Opozita: Çfarë fshihet pas sulmeve ndaj deputetit gjerman

435
Basha dhe Berisha akuzojnë qeverinë për akuzat ndaj Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për çështjet e BE në Bundestag. Kush janë 4 shtetet kundër Shqipërisë
Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian në Parlamentin gjerman, Gunther Krichbaum, është kthyer në qendër të debatit politik dhe akuzave mes qeverisë dhe opozitës, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian. Një pjesë e medias e akuzoi Krichbaum për qëndrime jo të drejta ndaj Shqipërisë, lidhur me kritikat që ai adresoi. Në debat u përfshinë krerët e Partisë Demokratike, Basha e Berisha, ndërsa vetë Rama hodhi poshtë akuzat se ai po e sulmonte anëtarin e Bubndestagut. “Fushata kundër Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag Gunther Krichbaum, e frymëzuar nga Edi Rama, është e turpshme dhe e papranueshme”, tha Basha, ndërsa Berisha renditi disa faktorë që sipas tij, qëndrojnë pas sulmit ndaj deputetit, një ndër zërat kritikë në arenën ndërkombëtare ndaj qeverisë “Rama”. “Shkaku i vërtetë i xhindosjes dhe shpërthimit të llum-kazanit, që nga dita e dorëzimit të raportit në konferencën e shtypit të përbashkët me zonjën Mogherini dhe në vazhdim, qëndron: Së pari, në faktin se Komisioni vërtet rekomandoi hapjen e negociatave, por ashtu siç e tha publikisht, dhe me të drejtë mendoj unë, në sallën e Parlamentit Evropian presidenti i Komisionit Evropian, Junker, ai rekomandim bëhej parësisht për arsye gjeo-strategjike dhe paqe, me konkretisht sipas tij për të parandaluar një konflikt si ai i viteve ‘90 në rajon”, u shpreh Berisha. Sipas tij, arsye tjetër është se “Edvinit dhe Ditziut të tij u është thënë troç dhe në mënyrë të përsëritur se deri tani janë jo dy vende, pra Franca dhe Gjermania, siç i tha në konferencë shtypi gazetarja e ‘Financial Times’ në Strasburg zonjës Mogherini, por katër vende të Bashkimit Evropian kundër ose hezituese për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, nënvizoi ish-kryeministri. Opozita shprehet se këto vende janë kundër, jo se nuk i duan shqiptarët apo Shqipërinë, por ato nuk mund të pajtohen me narkoqeverinë e Edvin Kristaq Ramës. “Pikërisht për të mbuluar llumin ku Edvini e ka zhytur Shqipërinë, i bindur se rekomandimi i vitit 2018 mund të ketë të njëjtin fat me atë të vitit 2016, llum-kazani shpërtheu vetë dhe me të gjithë puthadorët, horrat dhe prostitutat e tij politike ndaj deputetëve dhe personaliteteve të këtyre vendeve, njëlloj si dikur babai i tij shpirtëror Enver Hoxha ndaj agjentëve imperialistë, duke dëshmuar kështu fytyrën e tij të vërtet prej një halabaku politik dhe dëmtuar rëndë interesat e Shqipërisë”, nënvizoi Berisha.

Rama, Bashës për deputetin gjerman


“Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote (Basha) bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë! Unë dhe Partia Socialiste, jo vetëm s’jemi marrë me asnjë lloj shkrimi për mikun tënd gjerman, po s’jemi marrë asnjëherë as me vetë jetën tënde personale a me familjarët e tu, siç ti dhe partia jote keni bërë e bëni pa pushim me zë e me figurë, me jetën time personale, me familjarët e mi dhe me jetën e familjarët e plot kolegëve të tjerë. Një fjalë e mençur e një dijetari të famshëm gjerman thotë, se kush të akuzon për çka nuk ke bërë, ose e ka bërë ose është në gjendje ta bëjë vetë atë për të cilën të akuzon! Mbase zoti Krischbaum nuk e ka të mundur ta bëjë dallimin e qartë mes nesh, sepse ai është miku yt e jo imi dhe nuk e ka as kohën, ndoshta as dëshirën, të thellohet në verifikimin e gënjeshtrave të tua të mëdha për mua e për qeverinë time. Por shqiptarët e kanë shumë të qartë këtë dallim dhe prandaj besueshmëria jote në sytë e tyre vetëm bie dhe udhëheqja jote vetëm thellon humbjet e partisë që ti drejton, në rrugën e saj pa lavdi e as shpresë, nga humbja në humbje”.
Çfarë deklaroi Krichbaum


“Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste. Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Evropës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marrë këtë vendim, si për shembull raportin e “Transparency International”, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne, si grup parlamentar i CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm, nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit”. 
Sigal