Oferta gjermane zbraz spitalet dhe QSUT-në nga mjekët dhe infermierët

1212
Sigal

Vala e emigracionit të personelit shëndetësor, në Shqipëri, do të thellohet, për shkak se spitalet gjermane kanë rritur stimujt për tërheqjen e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, duke i paguar me 1500 euro vitin e parë, mbi 2000 euro të dytin si dhe qiranë e shtëpisë. Mbërritja në Tiranë e përfaqësuesit të njërit prej spitalve më të mëdhenj në Gjermani, testimi dhe oferta joshëse për personelin shëndetësor. Ja informacioni i plotë

Gjermania shton stimujt për të nxitur personelin shëndetësor shqiptar të emigrojnë

Po zbrazet QSUT-ja dhe spitalet publike nga mjekët dhe infermierët

Vala e emigracionit të personelit shëndetësor, që ka prekur prej vitesh Shqipërinë, rrezikon të përforcohet edhe më tej, për shkak se spitalet gjermane kanë rritur stimujt për tërheqjen e mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria.

Veterinerët bëjnë edhe punën e infermierit e mjekut

Tashmë në qendrat ambulante nëpër qytete nuk ka më infermierë, apo mjekë dhe nuk janë të pakta rastet, kur punën e infermierit, apo të mjekut e bëjnë (nga halli) veterinerët. Ka ndodhur që të sëmurëve në qendrat ambulante të qyteteve të largëta injeksionet t’i bëjnë veterinerët, pasi nuk ka më infermierë. Edhe në spitalet rajonale të qyteteve të mëdha mungojnë tërësisht shumë specialistë mjekë, nuk funksionojnë aparaturat e reaminacionit, dializës, sallat e operacioneve, sepse nuk kanë specialistë. Ndodhe që një specialist mjek i QSUT dhe Spitalit të Traumës, të shkojë 1 herë në javë në spitalet rajonale të qyteteve të mëdha, për të zëvendësuar mungesat. Mungesa e specialistëve mjekë u bë më e dukshme edhe nga qëndrimet e papërgjegjshme të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili vite me radhë bllokoi specializimin e mjekëve në studimet pasuniversitare. Spitalet tona publike e ndjejnë mungesën e mjekëve edhe nga emigrimi i brendshëm i mjekëve dhe infermierëve, të cilët punësohen me paga më të larta në spitalet publike, ose punojnë paralel, që do të thotë, që edhe gjatë 8 orarit të punës në spitalet publike shumë mjekë dhe infermierë kohën më të madhe e kalojnë në spitalet private, ndërkohë që marrin edhe rrogën nga spitalet publike.

Oferta joshëse e gjermanëve

Para disa ditësh, një nga spitalet më të mëdhenj në Gjermani solli përfaqësuesit e saj në QSUT, të cilët i bënë një ofertë joshëse personelit të infermierisë, e pa aplikuar më parë. Infermierët e përzgjedhur që ishin rreth 20, në një ditë të vetme, do të lënë punën gjatë mësimit të gjuhës gjermane në nivelin B1 në Shqipëri, kundrejt një pagese mujore 400 euro.

Pagesa do të jepet si kompensimin për pagën që punonjësit marrin në QSUT në mënyrë që ata të përfundojnë sa më shpejt mësimin e gjuhës. Më parë, ky stimul nuk mundësohej pasi mësimi i gjuhës vijonte teksa ata ishin në punë. Gjithashtu në kontratën përkatëse, punonjësit gjatë vitit të parë të mësimit në Gjermani do të paguhen me 1500 euro, teksa do t’iu kompensohet një pjesë e qirasë. Pasi të jenë standardizuar njohuritë, pagat do të kalojnë 2000 eurot.

Mungesat në QSUT

Për shkak të kësaj situate, një nga pavijonet më të rëndësishme të pediatrisë ka mungesë personeli me 30%. Nga 23 infermierë që janë në organikë, gati 6 vende janë të lira, kryesisht për shkak të largimeve drejt Gjermanisë.

Infermierët tanë, më të aftët ndër kolegët evropianë

Burimet nga QSUT pohojnë se, stafet mjekësore shqiptare, sidomos infermierët shqiptarë, kanë rezultuar me aftësi të larta në Gjermani. Kjo për shkak se, infermierët shqiptarë në QSUT përpunojnë të sëmurë më shumë se normat evropiane. Shqipëria radhitet ndër vendet me numrin më të ulët të stafit mjekësor në raport me popullsinë.

Kjo situatë e ka bërë personelin shëndetësor shqiptar me përvojë, duke ushtruar shumë funksione për disa lloje sëmundjesh. Bie fjala nuk ka asnjë infermier në QSUT që nuk bën injeksione dhe nuk vë vigon, ndërsa në spitalet evropiane përgjegjësitë janë shumë të reduktuara, për shkak se, një infermier shërben për shumë pak pacientë.

Statistikat e emigrimit të mjekëve

Nga viti 2013 deri në vitin 2018 janë larguar nga vendi 875 mjekë. Vetëm gjatë vitit 2018 janë larguar nga vendi kryesisht drejt Gjermanisë rreth 2 mijë infermierë. Sipas të dhënave nga numri i certifikatave të kërkuara pranë Urdhrit të Mjekut, në vitin 2018 janë larguar 164 mjekë dhe janë diplomuar mbi 250 nga Fakulteti i Mjekësisë. Nga të dhënat shihet se janë larguar tre gjenerata mjekësh. Largimet u bënë më të dukshme pas vitit 2014, ku ikjet e mjekëve specialistë ishin më shumë se 150 në vit mesatarisht.

875 mjekë janë larguar nga Shqipëria nga viti 2013 deri në vitin 2018

164 mjekë janë larguar nga Shqipëria në 2018

250 mjekë janë diplomuar në 2018

150 mjekë specialistë largohen mesatarisht çdo vit