‘Opozita e ka dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim’/ Basha: ‘Kemi nevojë për ju ti mbyllim derën tranzicionit’

69

Nga Selia e PD-së, në mbyllje të protestës së 10 Kombëtare, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Edi Rama e ka marrë vulën e largimit, e ka marrë dërmën nga shumica absolute e shqiptarëve.

Ai falënderoi edhe njëherë protestuesit dhe theksoi se opozita e bashkuar e ka dëgjuar klithmën e tyre për ndryshim.

“Falë kurajës suaj, këmbënguljes suaj, betejës suaj të nisur e të vazhduar pa ndalim, në diell e në shi, ditën dhe natën dhe kur gazi lotsjellës mbushte mushkëritë tuaj dhe shtëpitë e Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Tiranës, Kurbinit, falë sakrificës suaj sot shumica absolute e shqiptarëve ka përqafuar thirrjen tuaj Rama ik, e kanë refuzuar në mënyrën më bindëse, më masive, më qytetare edhe ditën më të zezë të qyqarit hajdut, kur nisi të vjedhë votat e tij. Edi Rama e ka marrë vulën e largimit, e ka marrë dermën nga shumica absolute e shqiptarëve. Edhe njëherë dua t’ju falënderoj gjithsecilit prej jush, njerëz të sakrificës, të betejës, që së bashku e vazhduam dhe vazhdojmë këtë betejë, por sot të bindur se jemi në krye të një shumice absolute të votës më të pastër të 30 qershorit, të 85% të shqiptarëve që folën me heshtje, me tallje, me brohorima, Rama ik. Aksionerë kryesorë janë qindra mijëra qytetarë që i dhanë betejë regjimit kriminal…

Duhet ta dinë mirë sot dhe në ditët në vijim. PD, opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi qëllimi ynë kryesor. Javët, ditët e javëve në vijim do të jenë ditë dhe javë aksioni të ngjeshur politik për ti dhënë forcë dhe besueshmëri ndryshimit të vërtetë për çdo shqiptar. Nuk mund të jetë çështje fjalës por veprash dhe garancish. Të mos mjaftohemi me rotacionin politik që po vjen por t’u japim shqiptarëve atë që kërkojnë, fund tranzicionit politik, standarde europiane. Keni mirënjohjen time, respektin tim. Të gjithë bashkë do t’i japim formë shpresës për ndryshim. Kam nevojë për ndihmën tuaj, qëndresën tuaj, vëmendjen tuaj teksa bashkë e mbyllim njëherë e mirë derën e tranzicionit, duke lënë jashtë Edi Ramën”, deklaroi kreu i PD.