Olldashi: “Qeverisja e PD-së ka ndërtuar 273 akse kombëtare me 2237 kilometra”

498
Sigal

Reagim i MPPT-së ndaj deklaratës së djeshme të Ramës për rrugët

Dje, kryetari i PS-së, edhe pse paraqiti programin e PS-së për trashëgiminë kulturore, nuk harroi t’u referohej gjendjes të rrugëve, duke cituar se “Të kesh si aspiratë ndërtimin e rrugëve, do thotë ta udhëheqësh popullin tënd drejt qorrsokakut”. Ky qëndrim politik, solli edhe reagimin e  menjëhershëm të MPPT-së, dhe të vetë ministrit Sokol Olldashi, i cili duke e ironizuar Kryetarin e PS-së, Edi Rama, duke i thënë, se “ai tregoi se nuk kupton asgjë për rëndësinë e tyre.” Dhe se, “deklarata e Ramës është thjesht e çmendur”. Pastaj, më poshtë, ministri Olldashi i kujton arritjet e qeverisjes të PD-së në ndërtimin e rrugëve. “Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar 273 akse kombëtare me 2237 kilometra. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar 306 akse sekondare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 1476 kilometra. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar mbi 6500 kilometra rrugë rurale”. Ja reagimi i plotë i MPPT-së dhe i ministrit Sokol Olldashi. “Sot, ndërkohë që, foli për programin socialist për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, Edi Rama bëri edhe disa deklarata të marra për rrugët. Edi Rama tha:  “Të kesh si aspiratë ndërtimin e rrugëve, do thotë ta udhëheqësh popullin tënd drejt qorrsokakut. Për ne duhet kthyer plotësisht krahu ku ne duhet të kërkojmë rrugën e zhvillimit” . Nëse nuk ka ngatërruar dorën në të cilën shënon tezat e tij, deklarata e Ramës është thjesht e çmendur. Edi Rama gjithnjë sulmon ndërtimin e rrugëve. Por këtë radhë ai tregoi se nuk kupton asgjë për rëndësinë e tyre. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar 273 akse kombëtare me 2237 kilometra. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar 306 akse sekondare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 1476 kilometra. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar mbi 6500 kilometra rrugë rurale, nga Fondi i Zhvillimit te Rajoneve dhe nga fondet që qeveria i ka akorduar bashkive dhe komunave të vendit. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike janë ndërtuar më shumë se 10 mijë kilometra rrugë. Në këtë mënyrë, ne kemi lidhur fshatrat me qendrat e komunave, qendrat e komunave me akset kombëtare. Kemi lidhur qytetet e Shqipërisë me njeri tjetrin, kemi lidhur vendin me Europën. Kemi bashkuar shqiptarët.  Edi Rama që, për 11 vite, e la Tiranën me 250 kilometra rruge dhe rrugica të pashtruara, sepse shtroi rrugë më pak, sesa Komuna e Xhafzotajt, thotë që “nuk do t’i kushtojnë vëmendje rrugëve, por trashëgimisë kulturore”.  Kjo tregon se Rama nuk e ka kuptuar që elementi kryesor i zhvillimit të një vendi janë pikërisht rrugët, damarët në të cilët qarkullon gjaku dhe plazma e ekonomisë, njerëzit dhe zhvillimi.