“Oligarkia (jonë) politike nuk e do integrimin e shqiptarëve”

430
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Myslim Pashaj, sekretar i Përgjithshëm i AK-së: “Mosreagimi  zyrtar i qeverisë shqiptare ndaj neonazistëve të  “Agimit të Artë”, është antikombëtarizëm”

Partia parlamentare greke  “Agimi i Artë” fyen shqiptarët duke i  cilësuar “një komb kaçakësh” dhe se “Shqiptaret janë mbeturina të Perandorisë Osmane në token ilire dhe nacionalistet greke do të vendosin rendin në tokën e lashtë greke të Ilirisë”, ndërsa politika zyrtare shqiptare hesht, sikurse edhe opozita. E vetmja që reagon ashpër është AK-ja. Prof. Dr. Myslim Pashaj, sekretari i përgjithshëm i AK-së, në intervistën për “Telegraf”, deklaron që të tilla qëndrime kanë një strategji antishqiptare, ndërsa heshtja e qeverisë është antikombëtarizëm i pastër.

 – Zoti Pashaj, vlerësimin  e “Agimit të Artë” për shtetin shqiptar, bëhet thjesht në një kuadër propagandistik të një partie, apo i shërben një strategjie më të organizuar?

 – Pavarësisht se nuk duken vija organizuese shtetërore, ekziston një frymë antishqiptare, një urrejtje klasike ndaj fqinjërisë ballkanike, e cila në kohë të ndryshme gjejnë kohën dhe festohen. A nuk iu kujtohet se ashtu si papandehur ushtarët grekë këndonin këngë rreshtore, duke përfytyruar  lidhëset e këpucëve me “zorrë shqiptarësh…” Kaq atavike dhe në një ushtri gjasme të NATO-s . Dhe u dashka të bëjmë sikur nuk i dëgjojmë. Ashtu sikundër deputetë të Agimit të Artë vijnë në kasa shqiptare, brenda asaj që ata e quajnë “Vorio Epir” dhe aty lëshojnë kumte antishqiptare. Lirshëm, gjoja të paorkestruar, por që nënkupton se ka një frymë antishqiptare, me nacionalizëm ekstrem. Greqia e sotme nuk ka kohë për strategji, për hallet  e saj të mëdha ekonomike, që janë edhe krizë morale e shoqërisë. Ushqime dhe instruksionet kanë kohë që janë gatuar dhe botuar. Tani edhe pa strategji, ato në këtë kohë krize kërkojnë të plotësojnë një boshllëk të krijuar.

 – Sipas jush, përse edhe opozita hesht dhe nuk reagon?

 – Opozita kahalletë mëdha dhe “probleme për të zgjidhur” kështu që nuk ka kohë të merret me dinjitetin kombëtar, sepse ajo nuk e ka fare në rend të ditës Ideologjinë kombëtare. Prandaj hesht, jo se nuk ka gjë për të thënë, por e ka gojën të mbyllur nga trysni që vijnë kushedi nga cilat kthina.

 – Retorika nacionaliste e Kryeministrit Berisha sa i shërben çështjes së bashkimit të kombit shqiptar në këto situata politike?

 – Askush si Berisha nuk ka cytur keqas dhe pakuptimas ndjenja trazimi dhe fobie shqiptare me deklaratat e tij “nacionaliste” që s’mund të besohen, në një ndryshim kaq të shpejtë kur fqinjët jugorë erdhën deri në Këlcyrë dhe Boboshticë “ në troje të tyre Vorioepirote!” dhe ai Berishë rrinte në dritaren e antikombëtare dhe sajonte sharje dhe pështymë urrejtje për shqiptarët që ngrinin flamurin kombëtar në troje të tyre rrënjore. Dha ja bëhu…me “nacionalizmin” e tij, por ja, ashtu rishtazi ai  përmendi edhe një herë Pelerinën e Bashkimit Europian, ku ashtu siç e ka thënë do të bëhet bashkimi i përfytyruar. Ai nuk është për bashkimin kombëtar por për bashkimin e tij rrotull bishtit të qenit. A e patë se ai nuk shkoi në të njëjtën mbledhje me ambasadorin Arvizu, sepse në veshin e tij të majtë i kish folur vëllaçko djallushi.

– Me që ra fjala, z.Arvizu, iu braktisi, iu hoqi veshin, ua preu në mes Referendumin si të rrezikshëm në kushtet e sotme të Ballkanit.

– Unë dëgjoj tjetër gjë, unë përkthej asilloj tjetër frazë që ka lidhje me trazovaçin  sharlatan të sotëm të Ballkanit. Ky është Sali Berisha. Ky është njeriu që ka drejtuar dhe përgatitur Marrëveshjen e Shitjes së detit për të përgatitur një Detshkronjë të re, si një Esad Pashë Toptan Junior. Ky është sehirxhiu i Çamërisë dhe Çamëve, Ky është mospranuesi i Rambujesë historike, ky është tenderuesi i shitjes së pasurisë kombëtare. Kësisoj ai flamur që ngriti në Shkup nuk ka lidhje me rrënjët e Dardanisë, por me paranojën groteske të Haxhi Qamilit. Deklaratat e tij përbëjnë rrezik edhe pse janë lajthitje, përgjithësime gjeohistorike  jashtëkohe, janë pa asnjë mbështetje ligjore dhe historike të problemit kombëtar modern. Është po i njëjti përfytyrim djegës i Neronit. Ndërkaq, ne jemi përqendruar ligjërisht tek Preambula e Kushtetutës dhe kjo nuk është një aventurë, por detyrim i kombit

 – Për Shqipërinë dhe shqiptarët, cila është parësore në këto momente: Integrimi apo bashkimi kombëtar?

 – Nuk mund të ndahen, sepse ato shkojnë në energjinë e të njëjtit trup të Shqipërisë moderne. Por në këtë moment, bëhet një ndarje fatale, duke anashkaluar bashkimin kombëtar, dhe duke ngritur flamujt e Bashkimit Europian. Nëse e quajmë tabu bashkimin kombëtar, të duket se je “europian safi”, pra duke harruar rrënjën dhe shpirtin e këtij kombi. Nuk mund të persekutohet vetvetja rrënjore, kur natyrshëm zhvillimi dhe integrimi europian duhet të shkojë paralel me korrektimin e padrejtësive që vet fuqitë e mëdha e bënë dikur në kurriz të Shqipërisë.

– Mendoni se debati politik i PD-së dhe PS-së, për të bërë përgjegjëse njëra-tjetrën, për dështimin e mosmarrjes të eurostatusit, i shërben analizës dhe nxjerrjes të përgjegjësive dhe reflektimit për të çuar përpara procesin e integrimit?

 – Të dy forcat e mëdha, dhe pjellat e tyre prodhojnë debate dhe retorikë. Kjo është fabrika e tyre në ngjashmëri të plotë. Statusi  është një objektiv kombëtar. Ky objektiv, nuk mund të arrihet, kur kemi një Parlament dhe klasë politike ilegjitime, e cila në përditshmërinë e saj nuk ka interesa kombëtare, por të një oligarkie të re, e cila s’e ka mendjen tek integrimi europian.

 – Ndërsa Rezoluta Çame është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, as PD-ja dhe as PS-ja akoma nuk po mbajnë një qëndrim politik të qartë. Sipas jush, përse PD-PS nuk prononcohen, dhe a është e mundshme që Kuvendi i Shqipërisë duhet ta miratojë Rezolutën Çame?

 – Do të shohim se ç’qëndrim do të mbajnë kur t’i vijë radha. Por pa dashur të paragjykoj, Çështja Çame, s’duhet të ketë radhë,  sepse ajo i takon që të jetë e para ndër të parat. Por qëndrimet politike e kanë çuar çështjen Çame në kalendat greke, ose në humbëtirën tragjike që ka dëshiruar Greqia fqinjë.

 – A është e domosdoshme rotacioni politik? Dhe çfarë duhet të kuptojmë me rotacion politik?

– AK-ja nuk ka folur kurrë për domosdoshmërinë e  rotacioni politik e tj, si një farë shpëtimi. Kjo do të thotë lutje,” shyqyr që po mbaron afati”,  etj, etj. Kërkohet rrëzimi i Regjimit autokratik me realitetin e votës së lirë të shqiptarëve. Ne jemi në një kënetë antidemokratike, një krizë e shpresës dhe ardhmërisë me të njëjtat fytyra që lozin me fatin e shqiptarëve.

Shikojmë që forcat opozitare, që janë kundër qeverisjes Berisha nuk përpiqen që të bashkohen në një front të vetëm, për ta bërë më të mundshme largimin e kësaj maxhorance, sikurse pretendojnë. Përse nuk bashkohen forcat opozitare?

– Një front krijohet kur filozofia e bashkimit është e drejtpërdrejtë, pa hermetizëm, pa pazare, ndërkaq politika shqiptare është kaq shumë e ndotur, e kësisoj nuk mund të gjendet lehtësisht besueshmëria, tejdukshmëria të cilat janë evidente për ideologjinë kombëtare që tek ne nuk ka ekzistuar. Fronti është, po ai kërkon organizim. Është front, por jo Koalicion.  Që të bëhet “Koalicion “ kërkon rregulla loje për transhenë e përbashkët, por jo pazare e dredha. Ne besojmë se forcat opozitare do ta rrëzojnë me turp maxhorancën e sotme kriminale antikombëtare. AK-ja do të jetë motori eruptiv në këtë front.

 – Po mosreagimin zyrtar të qeverisë shqiptare, ju si e shpjegoni? Mos të harrojmë që “Agimi i Artë” tashmë është parti parlamentare në Greqi dhe qëndrime të tilla kanë ndikimin dhe domethënien edhe në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare.

 – Nuk mund të themi paturpësi, kokëulje, kompleks inferioriteti. Është një antikombëtarizëm i pastër. Është një marrëveshje për heshtje. Ashtu sikundër edhe më parë. Parlamenti Grek është Institucion i lartë i shtetit dhe Jozefinë Topalli të mos rrijë uloke në ndenjësen e saj e të mos kërkoj “maskarenj” në skutat e mendësisë së saj, por të ruajë formatin e shtetit të saj. Ndërkaq, Berisha, është një spektator, që po sheh shfaqjen e tij mashtruese të nacionalizmit, që e shpërfaqi në 100- vjetorin e Mëvetësisë, spektakël të kthyer kokëposhtë, ai sheh se si nga “Preveza e tij e shtirur” vijnë deputetë të Agimit të Artë të themelojnë seksionet e tyre deri në Himarë. Kjo është orkestër, apo jo?

– Faleminderit!