Opozita drejt unifikimit, Duka e Ndoka në dilemë

467
Pamundësia e koalicioneve detyron PD të përfshijë në listën e saj krerët e partive aleate. Kërkohet regjistrimi i sa më pak siglave

Zbatimi i marrëveshjes Rama-Basha ka vënë në vështirësi opozitën, e cila mbeti e paregjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë Partia Demokratike dhe aleatët do të kenë kohë deri më 26 maj për të paraqitur listat e kandidatëve për deputetë, por marrëveshja PS-PD ndalon koalicionet parazgjedhore. Për rrjedhojë, opozita po diskuton masat e saj lidhur me zgjedhjet e pritshme të 25 qershorit.

Pasi i dha fund qëndresës në çadrën përpara selisë së kryeministrisë, Partia Demokratike nisi edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari demokrat, Lulzim Basha, pati dje dy mbledhje të njëpasnjëshme, me drejtuesit e degëve dhe aleatët. Në shumë pak ditë, opozita duhet të zgjidhë shumë nga çështjet e mbetura pezull dhe që tashmë imponohen nga marrëveshja. Kreu demokrat ka kërkuar propozime për përfaqësuesit e saj teknik që do të zënë 7 postet në kabinetin e kryeministrit Rama, por edhe ata që do të drejtojnë disa nga institucionet e parashikuara po nga marrëveshja politike.

Nga ana tjetër, brenda 26 majit opozita do të duhet të bëjë, jo vetëm regjistrimin për në zgjedhjet e 25 qershorit, por të dorëzojë dhe listat me kandidaturat. Kjo ka qenë pika kryesore që është diskutuar me aleatët e Partisë Demokratike. Në kushtet e pamundësisë për t’u organizuar në një koalicion, drejtuesve të partive të vogla, kryesisht atyre parlamentare dhe me një peshë elektorale specifike, u është ofruar mundësia e përfaqësimit në listat e Partisë demokratike. Në takim është diskutuar edhe mundësia e regjistrimit të sa më pak siglave partiake nga opozita, pasi në mungesë të koalicioneve shanset e partive të vogla për të fituar të vetme poste në Kuvend janë pothuajse të pamundura. 

Reagimi i Ndokës e Dukës
Vështirësia e partive të vogla është pasqyruar edhe në deklaratat e krerëve të tyre pas takimit me Bashën. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka reaguar, duke shprehur edhe pakënaqësinë e tij. Ndoka tha se marrëveshja mes Ramës dhe Bashës ishte goditje për partitë e vogla. “Kemi pasur kontakte të vazhdueshme me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ka pasur një lloj transparence mes nesh. Marrëveshja nuk është zgjidhja më e mirë, por ne tani jemi para fakteve të kryera. Kjo është një goditje për partitë e vogla politike, por megjithatë do ta vuajë më shumë e majta. Ngjalat nuk janë më të përshtatshme”, tha Ndoka. 

Gjithashtu, në vështirësi nga marrëveshja është vënë edhe Partia Agrare Ambjentaliste. Kreu i PAA-së, Agron Duka tha pas takimit me Bashën se ai po sheh mundësitë që të garojë edhe i vetëm në zgjedhje. Ai shtoi se marrëveshja ishte goditje për partitë e vogla dhe se Basha u detyrua që ta pranonte marrëveshjen. “Ne po shohim mundësitë për të hyrë ose jo vetëm në zgjedhje. Pra po bëjmë llogaritë dhe po matim forcat”, tha Duka.

Marrëveshja Rama-Basha përcakton pamundësinë e realizimit të koalicioneve. “Regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumë emërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 Maj 2017”, thuhet në dokument, ndërkohë që edhe partitë e shumicës parlamentare janë regjistruar tashmë pa koalicione.
Sigal