Olav Gutting: Rruga europiane e Shqipërisë nuk duhet të merret peng nga akuzat false të politikanëve me të shkuar të dyshimtë

502
24 ditë kanë kaluar nga 24 shkurti, kur për herë të parë në publik doli çështja “Doshi” dhe dje, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kuvendit autorizim për arrestimin e 2 deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Pas 18 ditësh marrjesh në pyetje, dëgjim të dëshmive të politikanëve e biznesmenëve dhe një ‘atentatori’, flet Prokuroria. Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentet kundër dy deputetëve. Prokuroria e Përgjithshme citon se Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale;
Sigal

Deputeti i CDU-së, kundër kolegut: Hesht! Nuk ka akuza nga autoritetet e drejtësisë, 

Zhvillimet politike në Tiranë përplasin në deklaratat e tyre deputetët e Bundestagut. Të enjten kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Broke e konsideroi të çuditshëm faktin që kryeparlamentari Meta nuk ka dhënë ende dorëheqjen, në një kohë kur ka nisur një hetim lidhur me akuzat ndaj tij. Ndërkohë që në një intervistë me email për Top-Channel, kolegu i zotit Broke nga partia CDU, Olav Gutting shprehet kundër dorëheqjes së Metës. “Dua të theksoj se shteti ligjor është gur themeli i demokracisë dhe të gjitha partitë politike duhet të respektojnë ndarjen e pushteteve, siç janë edhe gjykatat, prokuria dhe kryetari i Kuvendit, për të cilin sa jam në dijeni është duke vijuar punën siç edhe e kërkon Kushtetuta. Opozita, në ato raste kur nuk janë ngritur ende akuzat nga autoritetet e drejtësisë, por ka vetëm spekullime me sfond politik, atëherë duhet t’i shprehë të tilla shqetësime në Parlament duke respektuar proçedurat dhe jo duke kërkuar zgjidhje jashtë proçedurave parlamentare”, vlerëson Gutting. Deputeti i CDU-së jep këtë sugjerim për kolegët shqiptarë të opozitës. “BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm rezolutën e Parlamentit për nevojën e distancimit dhe pastrimit nga ata deputetë apo persona me lidhje kriminale dhe hije nga e shkuara. Qeveria dhe opozita duhet të punojnë së bashku për të përmbushur detyrat, sepse për atë janë votuar. Rruga europiane e Shqipërisë nuk duhet të merret peng nga akuzat false, në mënyrë të veçantë kur vijnë nga politikanë me të shkuar të dyshimtë, të vëna në dukje fuqishëm nga qëndrimet politike të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqsuesve të BE-së në Shqipëri”, nënvizon Gutting. Parlamenti, thotë deputeti gjerman, duhet të funksionojë normalisht në përmbushje të përgjegjësive që ka ndaj qytetarëve që aspirojnë për një të ardhme më të mirë dhe jo të mbetet peng i axhendave personale nga deputetë të caktuar me të shkuar të dyshimtë.
Somario

Olav Gutting shprehet: Dua të theksoj se shteti ligjor është gur themeli i demokracisë dhe të gjitha partitë politike duhet të respektojnë ndarjen e pushteteve, siç janë edhe gjykatat, prokuria dhe kryetari i Kuvendit, për të cilin sa jam në dijeni është duke vijuar punën siç edhe e kërkon Kushtetuta. Opozita, në ato raste kur nuk janë ngritur ende akuzat nga autoritetet e drejtësisë, por ka vetëm spekullime me sfond politik, atëherë duhet t’i shprehë të tilla shqetësime në Parlament duke respektuar proçedurat dhe jo duke kërkuar zgjidhje jashtë proçedurave parlamentare

Pittella për deklaratën për çështjen “Doshi”: “Kujdes zoti Elmar Broke, deklaratat e tua jashtë realitetit”

Presidenti i Grupit Socialist dhe Demokrat Gianni Pittella reagoi dje ndaj deklaratës së bërë pardje nga Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Broke. Gianni Pittela i drejtoi publikisht thirrje Elmar Broke që të jetë më i përmbajtur dhe të ketë kujdes, pasi deklaratat e tij godasin drejtpërdrejt aspiratat e popullit shqiptar. Shqipëria, sipas zotit Pittela, është një demokraci e pjekur dhe meriton respekt. “Demokracia në Shqipëri është solide dhe plotësisht e respektueshme ashtu si dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor. Jo rastësisht, por falë përpjekjeve dhe punës së Qeverisë shqiptare, Tirana po i afrohet me shpejtësi dhe me të drejtë të plotë takimit me Europën e Bashkuar. Do të këshilloja me ketë rast përmbajtje dhe kujdes zotit Elmar Broke. Deklarata të tilla qartësisht të pabazuara dhe jashtë realitetit, kanë efektin e vetëm të goditjes me pa të drejtë të aspiratave të popullit shqiptar. Shqipëria është një demokraci e pjekur dhe meriton respekt. Rezultati i çështjes Doshi e demonstron”, – tha Pittella.

Reagojnë menjëherë Ambasada amerikane në Tiranë dhe BE
20 mars 2015
SHBA mirëpret veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të arrestuar dy deputetë

U.S. Embassy-Tirana
Deklaratë e Ambasadës së SHBA
Ambasada e SHBA mirëpret veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar miratimin e parlamentit për të arrestuar dy deputetë. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin. Ritheksojmë thirrjen tonë për Prokurorinë e Përgjithshme, Parlamentin dhe institucionet gjyqësore që të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar proces ligjor të rregullt në përputhje me ligjin.

Ambasadori Donald Lu me Berishën: SHBA nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim. Të hetojë prokuroria e Përgjithshme

Më 18 mars , Ambasadori Lu u takua me ish kryeministrin dhe deputetin e PD Sali Berisha për të diskutuar zhvillimet aktuale në politikën shqiptare. Ambasadori Lu ritheksoi mbështetjen e SHBA për dekriminalizimin nga të gjitha partitë dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja konstruktive e opozitës në këtë proces për forcimin e institucioneve demokratike. Në lidhje me pretendimet e ngritura nga Z. Doshi kundër Z. Meta, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët. Ambasadori Lu theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të këtyre pretendimeve por në vend të kësaj, të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm.

2 mars 2015 
Deklaratë e Ambasadës së SHBA: Mirëpresim vendimin e PS-së për të përjashtuar Tom Doshin, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale

Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.

Deklarata e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri: Të përjashtohen individët me rekorde kriminale

BE-ja mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshi çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë pozicione publike. BE-ja i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjor, përfshi luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, qe janë përparësi kyçe për Shqipërinë.
3 akuzat e Prokurorit të Përgjithshëm ndaj deputetëve Doshi dhe Frroku
-“Kallëzimi i rremë”
-“Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”
-“Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

Ja shkresa zyrtare që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i dërgon Kuvendit 

Republika e Shqipërisë
Prokuroria e Përgjithshme
KABINETI
Tiranë më 20.03.2015
Njoftim për median
Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku
Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëvë të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal.
Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentet kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.03.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eliminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër. Në të njëjtën ditë, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka referuar materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
Në kuadër të hetimeve për këtë procedim penal, janë pyetur persona që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshit, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar. Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë.
Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami.
Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, ia ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

Kronologjia e çështjes “Doshi”
24 shkurt, Doshi kritika ndaj qeverisjes e ministrave 

Më 25 shkurt 2015 deputeti i PS-së Tom Doshi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, në mungesë të kryeministrit Rama, flet hapur për kritikë ndaj qeverisë dhe ministrave të saj. Kritikat e deputetit Doshi për ministrat e kabinetit qeverisës ishin kryefjala e mbledhjes të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Deputeti socialist ka kërkuar që të bëhet një analizë për punën e qeverisë, por dhe konsultim për garën e ardhshme elektorale. Ndërkohë që nuk kanë mbetur jashtë kritikave dhe drejtoresha e Tatimeve, Briseida Shehaj dhe ajo e Doganave, Elisa Spiropali. Shqetësimet e tij janë adresuar për kryeministrin Edi Rama edhe pse ai nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist. Në mungesë të tij, përgjigja ka ardhur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi i cili ka pohuar se do t’i përcjellë këto shqetësime zyrtarisht edhe pse ka shtuar që kryeministri ka qenë i pranishëm në çdo mbledhje tjetër, por nuk ka pasur të tilla pretendime. 

26 shkurt, Doshi akuza ndaj kryeministrit

Deputeti i Partisë Socialiste në Rrethin e Shkodrës, Tom Doshi, meqë nuk iu mundësia takimi me kryeministrin, para se të fillonte seanca plenare ka derdhur një lumë me akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama. “Do doja t’i bëja me dije Edi Ramës se që sot e mbrapa mes meje e tij nuk ka paqe më dhe do e shohim kush është i humbur prej kësaj lufte. Do ta bëj publike pse i kam bërë për interesat e mija ato kritika që i kam bërë. Kur të flas më tepër do dridhet maxhoranca nga themelet”, tha Doshi i cili e akuzoi Ramën për emërime nepotike në dogana, ndërsa shtoi se ekonomia është më keq sa ç’ishte në kohën e Berishës. “Sapo e thash që ka filluar lufta mes meje dhe tij. Nuk është personale, por flas në emër të bazës që ka pakënaqësi. Ai e quajti kreun e qeverisë mosmirënjohës dhe bukshkalës, pasi sipas atij ai ka shkelur premtimet që bëri në veri.

2 mars 2015 Kryetari i PS-së përjashton Doshin nga grupi parlamentar i PS-së

Deputeti rebel i PS-së, Tom Doshi përjashtohet nga kjo forcë politike. Përjashtimi i tij vjen pas luftës së hapur që i shpalli kryeministrit Edi Rama, si dhe kritikat e forta kundër performancës së qeverisë dhe punës së kabinetit të tij të ministrave.

Rama: Cënoi qeverinë, Doshi të provojë akuzat

Kreu i PS-së, Edi Rama, ishte i pari që u largua nga mbledhja pas përfundimit të saj. Por nuk bëri asnjë koment për mediat, lidhur me vendimin e marrë nga partia e majtë. Menjëherë pas këtij takimi, ai postoi në “Facebook”, fjalimin e plotë të mbajtur para grupit Parlamentar të PS-së. Akuzat dhe deklaratat e Tom Doshit, për Ramën nuk kanë cenuar vetëm personin e tij, por edhe dinjitetin e PS-së dhe të qeverisë. Në këtë mënyrë bëhet e ditur se pikërisht për këtë arsye, Rama kërkoi përjashtimin e tij nga Partia Socialiste. “Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar. Me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie. Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, shkruan Rama.

2 mars 2015 , ora 13:45 – Doshi akuzon: Meta dhe Rama duan vdekjen time

Pas përjashtimit të tij nga PS-ja akuzon Ilir Metën për komplot për vrasjen ndaj tij. Doshi ka deklaruar lidhur me këtë akuzë, se disponon edhe videon, e cila implikon kreun e LSI-së Ilir Meta në tentativën për një vrasje ndaj tij. “Ja bëra të qartë se kush është pas këtij dhe për çfarë e bën. Edi Rama ka një tutor që quhet Ilir Meta, që ka urdhëruar për të më vrarë. Ka 5 muaj që ja kam bërë të qartë dhe vetë Ilir Metës, Edi Ramës, kryeprokurorit të Përgjithshëm dhe të Krimeve të Rënda. Ja bëra të qartë Ramës për 21 janarin”, deklaroi Doshi. 
Ora 14: 15 Blushi del nga mbledhja e PS komenton përjashtimin e Tom Doshit: Përfundoi miqësia e dy shokëve
Ora 14:50 Rama publikon në FB fjalimin brenda grupit PS: Tom Doshi cenoi dinjitetin e qeverisë dhe të PS
Ora 16:00 Reagon Prokuroria e Përgjithshme: Nuk komentoj deklaratat 
Ora 17:14 SHBA-BE mirëpresin përjashtimin e Doshit: Pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale
Ora 18: 28 Reagon Berisha: Akuzat e Tom Doshit më të rëndat në 25 vite. Prokuroria të hetojë
Ora 19:58 Basha nga selia PD: Meta të japë dorëheqjen, Prokuroria të hetojë akuzat e Doshit
Ora 20: 28 Braho: Pas atentatit të Doshit Berisha, kunati ofroi 500 mijë euro