Opozita e bashkuar/ Sot në orën 18.30 Tirana dhe Shqipëria zbresin në sheshe. Apel policisë: Bashkohuni me ne qytetarët!

471
Sigal

Kryeministri Rama: Opozita nuk ka shans që të rrëzojë qeverinë. Basha: Do ta pësosh si Gruesvski

Sot Opozita e Bashkuar organizon në orën 18.30 protestën kombëtare

Sot në orën 18.30 ashtë parashikuar protesta e 13-të kombëtare e Opozitës së Bashkuar. Kjo bëhet si kundërpërgjigje e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit në protestën e së shtunës. Në 11 maj opozita e Bashkuar organizoi sërish protestën kombëtare të radhë e cila është e 12-ta në radhë që nga 16 shkurti kur Opozita u largua nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre. Mijëra qytetarë u mblodhën në orën 18.30 para kryeministrisë. Fillimisht protesta ishte e qetë. Protestuesit me thirrjet „ Duam një Shqipëri si Evropa” dhe “Rama Ik” protestuan për më tepër se 6 orë. Mirëpo, policia provokoi, duke shkaktuar zhurmë në kohën e fjalimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Pas kësaj, situata tensionohet. Opozita kërkon dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para. Ato u pasuan nga shishe të shumta Molotov, jo vetëm drejt portës qendrore të Kryeministrisë por dhe drejt godinës përballë të Parlamentit. Basha, gjatë fjalimit të tij theksoi se “nuk do të ketë zgjedhje me krimin, dhe me Edi Ramën. Zgjedhje, më 30 Qershor nuk do të ketë”, theksoi zoti Basha duke shtuar se bëhet fjalë për “një betejë për jetë a vdekje”. Mirëpo, në një moment, kur po mbante fjalën e tij, Basha e ndërpreu atë për disa minuta, derisa situata u qetësua përkohësisht. Policia në këtë kohë, ndërhyn me gaz helmues. Përmes një video projektori, opozita mbuloi fasadën e Kryeministrisë me ato që janë parullat e saj kryesore, “Rama ik”, “Qeveri e Krimit” e të tjera slogane kundër qeverisë të drejtuar nga Edi Rama, deri kur protestuesit u ftuan nga drejtuesit e opozitës që t’i drejtoheshin selisë së Parlamentit.

Dhuna e pashembullt e Policisë

Para parlamentit ishin dislokuar forca të shumta policore, të ndihmuara edhe nga makina ujëhedhës. Në një moment tensioni midis protestuesve dhe policisë, u pa në transmetim live, sekretari i PD-së, S. Dollapi, i cili afroi ndihmë policisë për të qetësuar protestuesit. Mirëpo, një grup policësh prej 6 vetash, përdori dhunë të pashembullt ndaj tij, edhe pse S. Dollapi kishte vetëm një telefon në dorë dhe e arreston.

Protesta para Drejtorisë së Policisë së Tiranës: 50 protestues në pranga

Qindra mbështetës të opozitës u mblodhën në mesnatën e së shtunës, përpara drejtorisë së policisë së Tiranës për të protestuar ndaj arrestimeve, që policia u bëri mbrëmë disa dhjetëra pjesëmarrësve të protestës. 84 të proceduar, ndër të cilët 50 u arrestuan. Ky është përditësimi i fundit me informacione nga Policia e Shtetit pas protestës së djeshme. Sipas Policisë së Shtetit, bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 50 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetasit G. B., F. N. e G. S., banues në Tiranë. Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 31 persona për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Protesta e opozitës vazhdoi edhe ditën e djeshme, pavarësisht se policia njoftoi që në mëngjes se u lirua S. Dollapi.

Prokuroria të hetojë 6 policët që dhunuan S. Dollapin

Edhe kryeministri Rama e pohoi se 6 policët dhunuar S. Dollapin para Kuvendit, pavarësisht se, njëkohësisht, justifikoi atë dhunë. Prokuroria duhet të hetojë përgjegjësinë penale të të 6 policëve, që ushtruan dhunë ndaj S. Dollapit. Basha dje premtoi se PD-ja nuk do t’i harrojë policët dhunues. Basha: Thirrja ime iu drejtua urdhëruesit, që e ka kthyer policinë në një kupolë kriminale. Për policët e thjeshtë kam vetëm një thirrje, zbatoni ligjin, mos e thyeni ligjin, por mes tyre ka dhe kriminelë, si Baro, i cili duhet të ishte i dënuar, por ai është një kriminel i veshur me uniformë. Por unë i them atij dhe shokëve të tij, asgjë nuk do të harrohet dhe shumë shpejt do të mbajnë përgjegjësi’, u shpreh Basha.

Presidenti Meta bën thirrje të shmanget dhuna e përplasjet

Presidenti Meta ka bërë thirrje që të ruhet qetësia dhe të shmangen aktet e dhunës dhe konfrontimet. Kreu i Shtetit: Jam duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve.

Qytetarët pa parti: Na mbyti gazi, dje braktisëm shtëpitë. Po ne ç’faj kemi?!

“Dje u torturuam, na lotonin sytë, mezi merrnim frymë. I mbyllëm të gjitha po prapë depërtonte”, tregon banori që ka shtëpinë pranë Kuvendit. Dy vajza adoleshente që sapo kanë dalë nga pallati, tregojnë se mbrëmë nuk ishin në shtëpi kur u hodh gazi, por i morën në telefon prindërit të shqetësuar. “Na thoshin ku jeni se po mbytemi nga gazi”, tregojnë vajzat. “U vonuam derisa na thanë që mund të ktheheshim”, vazhdojnë duke qeshur, si të kënaqura nga mundësia për të ndenjur pak më shumë jashtë me miqtë. Një burrë në katin e tretë, është duke pastruar vetë. “Nga dhomat që shohin nga policia nuk rrihej. i mbyllëm të gjitha dhe dolëm këtej. Nuk e ndiem shumë, vetëm pak djegie”, tregon ai. “Këta që nuk e kishin izolimin e mirë vuajtën më shumë”, tregon për fqinjët. Një pronar kreperie, përballë Drejtorisë së Policisë, ka ende merakun e përplasjes. “Në lokal nuk rrihej, për 2 orë bashkë me 3 punëtorët kemi pastruar”, tregon me ton të shqetësuar.