“Opozita akoma nuk e di përmbajtjen e marrëveshjes detare me Greqinë”

500
Sigal

INTERVISTA/ Qemal Minxhozi, deputeti i PS-së: “Është gjest pozitiv ardhja e ministrit të Jashtëm të Serbisë në Tiranë”

“Kjo maxhorancë vuan nga moszbatimi i ligjit”

Qemal Minxhozi, anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit, në intervistën për “Telegraf” pohon që ardhja në Tiranë e ministrit të Jashtëm serb është një gjest pozitiv, mirëpo, faktit që u anashkalua takimi me Kryetarin e opozitës, qoftë nga ministri serb, por edhe nga kryeministri bullgar, zoti Minxhozi, përgjegjësinë ia hedh qeverisë, e cila përgatit axhendën e takimeve. Zoti Minxhozi, për herë të parë pranon se opozita edhe sot nuk e ka dije për përmbajtjen e marrëveshjes detare që qeveria Berisha nënshkroi me qeverinë greke.

– Zoti Minxhozi, a nuk përcillet një mesazh shpërfilljeje ndaj Kryetarit të opozitës, që personalitetet e larta, sikurse Kryeministri i Bullgarisë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, nuk takohen me atë, edhe pse vizitojnë Tiranën?

– Unë, në radhë të parë do të vlerësoja si një gjest pozitiv ardhjen e ministrit të Jashtëm të Serbisë në Shqipëri. Sepse kemi patur shumë vizita të personaliteteve tona të larta në Serbi dhe pas shumë vitesh , Serbia solli ministrin e Jashtëm në Tiranë, ndaj kjo duhet parë si diçka pozitive. Kjo vizitë ka të bëjë me rajonin e zhvillimet e saj politike. Është një gjest që duhet përshëndetur.

– Kjo fshehtësi e axhendës, është vetëm për opinionin publik, apo edhe për opozitën?

– Kjo fshehtësi nuk tingëllon mirë dhe nuk është në praktikën diplomatike të të gjitha vendeve europiane. Nga ana tjetër, deklarata e ministrit të Jashtëm, zotit Panariti duhet të ishte më e gjerë, sepse ministri i jashtëm ka bërë takime me komunitet serb, që është e natyrshme që do ta bëjë, nuk e di, si janë trajtuar, jo thjesht çështja e Kosovës, që është një pikë kyçe, por edhe e problemet e shqiptarëve që jetojnë në  Serbi, në Bujanovskë, në Preshevë e gjetkë. Nuk e di se çfarë probleme kanë diskutuar me ministrin e Jashtëm serb për problemet që ekzistojnë atje, sepse  opinioni publik është shumë i interesuar të dijë se cilat janë qëndrimet e qeverisë serbe ndaj shqiptarëve që jetojnë në ato treva që përmenda. Pastaj, në deklaratën e ministrit Panariti të ishte folur më  qartë për problemet e Kosovës. Presioni politik ndaj Serbisë, në këto momente, duhet të ishte edhe më i madh. Dhe pala shqiptare duhet të ishte e përgatitur për këtë.

– Qeveria dhe ministria e Jashtme e kanë informuar opozitën për brendinë e bisedimeve që kanë bërë?

–  Ne, shumë shpejt në Parlament, do të ftojmë ministrin e Jashtëm.

– Deri tani, a ju kanë informuar?

– Jo, nuk na kanë informuar, prandaj, do të kërkojmë nga ministri i Jashtëm hollësira për këtë vizitë të ministrit të Jashtëm serb dhe çfarë u arrit nga kjo vizitë në Tiranë.

– Nuk thatë, përse u anashkalua takimi me Kryetarin e Opozitës nga ministri i Jashtëm serb?

– Kjo është fakultative, do të thoja unë. Ministri i Jashtëm që viziton Tiranën, edhe mund ta takojë, ose jo, por unë them se do të ishte një domosdoshmëri që ministri i Jashtëm serb ta kishte takuar Kryetarin e opozitës. Në praktikën e diplomacisë ndërkombëtare, këto takime janë të domosdoshme të bëhen.

– Përse PS-ja, deri tani, nuk ka thënë asnjë fjalë për vizitën e ministrit të Jashtëm serb, parë në kontekst edhe të zhvillimeve  të fundit politike midis Shqipërisë – Serbisë –  Kosovës?

– Çështja është se ne, akoma nuk kemi informacionin e duhur. Vetëm kur të kemi shpjegimet e duhura, ne do të dalim publikisht.

– A është në normalitetet diplomatike që personalitetet e larta të shteteve të vizitojnë Shqipërinë, e të bëjnë bisedime për marrëveshje të qëndrueshme, duke biseduar vetëm me qeverinë, e cila ka mandat të shkurtër nga zgjedhjet e ardhshme e të mos bisedojnë fare me opozitën?

– Do të ishte në nderin e Kryeministrit bullgar që të kërkonte një takim me liderin e opozitës, por nga ana tjetër, kur hartohet protokolli i vizitave, është  qeveria që afron një draft, i cili respektohet nga vizitorët. Unë mendoj, që të paktën, me kryeministrin bullgar, duhet të ishte bërë një takim me liderin e opozitës.

– Ajo që bie në sy, është se Kryetari i opozitës, pak u referohet zhvillimeve të Rajonit. Kjo, a nuk do të ketë ndikim nëse nesër, do të jetë në pushtet?

– Me këtë nuk pajtohem, sepse Kryetari i opozitës është aktiv me problemet e Rajonit. Kryetari i opozitës ka zhvilluar vizita e takime, me përjashtim të Serbisë, në të gjitha vendet e Rajonit. Por, duhet të kemi parasysh diçka. Që rolin e parë në zhvillimin politik në Rajon e ka partia që është në pushtet.

– Cili është vizioni i Kryetarit të opozitës për politikën në Rajon? Pak përmendet kjo në fjalët e tij.

– Vizioni i Kryetarit të opozitës për politikën e Rajonit është mjaft i qartë, e ka shprehur disa herë dhe është në përputhje me mendimet e sugjerimet dhe me qëndrimet e Brukselit.

– Vizitën e ministrit Panariti në Athinë, ato, që të paktën, u publikuan, për rinegociata për marrëveshjen Detare, ju si i vlerësoni?

– Është një hap përpara, do të thoja.

– Në çfarë kuptimi?

– Që u prek një çështje dhe nga sa kam lexuar edhe nga shtypi, edhe deklarata e zotit Panariti, që marrëveshja Detare do të dojë një apo dy mandate qeverie të tjera që të realizohet, tregon që është shumë e rëndësishme.

– Faleminderit!