Opozita braktis Parlamentin, nuk i pranohet kërkesa që Tahiri të nxirrej jashtë

498
Ish-ministri rikthehet në Kuvend dhe jep mesazhe për ata që duan ta ndalojnë
Pas gjashtë muajsh mungesë, Saimir Tahiri u shfaq dje në Kuvend. Ndërsa deputetë të PS-së iu afruan për ta takuar, një gjë të tillë e ka bërë edhe një opozitar. Mes përshëndetjeve të përzemërta të kolegëve të tij, si Lindita Nikollës, Mirela Kumbaros, apo Mimi Kodhelit, ra në sy edhe përshendetja e ish-ministrit të LSI-së, Lefter Koka.
Kur Koka i është afruar Tahirit, i ka dhënë dorën dhe ka shkëmbyer dy fjalë me të.
PD braktis seancën, Berisha: Të nxirret Tahiri jashtë Parlamentit, merrni Habilajt e Balilajt
Deputetët e PD-së në seancën e djeshme parlamentare, kërkuan nga kryetari i Parlamentit që të nxirrte nga salla ish-ministrin Tahiri, i akuzuar për bashkëpunim me trafikantët e Hashashit. I pari e kërkoi fjalën ish-kryeministri Berisha. Mirëpo, kryetari i Parlamentit Ruçi nuk e miratoi këtë kërkesë, ndaj edhe deputetët e PD-së dhe LSI-së e braktisën seancën plenare të kësaj së enjteje. Duke folur nga jashtë parlamentit, Berisha tha se socialistët penguan disa vite më parë statusin e vendit kandidat duke mos votuar tre ligjet. “Të nxirret Tahiri jashtë Parlamentit, dhe të sillen këtu Habilajt e Balilajt. Se këtë bënë sot, Rama futi Tahirin në Parlament për kremtimin e rekomandimit. Ky paranojak halucinant, mendon se ky proces, të cilin e shtyu në mënyrën më të pamerituar për shqiptarët, është vepër e tij. Në fakt shtyrja dhe pasiguria janë veprat e tij. Rekomandimi për hapjen e negociatave, nis me firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me firmosjen e kërkesës dhe pranimin e Shqipërisë në rrugën e vendit anëtar të BE, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me heqjen e vizave, me rekomandimin e KE në 2012-2013, që e bllokoi. Në të gjitha këto ngjarje, Rama ka qenë kategorik kundër. Ka futur bilbilat në Parlament për ta bllokuar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ka lëshuar deklaratat më të pafytyra, kur dorëzova kërkesën për Shqipërinë vend anëtar të BE dhe u firmos me një ceremoni solemne në Pragë. Ka protestuar me portrete të Enver Hoxhës, kur ne morëm anëtarësimin në NATO. Ka dërguar dhjetëra emaile dhe ka bërë ture me sloganin ‘hap kutitë, që të çlirojmë vizat’. Shtyu statusin me tre ligjet. Dua t’u them shqiptarëve, se të gjithë ata që lexojnë këtë raport, shohin se është si i vitit 2016, kur u rekomandua. Unë uroj që vendet anëtare t’ia japin negociata Shqipërisë. Por nëse ka një armik të vërtetë, ai është Rama, i cili në momentin kur i dorëzohet dokumenti nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, me gjuhë rrugaçi ordiner u dërgon mesazhe parlamentarëve, të cilët, ç’është e vërteta, me argumentet dhe qëndrimet e tyre kanë një rol përcaktues për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në një kohë që fut Saimir Tahirin për të kremtuar në Parlament pas betejës që bëri dje, e morët vesh ju takimi me Gaz Demin, dhe mesazhet shkonin direkt në takimin me Mogherinin. Çfarë i thoshte Saja atij. Dhe prandaj doli tha “mua kryegjykatësit nuk më ka ardhur asgjë nga prokuroria për Sajen”. Domethënë është i pastër. Edhe i çonte mesazhe prej rrugaçi parlamentarëve gjermanë në mënyrën më të pafytyrë, të cilët janë shtylla të Bundestagut dhe njerëz me një seriozitet të padiskutueshëm dhe dashamirësi të madhe për Shqipërinë. Rama me këto shfazime, me këto qëndrime, kërcënon në mënyrë shumë serioze hapjen e negociatave këtë vit”, u shpreh Berisha.
Berisha ngacmon Tahirin: Dje e kërcënove Ramën, ish-ministri: O Sali, sa paske rrjedhur!
Teksa dilte nga seanca, Berisha ka hyrë live në ‘Facebook’, ndërsa ka regjistruar edhe bisedën që ka bërë me Tahirin. Berisha nuk i kreu ironitë dhe akuzat për Tahirin, ndërsa i tha disa herë, se po festonte me Habiljat. Po ashtu ai tha, se dje Tahiri kishte takuar Gaz Demin dhe Dash Pezën. Ndërkohë, që Tahiri i përgjigjej pareshtur dhe me humor Berishës se sa shumë ky i fundit kishte rrjedhur.
REPLIKA BERISHA – TAHIRI NË KUVEND
Berisha: Ku është ai? Ja..
Tahiri-Berishës: Sa ke rrjedhur mo, sa ke rrjedhur
Berisha: Po feston me Habiljat
Tahiri: Po si je çmendur kështu more, si je çmend? !
Berisha: Po festoni me Habilajt, ja pra
Tahiri: Po si je çmendur kështu?!
Berisha: U fut çifyti. E di ça i bëri Edi Ramës dje apo jo; ‘Po nuk fole t’i nxora dosjen’. Ja ku e keni. Dëshmi e tempullit të kryeministrit tuaj.
Tahiri: O Sali pse je çmendur kështu?!
Berisha: Ja ku e keni. Dje ishte me Gaz Demin Fadil. Pyete se për çfarë i tha Gazit ky dhe Dash Pezës.
Tahiri: Pse je çmendur kështu?!
Berisha: Po, po (Qesh dhe ikën).
Ironia e Berishës: Një selam nga Saimir Habili për Edvin Xibrakën!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë në faqen e tij të “Facebook”-ut një video, ku shihet Saimir Tahiri gjatë komunikimit të tij dje me gazetarët si dhe një kthim pas në kohë ku kryeministri Edi Rama bënte një deklaratë të ngjashme si ish-ministri. Me ironi Berisha shkruan; “Një selam nga Saimir Habili për Edvin Xibrakën! Sb”, duke nënkuptuar kështu se ky ishte një mesazh i koduar për Ramën.
Saimir Tahiri: Nuk do ketë bir nëne dhe bir kurve që të më ndalojë të bëj drejtësi
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri thyen akullin dhe bën deklarata politike, madje edhe ka provokuar rëndë me fjalorin. Teksa ironizon Sali Berishën, se ky i fundit e filmoi gjatë kohës që po dilte nga Kuvendi, madje i kujtoi edhe grupin famëkeq të drogës ‘Habilajt’ Tahiri flet edhe për hetimet ndaj tij. I sigurt se do të bëjë drejtësi dhe do të zbardhë të vërtetën, Tahiri thoshte troç: “Kur të kem diçka për të thënë do vij. Për mua ishte ditë e lumtur që më filmoi Saliu. Kam motiv ta mirëkuptoj njeriun që fshiu filmimet në 21 janar dhe në kryeministri, dhe më filmoi mua. Nuk fola se nuk ishte opozita. As më mbron njeri dhe as dua njeri të më mbrojë. Unë…për mua ka vlerë vërteta dhe askush që nuk mund të.. ose ta them ndryshe, që të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. S’e besoj se do ketë bir nëne dhe bir kurve që të më ndalojë për të bërë drejtësi.
Saimir Tahiri: Kur gjyqin ta bën djalli…
Kur gjyqin moral ta bën djalli…kështu quhet ajo që dëgjoj çdo ditë nga goja e kujt ka qeverisur 25 vjet duke vrarë e duke vjedhur për pushtet. Pas thuajse 6 muajsh, shkova në Parlament. Kush e ka marrë heshtjen time për dorëzim, është gabuar. Është vetëm respekt për drejtësinë. Këtë rrugë do ndjek me durim. Ndërsa me këtë historinë e mesazheve të koduara që lëshokam unë, bjerini shkurt. As më duhet t’i çoj mesazh njeriu. Dhe po të kem, jam nga ata që i bën drejtpërdrejtë. Më intereson vetëm e vërteta dhe drejtësia, askush e asgjë tjetër. E nuk do ndalem! Kur gjyqin ta bën djalli…Ky qe fshiu kamerat e Kryeministrisë në 21 Janar e nuk u dënua, sot më filmonte mua.
Sigal