Olldashi: “Ju falënderoj të gjithëve nga zemra! Mitingu në Lushnjë ishte madhështor”

475
Sigal

Lushnja dje votoi për kandidatët e PD-së të Qarkut të Fierit. 

Dje Kryeministri Berisha prezantoi në Lushnjë kandidatët e Qarkut të Fierit, ku siç dihet, i pari në listën e kandidatëve të PD-së, është ministri Olldashi, i cili është edhe kryetari i shtabit elektoral. Ajo që ra në sy në atë miting madhështor, ishte pjesëmarrja e madhe e njerëzve, të cilët nuk ishin vetëm simpatizantë e anëtarë të PD-së, por edhe qytetarë pa parti, si edhe entuziazmi i vetë njerëzve, të cilët shprehën një besim të madh, se në 23 Qershor do të votohet për një mandat të tretë të PD-së, dhe numrin 44 në fletëvotimin e zgjedhjeve. “Me taksat dhe mundin tuaj ne kemi ndërtuar 11 mijë km rrugë. Ne kemi projektet dhe vullnetin për të asfaltuar çdo km rrugë të Shqipërisë. Kjo është Shqipëria jonë reale, Shqipëria që po ndërton një infrastrukturë nga më modernet. Partia Demokratike është e frymëzuar nga ju, vizioni dhe energjia juaj. Fitoret janë rezultat i punës, mundit dhe djersës tuaj”, -tha ndër të tjera Berisha. Ndërsa ministri Olldashi u shpreh për mitingun e PD-së në Lushnjë, si kryetari i shtabit elektoral dhe kandidati i parë i listës së PD-së: “Ju falënderoj të gjithëve nga zemra! Mitingu në Lushnjë ishte madhështor!”.

Kryeministri kërkon që Kuvendi të mblidhet të enjten, më 30 maj, në seancë të jashtëzakonshme, që të miratojë 3 ligjet

 Berisha: “Pas bllokimit, Rama,  kërkon të lajë sytë me llumin që krijoi”

 Kryeministri, Sali Berisha, i drejton një letër Kryetares së Kuvendit, ku i kërkon që të enjten, më 30 maj, të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi për të miratuar 3 ligjet , e kushtëzimit të marrjes së statusit kandidat, si edhe ligjin për amnistinë fiskale. Në letrën e vet, kryeministri këtë kërkesë e lidh me rëndësinë që kanë miratimi i 3 ligjeve për integrimin e Shqipërisë në BE. “ Kërkesën e paraqes, jo si shenjë e vullnetit tim për t’i shërbyer vendit në plotësimin e kushteve për marrjen sa më parë të statusit kandidat, por duke besuar se më në fund, opozita do të marrë përgjegjësinë që i takon, duke hequr bllokimin e statusit të vendit kandidat. Kërkoj që ajo mbledhje e Kuvendit në sesionin e jashtëzakonshëm, të thirret ditën e enjte. Më datën 320 maj, me qëllim që palët të kenë kohë për të marrë vendime në grupet e tyre parlamentare”, thotë ndër të tjera, Kryeministri në letrën që i drejton Kryetares së Kuvendit.

 Fushata elektorale e PD-së, më e suksesshmja

Kryeministri Berisha e ka cilësuar fushatën elektorale të Partisë Demokratike si më të suksesshmen gjatë këtyre viteve. Në një bashkëbisedim me gazetarët në Elbasan, Kryeministri Berisha theksoi se kjo fushatë është më madhështorja sa i përket edhe pjesëmarrjes së qytetarëve në mitingje.“PD ka këtë pranverë ka bërë fushatën në më të shkëlqyer të memories sime, por ju mund të bëni një check up dhe nuk do të gjeni dot një fushatë kaq madhështore, e cila ka befasuar shumë analistë, shumë gazetarë.  Kjo nuk është fushata më madhështore sa i përket pjesëmarrjes por është një optimizëm i madh sepse njerëzit të mbushin sheshet muaj para datës së votimit dhe kjo do të thotë që një energji e brendshme po vërshon në zemrën, mendjen e shqiptarëve”, tha Berisha.

Berisha për miratimin e 3 ligjeve

Gjithashtu, kryeministri ironizoi vendimin e kryetarit të opozitës për të votuar 3 ligjet, duke thënë se, “pas bllokimit ai kërkon të lajë sytë me llumin që krijoi”. “Sigurisht ligjet do t’i votojmë. Shmanget referendumi, janë 6 milionë euro që shpenzohen me referendum dhe PD realizon një qëllim që e ke bërë publik çdo ditë. Ligjet ishin në parlament. Rama tha nuk i votoi, nxori Fierin. Tani mori Metën, nuk flet më për Fierin. E ftoj të votojmë amnistinë, sepse nuk e bëmë dot siç duhet për shkak të bllokimit të tij, por shteti bën amnisti. Shteti ndëshkon, por shteti dhe fal. Atë ligj që ata nuk e votuan unë i dhashë mundësinë atyre që deri ditën e enjte ta votojmë. A ka logjikë, a mundet një zyrtar që të thotë se do fal gjobat nga 1 marsi e këtej. Me këtë ti fyen të gjithë”, u shpreh Berisha.

Berisha për rikonfigurimin e KQZ-së dhe apelin e SHBA-ve

I pyetur nëse maxhoranca do të votojë të enjten për rikonfigurimin e KQZ-së dhe për apelet e SHBA-së, kryeministri Berisha theksoi se ai do të zbatojë ligjet e vendit. “Detyra ime është të zbatoj ligjet e vendit tim. Shqipëria ka institucionet demokratike dhe nuk ka zëvendësim për to. Nëse marrim përsipër t’i zëvendësojmë dhe kur bëjnë gjykatësin kushtetues apo gjykatësin e lartë u them se nuk respektojnë veten e tyre. Ky është një shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të marrë atributet e një shteti sepse mënyra si funksionon qeveria është nga më transparentet.  Nuk bëhet fjalë për asnjë variant tjetër përveçse atë që përcakton ligji i vendit.  Çdo lloj interpretimi, dëshmon se është kështu dhe vetëm kështu. Duke thënë të gjitha këto unë kam respekt të palëkundur. Respektin tim unë e kam shumë real sepse ndihma e miqve ka qenë e jashtëzakonshme”,- tha Berisha.

Berisha për vizitën e Moore

I pyetur në lidhje me vizitën e nesërme të Drejtorit për Europën -Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit Jonathan Moore, Berisha u shpreh se ai është një mik real i shqiptarëve. “Moore vjen si dëshmi e vlerësimit dhe interesit për një Shqipëri që ecën drejt zhvillimit dhe drejt afrimit në Bashkimin Europian. Qeveria amerikane ka bërë gjithçka për integrimin e Shqipërisë”,- tha Berisha.