Operacion antikanabis/Kapet një skaf me 533.5 kg kanabis dhe dy shtetas italianë në bord, u nis nga Kepi i Rodonit


Gazeta Telegraf/ Një skaf me 533.5 kilogramë kanabis sativa dhe dy shtetas italianë në bord, i cili lëvizte  nga Kepi i Rodonit u kap në ujërat e territorit italian. Ky operacion antitrafik u realizua nga Policia e Shtetit dhe Guarda di Finanza italiane mbërëmjen e djeshm 1 tetor.


Policia sqaron se “rreth orës 12.50, Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare në Durrës, ka  njoftuar për një mjet që lëvizte me shpejtësi nga perëndimi në drejtim të Kepit të Rodonit. Menjëherë u vunë në lëvizje mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të Guardia di Finanza dhe u njoftua Interforca. Ndjekja  nga Policia Kufitare dhe Duarda Di Finanza vazhdoi deri në ujërat ndërkombëtarë.


Në këtë kohë mjetet aeronautike dhe detare italiane të Guardia Di Finanza hynë në veprim dhe rreth orës 19.00 në momentin e hyrjes në ujërat italiane  u identifikua dhe ndalua  mjeti i lundrimit  me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë. Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë A.M, 38 vjeç dhe A.C, 60 vjeç, te dy  nga Brindisi”.


Guarda di Finanza  ndaloi dy skafistët  dhe sekuestroi ngarkesën me Cannabis Sattiva.

GdF italiane ka vlerësuar Policinë e Shtetit/Policinë Kufitare dhe QNOD për shkëmbimin në kohë të informacionit dhe bashkërendimin e operacionit që çoi në identifikimin e mjetit, kapjen e autorëve dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.