Opozita bën kallëzim penal për rrëzimin e dekretit të presidentit Meta

463
Sigal

PD dhe LSI depozitojnë kallëzim penal pranë prokurorisë së Tiranës lidhur me rrëzimin e dekretit të presidentit Meta, i cili kthente ne Kuvend ligjin “për tatimin mbi të ardhurat”. Sipas kallëzimit penal rrëzimi i dekretit është bërë pa kaluar 12 orë nga administrimi në kuvend dhe opozita e cilëson një akt të paprecedentë. “Nuk ka ndodhur asnjëherë që dekreti i kreut të shtetit as të mos studiohet për sa i takon arsyes së kthimit të tij. Ky akt i mazhorancës është një veprim i pashembullt paligjshmërie dhe arrogance që tregon degradimin e Kuvendit deri në atë nivel sa pamundëson bashkëjetesën parlamentare, e cila në vetvete është vepra më e rëndë penale që mund të konsumojë deputeti gjatë ushtrimit të mandatit të përfaqësimit që i ka dhënë populli. Dekreti i presidentit të Republikës i datës 20 dhjetor, nuk mund të miratohej në seancë plenare të po të njëjtës ditë, për shkak se rregullorja e Kuvendit e ndalon këtë. Duke përfshirë për diskutim dhe miratim dekretin e presidentit nr 11015, datë 20 dhjetor 2018 në seancë plenare të datës 20 dhjetor mazhoranca parlamentare i ka mohuar të drejtën kushtetuese deputetëve të opozitës që të njihen me dekretin e presidentit dhe përmbajtjen e arsyetimit që e shoqëron atë.” shkruhet në kallëzimin penal. Opozita thotë se me këtë veprim janë konsumuar “Elemente të Shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.