, të shprehte me vullnet në qartë se nuk do të shkelë të drejtat e opozitës, dhe se do të heqë dortë nga arroganca e një shumicë absolute në Kuvend. Bojkoti sado i padëshiruar nga ne tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve, dhe i dhanë vlerësimet e duhura, dhe këmbëngulja e tyre solli përgatitjen dhe votimin e rezolutës që do të bëjmë në Kuvend. Shpresojmë që votimi i kësaj rezolute të realizojë qëllimin që kemi, dhe që imponuan largimin tonë nga parlamenti. Ne duam që demokracia të funksionojë në këtë vend, prandaj ne urojmë që edhe mazhoranca ta marrë me seriozitet zbatimin e kësaj rezolute. Ne e dimë se marrëveshjet respektohen kur të gjitha palët janë të interesuara. Ne shpresojmë që kjo marrëveshje e fundit të qëndrojë se është jo vetëm në interes të qytetarëve, por edhe në interes të palëve politike. Kush sheh më larg se hunda e tij politike do ta kuptojë. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve aq më keq. Nëse ndonjëri e sheh si një favor që iu bë opozitës për të mos djegur mandatet gabon shumë rëndë. Ne besojmë se kjo marrëveshje është në interes të gjitha palëve politike në Shqipëri, për ta shpëtuar politikën nga zhytja totale e llumit dhe korrupsionit. Kjo është në të mirën e atyre që janë largpamës, që nuk e duan të jetë siç është sot. Shpresojmë suke besuar që kjo marrëveshje të sjellë realisht një ndryshim në politikën shqiptare dhe për këtë duhet vetëm vullneti i mazhorancës. Kjo nuk është pakt paqeje mes nesh dhe mazhorancës. Për ne dhe për qytetarët shqiptarët, kjo qeveri që po shkatërron jetën e shqiptarëve e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të ikë në shtëpi. Duke falënderuar të gjithë qytetarët iu garantojmë se interesi i tyre është vetëm i tyri, dhe do të jemi në parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes.” theksoi Paloka


Paloka: Në kuvend vetëm për rezolutën e PE. Nuk diskutojmë për pr/ligjet
Ora 12:20 Në përfundim të mbledhjes së dytë të grupit parlamentar të PD-së, Paloka tha se qëndrimi i demokratëve është i njëjtë, për të qenë në seancën e sotme. Por me rrëzimin e kërkesës së tyre për të ndryshuar rendin e ditës, Paloka tha se opozita do të bëhet pjesë e diskutimeve vetëm për draft-rezolutën e PE-së dhe për asnjë projektligj tjetër.

“Qëndrimi ynë është për rezolutën, në atë parlament hyjmë për një rezolutë që nënshkruam së bashku. Diskutuam për mënyrën se si do të procedojmë në parlament”, tha Paloka.

Grupi i PD mblidhet për së dyti
Ora 11:50 Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur për së dyti para fillimit të seancës parlamentare. Ky vendim erdhi pas kërkesës së demokratëve për të ndryshuar rendin e ditës, dhe për të lënë në diskutimet e kësaj seance vetëm rezolutën e PE dhe marrëveshjet të cilat nuk ngjallin debat mes palëve.

Paloka: Të hiqen nga rendi pr/ligjet që hanë debat. Në fokus vetëm rezoluta
Ora 10:50 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për ndryshimin e rendit të ditës së seancës parlamentare. Sipas tij, rikthimi i opozitës në Kuvend për draft-rezolutën e PE është një ngjarje e jashtëzakonshme të cilës i duhet dhënë rëndësia e duhur. Me këtë argument Paloka tha se demokratët kërkojnë që të hiqen nga rendi i ditës projektligjet e tjera të cilat mund të hanë debat mes opozitës dhe mazhorancës. Paloka veçoi se PD-së ka kundërshti për pr/ligjin për huamarrjen, i cili është në rend dite, e kjo sipas tij do të linte jashtë fokusit rezolutën e nënshkruar nga të dyja palët.
 
“S’mund ta konsiderosh të zakonshme, është bërë pas një bojkoti të gjatë,negociatave të gjata, me ndërhyrjen e ndërkombëtare. Kushdo është koshient që kemi të bëjmë me një ngjarje të jashtëzakonshme. Konferenca e Kryetarëve të caktojë mënyrën si do procedojmë, që fillimisht të trajtohet rezoluta se është kjo rezolutë që na kthen në parlament. Kërkuam një procedurë normale, se dhe mbrëmë vonë negociatorët ranë dakord që të jenë dy marrëveshje që nuk hanë debat, po që rezoluta do jetë e para. Jo se rendi i ditës është përcaktuar sot, por gjendemi para një rendi dite me pr/ligje të rëndësishme, si i marrjes së borxhit pa marrë leje nga kuvendi, ne jemi kundër, nuk duket normale. Këto projektligje të shtyhen, sot të miratohet rezoluta dhe nëse ka ndonjë marrëveshje s’kemi kundërshtim”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Paloka: Ne, jo karagjozë. Në kuvend pavarësisht rendit të ditës
Por kërkesa e të djathtëve nuk është pranuar nga e majta. Paloka tha se kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi nuk ka pranuar ndryshimin e rendit të ditës, por shtoi se pavarësisht të gjithave, opozita do të jetë në këtë seancë.

“Zoti Ruçi s’e pranoi deri në këtë moment, kërkoi rendin e ditës pa ndonjë ndryshim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Do më vinte keq që sot të fillohet me idenë që të injorojnë rezolutën, shpresojmë që edhe mazhoranca ka qenë e sinqertë dhe serioze në nënshkrimin e kësaj rezolute. Ne do të diskutojmë me grupin, ne jemi seriozë nuk jemi karagjoz, e kemi miratuar këtë rezolutë në grup. Nga konferenca e kryetarëve grupi i PS s’ka marrë ende një vendim për këtë rezolutë, pavarësisht nënshkrimit të mbrëmshëm duket që s’paskemi një vendim të grupit socialist.Fakti që kërkojnë ta trajtojnë si diçka ordinere të zakonshme nuk është shenjë e mirë. Nëse do të këmbëngulë me këtë rend dite ne kemi vendosur të hyjmë në këtë seancë dhe do e mbajmë pastaj do na duhet të hyjmë në diskutimet e projektligjeve dhe kaq”, tha Paloka.

Si rrjedhojë Konferenca e Kryetarëve e ka shtyrë me një orë seancën.

Doda: Kthimi i opozitës i vonuar. Bojkoti të zhduket nga fjalori politik
Ora 10:40 Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda, e cila gjithmonë ka ngritur gjithmonë zërin për thyerjen e bojkotit, tha se kthimi i demokratëve në Kuvend duhet të kishte ndodhur më herët. Por ajo veçon rëndësinë e kësaj seance të fundit për votimin e rezolutës së PE-së.
 
“Sot qytetari shqiptar, përballet me shumë probleme dhe ne nuk kemi qenë në Parlament për t’i mbrojtur. Do duhet të kishim kthyer që në seancat e paera, megjithëse sot do votohet në rezolutë. Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një jetë të qetë politike, bojkoti duhet të zhduket nga fjalori politik. Do kemi një opozitë reale, atje ku ka problematike”, tha Doda nga ambientet e jashtme të Kuvendit.

Shehi nuk merr pjesë në mbledhje grupi, ikën i pari në Kuvend
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi është i pari nga deputetët e opozitës që u kthye në Kuvend. Paraditen e sotme, ai nuk iu bashkua mbledhjes së grupit parlamentar në selinë blu, dhe zgjodhi të mbërrijë i pari në ambientet e Kuvendit. Shehi parapriu kështu vendimin politik që PD mund të merrte në grupin parlamentar, duke i qëndruar premtimit të tij, se pavarësisht çdo vendimi do të ishte në Kuvend në seancën e 24 Dhjetorit.