Opozita flet ç’të dojë, Berisha bën si të dojë!

2264
Sigal

Marrëveshja me PD-në/Edi Rama lë reformën zgjedhore në Tiranë, për vizitë në Selanik!

“ Me kënaqësi për në takimin me emigrantët e Greqisë së Veriut, ora 7pm tek Grand Hotel Palace, 305 Monastiriou st, Selanik! Shihemi aty! “Është “ftesa”  që dje  kryetari i PS-së Edi Rama,  në Twiter, u bën bashkatdhetarëve të vet, që të takohen, për të diskutuar bashkërisht për … e di ai për çfarë.  Pardje, po nga Selaniku, Kryetari i PS-së, Edi Rama përshëndet kompromisin e arritur midis PS-PD për reformën zgjedhore. E çuditshme! Që Kryetari i PS-së, në ditët  më të nxehta politike, atë të arritjes të kompromisit të reformës zgjedhore, zgjedh rrugën e udhëtimeve të tij nëpër Europë. Dhe nga Europa, po na përshëndet tashmë, Kryetari i PS-së, si për të na kujtuar, që ai ka mbërritur në stacionin e Europës dhe pret PS-në, Shqipërinë, shqiptarët, që si valixhet që mbërrijnë pa të zotin, të mbërrijnë edhe këta në Europë.  A mundet kryetari i Opozitës, Kryetari i PS-së, të gjendet nëpër Europë, kur deputetët e partisë së tij, zhvillojnë bisedimet për përfundimin e reformës zgjedhore? Ndoshta Edi Rama u largua nga Shqipëria, pikërisht, sepse e dinte arritjen e kompromisit , qysh pa u takuar palët politike. Marrëveshjet e mëdha politike, nuk arrihen ditën e bisedimeve, por në kafetë e mëngjesit, midis krerëve partiakë. Burime nga brenda selisë rozë thanë dje për “Telegraf” se deri në momentin e fundit Rama nuk ka qenë dakord me marrëveshjen për reformën zgjedhore, por e ka dhënë OK-in pas konsultimeve që ka patur me të ashtuquajturin grup të të urtëve. Deputetët socialistë janë ndjerë të befasuar nga kjo lëvizje, ndërsa nuk ndihen hiç optimistë për të ardhmen. Një deputet madje u shpreh fare qartë: Ne bëmë sa mundëm, pasi e dimë se nuk bënim dot më tepër. Sepse sado të flasim ne, Berisha dhe PD do bëjnë të vetën. Kësaj i thonë: Ne flasim çfarë të duam, po Berisha do të bëjë si të dojë…” Me këtë shprehje deputeti la të nënkuptohet se PS parandien shijen e humbjes në 2013-n ku sipas të gjitha gjasave do të përsëriten të njëjtat mangësi dhe probleme si në zgjedhjet e mëparshme, me manipulime e vjedhje votash. Edi Rama, me udhëtimet e tij, më drejt , tani në Selanik, mund të mendohet se thjesht u largua për të mos dëgjuar kritikat e aleatëve të vet, derisa i hodhi në koshin e plehrave të gjitha premtimet që u kishte dhënë.  Edi Rama, edhe ditën e 24 majit 2012, kur ishte afati i fundit i reformës zgjedhore, ishte “arratisur” nga Shqipëria dhe shkoi në Bruksel. Rama me ecejaket e tij në Europë, tregon në radhë të parë mungesë respekti për deputetët e PS-së, të cilët,  të braktisur nga Kryetari i PS-së, mundohen të fitojnë betejat politike me Sali Berishën pa gjeneralë. Rama ditë më parë, para arritjes të kompromisit të reformës zgjedhore, publikisht pranoi që vetë ai gaboi në ndryshimet që u bënë në Kushtetutë, me miratimin e tij. Kur, gjithë kohës, ai vetë ato ndryshime të Kushtetutës të 2008-s që vetë miratoi, i tensionoi në ngërç politik në procesin e zgjedhjes të Presidentit? Gjithashtu, po nga Selaniku, Rama, kompromisin e arritur për reformën zgjedhore, e cilësoi si …. garanci më të lartë për zgjedhjet e 2013-s. Po sikur PS-ja të humbasë në zgjedhjet e 2013-s, a do të ketë alibi politike Edi Rama  që të justifikojë humbjen me  manipulime të zgjedhjeve, me që tani reformën zgjedhore, të cilës i jep konsensusin, e cilëson paraprakisht, garanci për ndershmërinë e zgjedhjeve?

Petro Koçi: “Kodi Zgjedhor nuk zgjidh krizën elektorale”

Dështimi i ri në ndërmarrjen kombëtare të reformave kryesore politike vërteton paaftësinë e klasës politike për të dalë përtej interesave personale për pushtet. Ndryshimet e pakta në Kodin Zgjedhor janë të pamjaftueshme për të zgjidhur krizat elektorale që kanë shoqëruar raundet zgjedhore në vitet e fundit. Mosndryshimi i sistemit zgjedhor i ka dhënë një goditje shansit për të siguruar rregulla marrëdhëniesh politike në favor të qytetarëve. Sistemi aktual përbën një dhunim të mundësisë së qytetarëve për ti dhënë vendit ndryshimin nëpërmjet votës. Me këtë rast deklaroj se kriza politike garantohet me ligj. Krizën a garanton kushtetuta, ligji zgjedhor dhe rregullorja e parlamentit. Sanksionimi i monopoleve në sistemin tonë politik pasqyron filozofinë e monopoleve ekonomike dhe financiare dhe padrejtësinë financiare në kurriz të popullit. Varfërimi i demokracisë politike thellon varfërinë ekonomike të shtresave të gjera dhe shumicës qytetare. PSV gjykon se ndërrimi i qeverisjes do të jetë i vështirë , por jo i pamundur. Opozita duhet të gjejë makanizmat shpirtgjera të bashkëpunimit për t’ia dalë misionit të saj, edhe kur disfavorizohet nga sistemi zgjedhor.

Ruçi nuk njeh draftin e Reformës Zgjedhore, i kërkon Topallit informacion

Kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçit, që t’i kërkojë Kryetares së Kuvendit njohjen me draftin e Reformës Zgjedhore, para se deputetët ta votojnë ditën e enjte të javës tjetër,  nxori pa dashur Ruçi një lajm. Që deputetët e PS-së nuk dinë asgjë më tepër nga sa u thanë publikisht. A ka të keqe? A duhet të dinë deputetët e PS-së më shumë se çfarë u tha në publik? Edi Rama, herë pas here mblidhte grupin parlamentar të PS-së dhe diskutonte hollësisht për problemet e reformës zgjedhore. Deputetët duhet të dinë në vija të përgjithshme çfarë kompromisi u arrit. Ose, të pranojmë tjetrën. Që Rama nuk informonte asgjë deputetët, por thjesht u diktonte politikën e tij. Edhe përsa i përket draftit që duhet të votojnë, zoti Ruçi e di shumë mirë, që në hartimin e hollësishëm do të marrin pjesë edhe ekspertët e PS-së.  Dhe, derisa do të jenë edhe ekspertë të PS-së, ata udhëzimet do t’i marrin nga PS-ja dhe do të jenë po ata që çdo gjë që do të vendosin, paraprakisht, do të njohin më parë PS-në. Nuk ka mundësi që ekspertët socialistë  të hartojnë draftin e reformës zgjedhore, pa mirinformuar PS-në dhe më saktë, më parë atë vetë, Gramoz Ruçin. Ose, ndoshta me kërkesën e tij, Ruçi, na dëshmon që ndoshta draftin e reformës zgjedhore do ta hartojnë vetëm ekspertët e PD-së, dhe Ruçi, i pari, si kryetari i grupit parlamentar të PS-së, do të mësojë draftin, si gjithë  të tjerët, kur t’ia japin ta firmosë?! Përse kryetari i grupit parlamentar të PD-së nuk kërkoi nga Kryetarja e Kuvendit draftin e reformës zgjedhore? Mos Ruçi, me kërkesën e tij, do të thotë që deputetët e PD-së e kanë draftin dhe deputetët e PS-së nuk e kanë?

Drafti i Reformës Zgjedhore do të votohet javën e ardhshme në Parlament. Njoftimi u bë nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli në fillim të seancës parlamentare, e cila tha se ekspertët të cilët do të merren me zbardhjen e draftit kanë kërkuar të paktën 3 ditë kohë për ta mbyllur “Sapo përfundoi mbledhja e konferencës së kryetarëve dhe u vendos që drafti për reformën zgjedhore të përfshihet në axhendën e ardhshme. Drafti duhet të vijë në parlament në mënyrë që deputetët të njihen me të dhe mos të ndodhë që të vijë ditën e enjte dhe më pas të diskutohet” deklaroi Ruçi. Sipas kryeparlamentares Topalli duhen 3 ditë për t`u zbardhur drafti nga komisioni i reformës zgjedhore dhe më pas do t`i paraqitet deputetëve për t`u miratuar më pas në seancën e së enjtes. “Unë do ti nxis, që deputetët të kenë gati, duke shtuar se, pavarësisht dëshirës për të votuar sot, të enjten e ardhshme do të miratohet reforma zgjedhore” theksoi Topalli.  Në limitet e skadimit të afatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensusin për një ndër reformat më të rëndësishme për vendin. Palët kanë rënë dakord për disa nga çështjet të cilat mbanin të bllokuar përmbylljen e reformës zgjedhore, siç janë riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit. Për sa i përket çështjes së KQZ-së, duket se mazhoranca ka pranuar kërkesën e PS-së për riformatimin e plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që pritet të bëhet në muajin shtator, pas përfundimit të mandatit të komisionit aktual.