Opozita bojkoton Kuvendin, mazhoranca ngutet të votojë projektin e paracaktuar të 6 kullave

546
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca kërkon në mënyrë ligjore, të zbatohet projekti i paracaktuar për ndërtimin e kullave

Opozita e bojkoton sërish, por sot Parlamenti do të diskutojë sërish projektligjin për “Teatrin Kombëtar”, të amenduar

Pardje Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese miratoi vetëm me votat e mazhorancës, dekretin e Presidentit Meta për rishqyrtim të projektligjit që prish Teatrin Kombëtar dhe lejon ndërtimin e disa kullave në qendër të Tiranës. Opozita në atë diskutim këmbënguli që ligji ka rënë, mazhoranca nuk mund të amendojë këtë ligj, por duhet të hartojë një ligj të ri. Mazhoranca, argumentoi, se amendoi vetëm ato pjesë të projektligjit, ku Presidenti Meta argumentonte se shkeleshin disa ligje dhe Kushtetuta dhe e risjell sot në seancë plenare për ta diskutuar të njëjtin projektligj, me shtesa dhe korrigjime me amendamente. Qëllimi i mazhorancës është të përshpejtojë procedurat e prishjes së Teatrit Kombëtar, duke pretenduar se amendamentet e shtuara në projektligj, do të mundësojnë hapjen e garës.

Kuvendi mbledh këshillin e legjislacionit me 26 shtator

Kuvendi ka vendosur të mbledhë në datën 26 shtator në orën 12:00 Këshillin e Legjislacionit, për të diskutuar mbi nismën e PD në lidhje me vettingun e politikanëve. Grupi parlamentar i PD i kërkoi zyrtarisht kryeparlamentarit që Këshillin ta mbledhë ditën e premte, por ky i fundit ka vendosur për të mërkurën e javës së ardhshme.

Rama, Ruçi, Veliaj në Kuvend për çështjen e Teatrit

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, u mblodhën dje në një takim në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar mbi ndryshimet ligjore për Teatrin Kombëtar. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe relatori i ligjit për teatrin Ilir Beqja, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, Ali Bizhga.

Prapaskenat e mazhorancës për garë të hapur, apo me fitues të paracaktuar?

Mazhoranca ngutet për të shembur Teatrin Kombëtar, duke nisur me urgjencë punën për ligjin e ri dhe duke shfrytëzuar procedurën e miratimit të dekretit të Metës. Në këtë fazë, sipas pikës 2 të nenit 86 të rregullores së Kuvendit, për dekretin e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligji, komisioni do të duhet të shqyrtonte dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Meta. “Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit.”, thuhet në të. Tani që Teatrin Kombëtar nuk arritën dot ta shembnin siç parashikonin me projektligjin e vjetër për shkak të shkeljes së Kushtetutës, protestave të pandalshme, kthimit që u bëri Presidenti dhe pengesave që ju vuri KE-ja, mazhoranca përpiqet të mbarojë me një nismë të re ligjore. Pra me pak fjalë, një projektligj të ri për teatrin, që në thelb është ligji i parë me disa ndryshime të papërfillshme. Në qarkullim kanë dalë ato që socialistët po i artikulojnë si amendime të dekretit të Metës. Por çfarë fshihet pas tyre?

Nismë e re ligjore, jo amendim i dekretit të Presidentit

Thënë haptazi: Ato që po paraqiten për publikun si amendime të dekretit të Presidentit, në të vërtetë janë një nismë e re ligjore, sepse miratimi i dekretit të Metës, automatikisht do të bënte nul projektligjin dhe një ligj që nuk është në fuqi nuk mund të amendohet (ndryshohet) pasi nuk ekziston. Me gjasë socialistët duan të barazojnë “amendimin” me raportin që do të duhet si rregull të paraqitnin pas miratimit të dekretit të Metës. Projekt-ligji i ri i Ramës është në fakt një ndryshim i atij ekzistues, siç e tregojnë edhe shënimet e socialistëve në komision, të cilët kanë hedhur në letër krahasimet e variantit A, të cilin Meta e hodhi poshtë dhe variantit B, të cilin mendojnë se është më i mirë. Pra, ndryshimet e projektit “Rama 1” me projektin “Rama 2”. Nga shqyrtimi i detajuar i tabelës së komisionit rezulton se projekti “Rama 2” është copy-paste i projektit “Rama 1”, me ndonjë ndryshim të papërfillshëm tek-tuk, si shënimi “palë private e përzgjedhur”, në vend të “palë private” për “Fusha” sh.p.k, por sigurisht që teatrin do ta shembë dhe do ta ndërtojë një palë private. Apo ndonjë ndryshim i tipit t’i shtojmë emërtimit të ligjit edhe fjalën “vlerësim”. Nëse nisma e re ligjore do të votohet në kundërshtim me procesin ligjor të votimit të projektligjeve (komision nga e para, seancë, dërgim te presidenti, dekret etj etj) apo do të kalojë ditën e sotme në seancën plenare nën emrin “votimi i miratimit të dekretit të Metës, me ca ndryshime” do të sjellë shembjen e teatrit, kësaj radhe shpejt e shpejt.

Opozita letër Ruçit: Mirato dekretin, jo amendimet e ligjit

Opozita e bashkuar i kërkon kryetarit të Kuvendit të mos përfshijë në seancën e së enjtes ligjin për teatrin. Në një letër të përbashkët që dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili i kanë dërguar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi thuhet se “miratimi ‘pro’ i Dekretit të Presidentit, sjell automatikisht rrëzimin në tërësi të ligjit.” Spaho dhe Vasili vënë në dukje se, në kushtet kur Komisioni përgjegjës pranoi dekretin, i vetmi veprim që duhet të kryejë Kuvendi në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren është votimi pro i dekretit dhe kthimi i ligjit mbrapsht në qeveri. “Kuvendi nuk mund të rimiratojë të njëjtin ligj me përmbajtje të ndryshuar në vetëm pak dispozita të tij dhe vetëm për një element. Votimi Pro dekretit të Presidentit të Republikës në këtë rast pamundëson prezantimin e çdo ndryshimi të mundshëm në ligj, për shkak se ligji është rrëzuar në tërësinë e tij. “- thuhet në letrën e opozitës. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, opozita kërkon gjithashtu ndërprerjen e çdo procedure legjislative për ligje/projektligje, për të cilat janë ngritur pikëpyetje mbi kushtetuetshmërinë e tyre. Edhe pas ndryshimeve të paraqitura nga PS, ditën e djeshme në Komision, opozita shprehet se ky ligj i paprecedentë është një akt korruptiv dhe kriminal, që asgjëson Kushtetutën dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike.