Olldashi: PD-ja është alternativa e zhvillimit dhe integrimit të vendit

526
Sigal

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, në mitingun e Patosit,  tha se, alternativa e Partisë Demokratike është alternativa për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Olldashi tha se, “Partia Demokratike po e çon Shqipërinë përpara. “Kemi ndërtuar qendra shëndetësore, shkolla dhe rrugë, pasi ne e duam Shqipërinë të zhvilluar dhe integruar. Ne kemi investuar kudo, pasi duam që Shqipëria të ecë përpara”, theksoi Olldashi. Më tej, ministri Olldashi foli për opozitën, duke e cilësuar modelin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, një model të dështuar. “Shqiptarët e kanë parë, kur ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe rriti taksat për qytetarët dhe bizneset,- tha Olldashi. “Patosi do të votojë kundër Edi Ramës, pasi nuk do ia falë protestat që ai bëri kundër NATO-s dhe liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Patosi do të votoje kundër Edi Ramës, pasi nuk do të pranojë shtetëzimet si në kohën e komunizmit”, tha Olldashi. Gjithashtu, ministri Olldashi preu edhe shiritin e fillimit të punimeve në rrugën Kthesa e Patosit -Roskovec, me gjatësi 10.6 km dhe me vlerë 468 milionë lekë, ku në  këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha.

BERISHA: “NUK MUND T’I VARËSH UJKUT MËLÇITË NË QAFË”

PD-ja u ndal dje në Delvinë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha ironizoi angazhimin e socialistëve për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke akuzuar kandidatin e Koço Kokëdhima për zaptimin e tokave në Himarë. “T’i japësh Koços në dorë pronat është njëlloj si të varësh mëlçitë e qengjit në qafën e ujkut. Shoku i autobusit mavi tregoju qytetarëve, cili qeveritar ka një pronë në bregdet, cili? Thuaja qytetarëve dhe mos mashtro. Cili zyrtar i lartë ka një pronë në bregdet që fle lart e poshtë nëpër mitingje. Shoku i autobusit mavi, gënjeshtra është dobësia më e madhe e burrit. Mungesa e plotë e karakterit për burrin. I nderuar shoku mavi, ka një njeri që rri në krahun tënd dhe që ka zaptuar Himarën me gradaçela, që i ka zënë detin dhe ky është Koço Kokëdhima”,- deklaroi Kryeministri. Sikurse ka bërë në çdo takim elektoral, Kryeministri Berisha sulmoi programin e PS-së, për taksën progresive dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë. Sipas Kryeministrit, Rama kërkon të rrënojë fermerët për të krijuar monopole për miqtë e tij. “Dy gjëra janë të rrezikshme, zotimi i tij për të rritur një taksë dhe për të ulur një taksë tjetër. Shoku i autobusit zotohet se do të heqë taksën e të dhjetave dhe do vendosë taksën që rritet në progresion gjeometrik. Taksa e të dhjetave është taksa e të gjitha kohërave. Premton heqjen e taksës së vlerës së shtuar mbi 5 ushqimet bazë Nuk ka veprim më të papërgjegjshëm se sa të zhvlerësosh djersën e fermerëve shqiptarë. Këtë e bën vetëm e vetëm që shokët e tu të krijojnë monopolet e ushqimeve. Qeveria duhet të bëjë gjithçka që fermerët e vendit, biznesmenët e vendit të ecin, e të pasurohen gjithnjë e më shumë. Zgjidhja jonë është krejt tjetër, mbrojtje fermerëve shqiptarë.”- tha Berisha. Më tej, kryeministri kërkoi mbështetjen e banorëve të Delvinës më 23 Qershor, duke premtuar më shumë punësim, mirëqenie e integrimin e Shqipërisë në BE. “Jam i sigurt se Delvina do të jetë në kurorën e fitores së 23 Qershorit. Për shndërrimin në realitet të ëndrrës së Sulejman Delvinës”,- deklaroi kryeministri Berisha.

HALIMI RIKONFIRMON MBËSHTETJEN E ISH-KËNETËS: “DO VOTOHET KRYEMINISTRI QË IA KA KUSHTUAR PUNËN INTEGRIMIT”

Eduard Halimi ka zhvilluar takime elektorale edhe me banorët e Ishmit, Manzës, Perlatit dhe të disa lagjeve të qytetit të Durrësit.  Kryetari i grupit të punës Eduard Halimi, së bashku me kandidatin për deputet Oerd Bylykbashi janë ndalur në zonën e ish- Kënetës. Nën atmosferën entuziaste të një zone që është prej kohësh një bastion i Partisë Demokratike, ata kanë falënderuar banorët për mbështetjen e dhënë ndër vite. Gjatë fjalës së tij, Halimi ka premtuar shtrimin e të gjitha rrugëve të brendshme të zonës dhe ndërtimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme, gjë që do të behët e mundur me anë të miratimit të një ligji të ri, i cili do t’i japë kompetencën qeverisë qendrore për të kryer investime publike, kur bashkia e qytetit nuk përgjigjet për nevojat e qytetarëve. ” Ne do të ndërhyjmë me ligj për të përmbushur  çdo detyrim që kemi ndaj jush, sepse ne nuk mund të lejojmë që Vangjush Dako që e ka lënë këtë zonë për faqe të zezë dhe ai tjetri që është shofer autobusi pa patentë mos t’u përgjigjet problemeve të qytetarëve. Modeli i Dakos, është i njëjti model i Ramës në krye të bashkisë së Tiranës, por qytetarët e ndryshuan këtë model duke votëbesuar Lulëzim Bashën, i cili i shtroi rrugët e Tiranës cep më cep”,- u shpreh Halimi, i cili u premtoi qytetarëve sistemimin e këtyre zonave në dy vitet e para të mandatit të tretë. Përpara banorëve të ish Kënetës , kreu i grupit të punës për qarkun e Durrësit tha se më datën 23 Qershor, qielli do të jetë blu, ai u shpreh i sigurt për fitoren e partisë Demokratike.  “Ne do të votojmë për një kryeministër që i cilëson fëmijët shqiptarë si inteligjentë dhe jo për një kryeministër që thotë se, fëmijët shqiptarë janë injorantë. Ne do të votojmë një kryeministër që e ka renditur Shqipërinë si destinacionin e parë turistik për këtë vit. Ne do të votojmë një kryeministër që mbështet investitorët,punësimin dhe mirëqenien. Kam besimin e plotë se shqiptarët do të duan në krye të qeverisë një kryeministër i cili ka firmosur gjatë gjithë jetës së vet integrimin e Shqipërisë dhe jo një kryeministër që nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka bllokuar këtë proces.

GRISIN TESERËN E PS-SË MBI 180 ANËTARË

Kanë qenë 30 vetë nga strukturat e Partisë Socialiste dhe mbi 150 anëtarë nga Kukësi dhe zonat e tjera të Shqipërisë të cilët në mënyrë demonstrative kanë grisur teserat e Partisë Socialiste, duke kaluar tashmë si anëtarë të Partisë Demokratike. Kjo ka ndodhur gjatë një takimi, ku mori pjesë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, Asllan Dogjani, me komunitetin kuksian në Pallatin e Kulturës në Kamëz. Gjatë fjalës së tij z. Dogjani u shpreh se, z. Rama e ka kthyer Partinë Socialiste në një kompani ndërtimi. Ndaj e ardhmja për të gjithë shqiptarët është Partia Demokratike, është Sali Berisha. Ndërsa anëtarët e Partisë Socialiste janë shprehur se sot ata kanë ndërmarrë një nisëm, atë të largimit nga Partia Socialiste dhe ardhjes së tyre në gjirin e Partisë Demokratike.

JOZEFINA TOPALLI ME ISH TË PËRNDJEKURIT NË SHKODËR

Jozefina Topalli, ishte e ftuar në një takim me ish të përndjekur politik në Shkodër, ku u shfaq edhe dokumentari “Terrori komunist në Shqipëri”. Ajo tha ish të përndjekurit, ashtu si të gjithë shqiptarët në 23 Qershor do t’i japin përgjigjen e merituar neobllokmenëve duke votuar 44, Partinë Demokratike. Ajo ftoi ish të përndjekurit të bëjnë krahasimin mes Partisë që solli lirinë në 90-n dhe premtimeve që bën sot gaztori që vishet si gardian burgu: “Koalicioni i majtë iu ka premtuar se do t’u sjellë statujën e Enver Hoxhës në Tiranë, i ka premtuar edhe Kavajës se do t’i heqë simbolin e dy gishtave. Ai është simboli i fitores sonë, është simboli i daljes suaj prej burgu, i daljes suaj nga internimi. Sigurisht, as ka për të hequr simbolin e dy gishtave dhe as do guxojë të vendosë statujat e diktatorëve. Është poshtërim dhe ofendim për shtresën e të persekutuarve.”

PATOZI: JO POLITIKËS PËR INTERESA PRIVATE!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, njëkohësisht kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 23 qershorit, Astrit Patozi, u bëri thirrje të dielën në mbrëmje qytetarëve të Sarandës “t’i thonë jo alternativës që rrit taksat dhe që ndali integrimin evropian të vendit”. Në mitingun e organizuar për prezantimin e kandidatëve për deputetë në Sarandë, Astrit Patozi u tha qytetarëve se alternativa që ofron Partia Demokratike është alternativa që ofron punësim, që ofron mirëqenie dhe që integron vendin në Bashkimin Europian. Patozi tha se, Rama bëri çdo përpjekje për të mos lenë vendin të anëtarësohej në NATO, të mos liberalizoheshin vizat si dhe të mos merrnim statusin kandidat për në BE. “Rama e bëri dëmin sepse ne humbëm qindra mijëra euro investime”, deklaroi Patozi. Ne, tha ai, do t’i themi jo në 23 Qershor modelit të politikës për interesa private, jo alternativës që rrit taksën për qytetarin.