OKB: Mafia shqiptare e drogës, gjunjëzon Evropën

505
Sigal

Kapen në Turqi, kamioni me 2,2 ton kanabis nga Vlora, i cili u shkëmbye me kokainë dhe heroinë që do të sillej në Shqipëri. Pas 617 kg kokaine të sekuestruar në Brazil me destinacion Elbasanin dhe Greqia kap 2 ton drogë. Dje OKB publikoi Raportin e Zyrës Botërore të Drogave: Krimi në Shqipëri në një nivel të lartë organizimi në raport me Rajonin

Raporti i Zyrës Botërore të Drogave: Krimi në Shqipëri në një nivel të lartë organizimi në raport me Rajonin

Vendet e Ballkanit Perëndimor vuajnë nga nivele të lartë të kriminalitetit, por gjithashtu institucionet e tyre kanë të dhëna të pakta rreth fenomeneve që lidhen me krimin dhe korrupsionin.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Drogës dhe Krimit (UNDOC), në një raport për vlerësimin e të dhënave mbi krimin në Ballkanin Perëndimor, vë në dukje se Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, nuk ofron informacion në lidhje me korrupsionin dhe prodhimin e drogës. “Institucionet e Shqipërisë, ndryshe nga vendet e tjera në Ballkan, nuk ofrojnë informacion në lidhje me treguesit e korrupsionit dhe as të dhëna rreth pengesave në drejtësi” – thuhet në raport.

Ekspertët e UNDOC shpjegojnë se në Shqipëri ka grupe të strukturuara kriminale, një formë e veçantë e bashkëpunimit e përbërë nga tre ose më shumë persona, të cilët kanë për qëllim kryerjen e krimeve dhe veprave penale, që synojnë arritjen e përfitimeve materiale dhe jomateriale.

Grupi i strukturuar kriminal nuk është krijuar spontanisht dhe nuk është i dallueshëm nga anëtarësia apo detyrat që kanë, duke përfaqësuar një nivel të lartë të krimit të organizuar.

UNDOC raportoi se, në Shqipëri, ekzistojnë shumë pak të dhëna për kultivimin e drogës, ndërsa në vendet tjera të rajonit, kjo përqindje është më e lartë.

Vendet e tjera të Rajonit vuajnë më shumë nga përhapja e krimit të organizuar. P.sh., në Bosnjë, grupi i organizuar kriminal është një grup prej tre ose më shumë personash, që ekzistojnë gjatë një periudhe të caktuar kohe dhe veprojnë për një ose më shumë vepra penale që sjellin dënimin me burgim mbi tre vjet ose dënim më të rëndë.

Në Kosovë, grup i organizuar kriminal, është një shoqatë e strukturuar, e themeluar mbi periudha kohore, nga tre ose më shumë persona, për kryerjen e një vepre të caktuar penale.

Në Maqedoni ka banda ose organizime të tjera kriminale që i referohet së paku tre personave që formojnë një grup për qëllime kriminale.

Në Malin i Zi, organizatat përbëhen nga tre ose më shumë persona që kanë objekt kryerjen e veprave penale me qëllim që të fitojnë në mënyrë që kundërligjshme.

Drogë e madhe nga Shqipëria po trafikohet në të gjithë Evropën

Kapen 2.2 ton kanabis, kokainë e heroinë në Turqi

2019-a raportohet si viti i hashashizmit të Shqipërisë, sikurse thuhet edhe në raportin sekret dërguar Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi. Ndonëse ministër Lleshi mburret për suksese imagjinare kundër kultivimit të hashashit në Shqipëri, duke kapur ca rrënja barishte, njëkohësisht nuk është kaq i zoti, sa të ndalojë trafikimin ndërkombëtar të hashashit shqiptar drejt vendeve të Evropës.

Kapet 617 kg kokainë në Brazil me logon e klubit të Elbasanit

Një sasi prej rekord prej 617 kg kokainë e pastër është sekuestruar nga policia federale braziliane në një zonë rurale në Brasnorte. Lënda narkotike u gjet e fshehur në dyshemenë e një kamioni ndërsa 4 persona u arrestuan. Sipas policisë vendase droga që kapte vlerën e 9 milionë dollarëve kishte si destinacion Evropën. Ajo që bie në sy është se në pakot e drogës është e stampuar logoja e klubit të futbollit të Elbasanit. Dyshimet janë se kjo sasi kokaine do të vinte në Shqipëri.

Policia greke sekuestron 2 gomone me marihuanë, të nisur nga Vlora për Turqi

1 ton 172 kg marijuanë, e ndarë në 106 pako, katër persona të arrestuar dhe dy në kërkim! Është ky bilanci i operacionit nga policia greke që ka zgjatur 5 ditë. Ishte kapja e një gomone me drogë në ujërat greke, në datën 25 shtator ku u arrestuan 3 persona që shërbeu si nisje të operacionit nga policia greke. Droga u gjet e fshehur në shpellën e ishullit Piperi. Vlora ishte pikënisja e sasisë së drogës për t’u transportuar drejt Turqisë.

1.8 tonelata drogë “Made in Albania” kapen në Turqi

Këtë herë ka qenë radha e Turqisë që të kapë ngarkesa të tëra me drogë shqiptare. Mediat turke japin detaje të një operacioni të finalizuar mbrëmjen e së mërkurës, në 2 tetor, ku janë sekuestruar dy mikrobusë të mbushur plot me drogë në total 1.8 ton kanabis të llojit ‘Skunk’ të ardhur nga Shqipëria. Agjencia e lajmeve turke DHA dhe televizioni CNN kanë bërë të ditur se janë kapur 2.2 ton drogë të llojeve të ndryshme si kanabis, kokainë dhe heroinë. Në pranga janë vendosur 14 persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë shqiptarë. Siç shkruan agjencia e lajmeve DHA, droga prej 1.8 tonësh është kapur në Stamboll dhe ishte e ngarkuar në një kamion shqiptar që po transportonte tekstile. Në pranga janë vendosur disa persona. Gjatë këtij aksioni janë kapur 1.8 ton kanabis në kamion. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 60 kilogramë heroinë dhe 13 kilogramë kokainë, që dyshohet se kishin destinacion Shqipërinë. Po ashtu televizioni turk CNN bën të ditur se janë kapur 335 kilogramë kanabis sativa në një tjetër kamion që kishte udhëtuar nga Greqia. Një ditë më parë policia turke sekuestroi një kamion që vinte nga Greqia në pikën doganore Ipsala, ku u gjet në total 335 kg kanabis sativa. Droga ishte fshehur në një ndarje sekrete të sajuar nga trafikantet brenda kamionit. Dy persona të tjerë janë vënë në pranga në këtë operacion.