Opozita firmos paktin me 10 pika: Në zgjedhje pasi të largohet Rama

568
Sigal

Partia Demokratike mblodhi aleatët për të firmosur marrëveshjen e koalicionit. Pakti përmban dhjetë pika, mes të cilave edhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet për një proces të lirë dhe të ndershëm.

Pika e parë është zotimi për krijimin e një koalicioni të bashkuara opozitar. Pika e dytë e paktit është këmbëngulja për të mos u regjistruar në zgjedhje pa u plotësuar më parë kushtet. Kushti i shqiptuar më fort nga Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë opozitarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme është reflektuar në pikën e tretë; ai është largimi i Edi Ramës dhe formimi i një qeverie tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Opozitarët akuzojnë kryeministrin për zgjedhje farsë të diktuara, sipas tyre, nga pakti i Ramës me krimin.

Mes pikave të tjera është angazhimi për të çliruar ekonominë nga oligarkia, lufta pa kompromis ndaj krimit të të gjitha formave dhe llojeve dhe dera e hapur për çdo individ dhe parti politike që e ndjen veten opozitare.

Pakti i opozitës firmoset në të njëjtën ditë, kur Astrit Patozi regjistron në gjykatë partinë “Bindja Demokratike”. Rudina Hajdari u përfol fillimisht si themeluesja e kësaj partie, por vetë deputetja e dalë nga listat e PD-së dhe që refuzoi lënien e mandatit përjashtoi mundësinë që t’i bashkohet kësaj nisme, të paktën për momentin.

Grupi themeluees kësaj lëvizjeje përbëhet nga përfaqësues brenda radhëve të PD-së, si Astrit Patozi, ish deputeti i PD-së, Ardian Kollozi dhe ish-këshilltarët e PD-së në bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj dhe Leonad Olli.

Fillimisht pjesë e kësaj lëvizje u përfol se do të ishte edhe ish-kryetarja e AMA-s, Endira Bushati, e cila ka qenë anëtare e Kryesisë së PD-së, por vetë ajo me anë të një postimi në Facebook e hodhi poshtë përfshirjen në këtë iniciativë të re politike.