Operacioni për ish-zyrtarët e policisë, ministri Xhafaj: Nuk ishin nën vëzhgimin tonë

506
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë për operacionin për ish-zyrtarët e lartë të policisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arreste për disa ish-shefa të policisë, por dekonspirimi i operacionit të Policisë ka bërë që tre prej tyre të largohen jashtë vendit.
Ministri Xhafaj tha se operacioni sapo ka nisur, dhe shumë shpejt do të shihen edhe rezultatet.
“Nuk ishin nën vëzhgimin tonë. Policia nuk ka pasur dijeni, nuk ishte në dorën tonë. SHÇBA i mori faktet në 22 nëntor nga Prokuroria. Në Shqipëri ka shumë grupe kriminale”.
Në përgjigje të akuzave se operacioni është dekonspiruar nga policia, ministri Xhafaj tha se duhet të pyetet Prokuroria që të japë përgjigje se me kë institucion i ka ndjekur ata.
“Nuk kemi pasur dijeni. Tre ish-punonjësit e policisë nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia. Duhet të pyesni Prokurorinë se me kë i ka pasur në vëzhgim, jo me policinë. Nuk kam emra konkretë për dekonspirimin. Të arrestohen ata që kërkohen”, tha ministri Xhafaj.
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kryer një kallëzim penal në Prokurori në lidhje me dekonspirimin e operacionit për kapjen e 3 ish-zyrtarëve të policisë të dyshuar si të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike.
Sigal