Opozita braktis Kuvendin: Mazhoranca voton ministrat e rinj, por PD-LSI nuk iu jepet fjala. Basha: Do nisim protestat mbarëpopullore

534
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita braktis parlamentin, priten protestat masive në rrugë

Mazhoranca voton në Kuvend ministrat e rinj, por nuk u jepet fjala deputetëve të opozitës

Dje, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur nga kryeministri Rama për të dekretuar ministrat e rinj, opozita mori pjesë, duke depozituar emrat e të gjithë grupit për të diskutuar për situatën aktuale, pasi grupet parlamentare të PD dhe LSI kërkuan që seanca e sotme e jashtëzakonshme të shoqërohej me diskutime. Kërkesa e opozitës nuk u pranua nga kryetari i Kuvendit Ruçi dhe ky refuzim tensionoi sallën, ku deputetët e opozitës u larguan përfundimisht . Ish-kryeministri Sali Berisha bllokoi foltoren dhe foli pa mikrofonin hapur. Dekretet për emërimin e ministrave të rinj kanë marrë 77 vota.

Reagimet

Edmond Spaho kryetar i Grupit Parlamentar të PD: Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit por që shqyrtimi i dekreteve të Presidentit për ministrat të bëhet me debat. Kemi depozituar emrat për diskutime. Petrit Vasili, kryetar i Grupit Parlamentar të LSI: Po prisnim të njoftonit listën e diskutantëve sipas rregullores. Në përmbushje dhe të procedurave kërkoj dhe dua të di arsyet se përse nuk u njoftua nga ana juaj në përputhje me rregulloren për këtë pikë.

Basha: Nisim protestat mbarëpopullore

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër pas mbledhjes me aleatët dhe krah për krah me Monika Kryemadhin, Petrit Vasilin, Mesila Dodën, Edi Palokën, Nard Ndokën, Fatmir Mediun, Dashamir Shehin, Basha tha se opozita do bëjë gjithçka për të rrëzuar Edi Ramën: Gjatë gjithë kësaj kohe opozitës i është kërkuar të jetë në parlament. Sot e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota e pa se si në parlament Edi Rama i hoqi opozitës dhe të drejtën më elementare kushtetuese, të drejtën për të folur. Vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit dhe diktaturës. Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është vendi. Prandaj në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Taulant Balla, zbardh që tani vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emërimin e Cakës si ministër i Jashtëm

Gjykata Kushtetuese ka vetëm 1 anëtar dhe askush nuk e di se kur do të rindërtohet, mirëpo Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, dje zbardhi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me animimin që ka bërë kryeministri Rama për mosdekretimin nga Presidenti i Shqipërisë të Genti Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm. Taulant Balla, dje deklaroi se Cakaj do të jetë së shpejti në kabinetin e qeverisë, sepse Gjykata Kushtetuese do të vendosë që presidenti ka bërë shkelje kushtetuese. Pyetja që lind është: Ku e di kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, kur pohon publikisht me solemnitet se Gjykata Kushtetuese ( kur të rindërtohet) do të vendosë për emërimin e Cakaj si ministër i Jashtëm? Mos vallë e kanë shkruar që tani vendimin Parlamenti, qeveria dhe Gjykata Kushtetuese, thjesht do të lexojë çfarë t’i diktojnë?

MINISTRAT E RINJ

Elva Margariti, Ministre e Kulturës

Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Besa Shahini, ministre e Arsimit Sportit dhe Rinisë

Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Bledi Çuçi, ministër i Bujqësisë

Erion Braçe, zëvendës kryeministër

Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me Kuvendin