Olldashi: “Akti normativ do të zbatohet me përpikëri”

610
Sigal

Lirimi i banesave/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Shoqatës së “Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh dje, në një konferencë për shtyp, se akti normativ i kthimit të pronave do të zbatohet me përpikmëri dhe se i gjithë procesi do të mbikëqyret nga MPPT. “I garantoj pronarët se gjithë administrata e Entit Kombëtar të Banesave në çdo degë rajonale do të jetë e gatshme për të ndjekur procedurat e parashikuara nga akti normativ dhe e gjithë procedura do të mbikëqyret nga MPPT në mënyrë që tërësia e saj të jetë një sukses që do të garantojë jo vetëm zbatimin e këtij akti të rëndësishëm, por edhe që do të çojë në vend një të drejtë të mohuar”, tha Olldashi. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi padinë e Shoqatës së Qiramarrësve, Olldashi tha se akti i gjykatës ritheksoi zgjidhjen e padrejtësisë 68 -vjeçare, kundër një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist dhe tashmë po rivendoset një e drejtë bazike kushtetuese. “Doja të shprehja falënderimin për Gjykatën Kushtetuese për shpejtësinë me të cilën shqyrtoi këtë çështje nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga Shoqata e Qiramarrësve deri sot kur u bë shpallja e vendimit sepse duke qenë brenda datës 1 nëntor, kur fillon afati ligjor i aplikimit nga ana e ish-pronarëve, na jep mundësinë që akti normativ të zbatohet pa pasur komplikime procedurale”, tha ministri Olldashi. Ai ftoi të gjithë ish-pronarët që duke filluar nga dita e nesërme të aplikojnë për kthimin e pronës së tyre pranë Entit Kombëtar të Banesave. Gjykata Kushtetuese në unanimitet ka rrëzuar sot padinë e Shoqatës së Qiramarrësve që i kërkoi asaj, dy ditë më pare, shpalljen si antikushtetuese të aktit të qeverisë shqiptarë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e qiramarrësve për lirimin e banesave

Gjykata Kushtetuese vendosi dje të rrëzojë kërkesën e Shoqatës së “Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore, ish-pronë private”. Kjo Shoqatë kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të qeverisë “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuar”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij. Vendimi u mor të mërkurën nga Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të kërkesës së kësaj shoqate. Akti normativ i qeverisë, i miratuar në parlament në muajin shtator, parashikon lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ky dokument përcakton lirimin e pronës, ish-pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Akti parashikon datën 1 nëntor si afatin final për nisjen e zbatimit të procesit të lirimit të banesave të ish-pronarëve.