Oferta e Metës për Ramën: Kryeministër ose Kryetar Partie?

493
Sigal

Oferta e fundit e Metës mbi tryezën e Ramës: Të bashkohet PS me LSI-në, në një parti të vetme dhe të ndahen dy postet kryesore

Oferta e Metës është në tryezën e Ramës, i cili tani ka përpara historisë dy opsione: Përgjegjësinë e orientimit të pushtetit drejt një shpëtimi politiko-ekonomik, ose shkatërrimin e së majtës për një kohë të palimitueshme. Kjo ofertë e propozuar nga LSI përmban formulën e fitores së padiskutueshmne të zgjedhjeve të 23 Qershorit, por konkretizimi i saj kërkon një vendosmëri dhe sinqeritet të plotë. Sepse ky propozim synon për t’i fituar të gjitha dhe për t’i ndarë ato midis dy partive kryesore, ose për t’i humbur të gjitha dhe për të vazhduar monotonin e opozitës duke fajësuar manipulimet e KQZ-së.

Propozimi i Metës

Oferta e Metës në adresë të Ramës synon shkrirjen e dy partive në selinë kryesore të saj dhe daljen në zgjedhjet e 23 Qershorit me një sigël të vetme. Me siglën e Partisë Socialiste. Por pas zgjedhjeve, ose më mirë pas fitores së garantuar të zgjedhjeve, oferta paracakton kushtëzimin kryesor, sipas së cilës Rama duhet të zgjedhë: ose Kryeministrin, ose Kryetarin e Partisë Socialiste. Me fjalë të tjera, oferta i lë dorë të lirë Ramës të zgjedhë postin e Kryeministrit, ose atë të Kryesocialistit, duke e lënë hapësirën të lirë për kreun aktual të LSI-së. Nëse Rama do të zgjedhë të qëndrojë në karrigen kryeministrore të Berishës, ai do të ketë përpara një detyrim të madh para elektoratit të majtë, për të ndryshuar gjendjen social ekonomike dhe për të reformuar të gjitha institucionet shtetërore në një periudhë të vështirë, kur arka e parave të jetë tepër e limituar. Por ndërkaq, Meta do të merret me reformimin e Partisë Socialiste, ku padyshim do t’i duhet të bashkëjetojë me disa nga miqtë e Ramës, të cilët nuk kanë asnjë lidhje organike me të majtën shqiptare, por që kanë hyrë në këtë parti, në bazë të organizatave të krijuara për rrëzimin e PS-së. Gjithashtu  Metës i duhet të negociojë në ish- partinë e tij  edhe  me disa që kanë qejfmbetje të vjetra, pa llogaritur këtu aleatët e majtë si Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Petro Koçin, e ndonjë tjetër me të cilët duhet të rindërtojë një strategji të re bashkëpunimi. Por edhe Rama do të mbetet i zhgënjyer nga bashkëjetesa në një partie me disa nga krerët e LSI-së, të cilët e kanë akuzuar atë, për gjëra shumë të rënda. Por nëse ka në LSI dhe në PS dy njerëz që nuk i kanë lënë gjë njëri-tjetrit pa sharë, ata janë Ilir Meta dhe Edi Rama, të cilëve tani koha i ka ngarkuar misionin  e pajtimit, në emër të kthimit në pushtet të së majtës, e cila prej 8 vitesh ndodhet në opozitë dhe zbutjes së varfërisë që përfaqësohet nga listat e bukës nëpër dyqane. Kohët e fundit drejtuesit kryesorë të dy forcave të majta PS dhe LSI i kanë udhëzuar njerëzit e tyre që të kursejnë njëri-tjetrin nga poltronët, ku flasin dhe të mos bien pre e provokimeve të ndryshme që kanë si qëllim krijimin e ndasive të thella mes këtyre dy forcave të majta.

Kryeministri

Të dy krerët e majtë duken të përshtatshëm për kryerjen e detyrave kryeministrore sepse Rama e ka treguar seriozitetin e tij qysh në vitet e para si: Kryebashkiak, duke i ndryshuar fytyrën kryeqytetit shqiptar. Ndërsa Meta, gjatë atyre pak kohëve që ishte Kryeministër, e ka treguar veten si një organizator i shkëlqyer i ndarjes së punëve. Madje, në atë periudhë, vetë ish- Kryeministri Majko, ditën që i la postin Metës, tha: Ilir Meta kur vesh xhupin e lëkurës nuk kthehet pa i mbaruar përsosmërisht punët kudo në terren”. Kështu, pavarësisht nga akuzat e shumta që janë bërë për Metën e Ramën, në lidhje me abuzimet e fondeve publike, përsëri rezultatet e tyre pozitive flasin vetë. Dhe votuesit aktualisht, të tronditur prej akuzave ndaj Berishës, janë krejtësisht të lumtur që të harrojnë atë që ka ngjarë më parë me dy liderët socialistë. Kështu që secili prej tyre do të gëzonte mbështetjen e bazës socialiste, në misionin e bashkimit dhe kthimin e së majtës në pushtet.

Kreu i Partisë

Tani detyrat e Kryetarit të Partisë Socialiste janë shumëfishuar, duke nisur nga puna në bazë për shtimin e strukturave dhe cilësisë së anëtarëve të saj, e duke përfunduar tek realizimi i objektivave partiake për modernizimin e mëtejshëm të selisë rozë. Edhe në këtë post, secili prej tyre mund të ishte njeriu i duhur, për shkaka të popullaritetit që gëzon. Duke analizuar konkurrimet e tyre mund të përmendim se në tre kandidimet e para Rama fitoi Kryebashkiakun me diferenca votash, ndërkohë që, në humbjen e fundit diferenca numërohej me gishtat e dorës. Nga ana e vet, Meta megjithëse, në krye të një partie relativisht të re, ka mundur ta shndërrojë atë në, forcën e tretë kryesore në politikën shqiptare. Para disa ditësh, në një debat politik, midis një grupi analistësh, ata kanë pranuar bashkimin, si një kombinimi të mundshëm në krahun e majtë të politikës, e cila mund ta çoje këtë alternativë drejt pushtetit që u ka munguar prej 8 vjetësh. Sipas Nezës, rruga e mundshme është shkrirja e dy partive të majta, në një të vetme, pra, rikthimi i Metës në Partinë Socialiste dhe ndarja e posteve drejtuese, në mënyrë të barabartë, ku njeri prej tyre të marrë drejtimin e pushtetit dhe tjetri, drejtimin e Partisë Socialiste. Ky kombinim, shumë i arsyetuar në alternativën e opsioneve të shumta, mund të bëhet garant për marrjen e maxhorancës, por pastaj gjatë ndarjes së posteve kërkohet një disiplinë milimetrike, për mbajtjen e premtimeve. Sepse pikërisht, aty pas marrjes së pushtetit, nisin kontradiktat dhe ndarjet. Mjafton të kujtojmë këtu se, Nano me Metën janë zënë pikërisht, për postin Kryeministror, ku Ilir Meta mundi me anë të votave edhe kandidatin tjetër të Nanos, që në atë kohë ishte Arben Malaj. Nga ana e vet, Rama qëndronte në mes të të dyve. Ndërsa, më vonë gjatë koalicionit Meta-Rama, për zgjedhjet lokale 2007, ky i fundit harroi t’i jepte LSI-së, postin e nënkryetarit të bashkisë megjithëse ja kishte premtuar para zgjedhjeve dhe falë kësaj marrëveshjeje Rama fitoi me 24 mijë vota më shumë postin e Kryebashkiakut të Tiranës. E njëjta gjë ka ndodhur rreth 21 vjet më parë dhe për të njëjtën arsye gjatë sherrit midis Berishës dhe Eduard Selamit, i cili në atë kohë, kërkoi që kryetari i partisë të ishte edhe kryeministër i maxhorancës.

 Nga “Rogneri” te Gjiri i Lalzit

Sherri midis PS-së dhe LSI-së, në shtrirjen kohore, ka qenë tepër i gjatë, duke lënë Partinë Socialiste në opozitë për 8 vjet, por në kilometrazhin rrugor ai zgjati nga “Rogneri” tek Gjiri i Lalzit. Pas sherrit të Fatos Nanos me Ilir Metën dhe krijimi i LSI-së bëri Fatos Nanon të humbiste zgjedhjet dhe të dorëzonte partinë. Me ardhjen në krye të PS-së të Edi Ramës, ky i fundit, premtoi se do të ndërtonte një koalicion të qëndrueshëm me Ilir Metën. Ky bashkim ndodhi në 2007-n ku Rama i fali gjithçka Metës në këmbim të rifitimit të Bashkisë së Tiranës  nga vetë Rama. Menjëherë pas kësaj filloi sherri Meta – Rama, i cili kushtëzoi humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme të Partisë Socialiste. Tani edhe pas humbjes së zgjedhjeve vendore në Tiranë, Rama ka përpara një detyrë të vështirë: Ose të ndajë Kryeministrin nga kryetari i Partisë, ose t’i mbajë të dyja dhe t’i thotë jo koalicionit me LSI-në. Por në rast të ndonjë gabimi në llogaritje, ora e Ramës mbaron dhe gabimi nuk mund të ndreqet. Meta dhe Rama, dikur mbështetës të njëri-tjetrit dhe më pas kundërshtarë politikë, kanë treguar se në moment të caktuara mund të lënë mënjanë qejfmbetjet, akuzat, kundërakuzat dhe të shfaqen si ‘aleatë’. Nga darka në Gjirin e Lalzit dhe deri në takimin që pritej të bëhej në Bruksel, liderët e dy partive të majta janë takuar 3 herë mes tyre, megjithëse, nuk kanë mundur të bien në një konsensus. Këtë e tregon fakti, se ata nuk arritën të bllokojnë zgjedhjen e një Presidenti vetëm nga PD, sikundër u gjendën të papërgatitur në momentin e ndryshimit të kreut të SHISH-it, apo të Kodit Zgjedhor.

Koalicionet

Aktualisht, të gjitha opsionet për kombinimet e aleancave janë të hedhura në tryezë. Por të gjitha alternativat kanë nga një kushtëzim nga pas, duke i lënë të hapur vetes ndonjë mundësi tjetër. Një nga këto oponencë nëse nuk realizohet bashkimi PS-LSI, është edhe  krijimi i Polit të Tretë, ku LSI-ja, mundi të jetë bërthama kryesore e këtij poli. Një alternativë tjetër mund të jetë vazhdimi i aleancës së LSI-së, me PD-në, duke fituar edhe një mandat tjetër qeverisës nëse ofertat e Berishës do të jenë të fuqishme dhe se Kreu i selisë blu shquhet për oferta të jashtëzakonshme. Por bashkëpunimi me PS-në mbetet padyshim ndër më kryesorët pasi kthen e dhe LSI-në dhe anëtarët e saj në identitet. Nëse Rama humbet ai mund të vazhdojë të  qëndrojë në krye të PS-së, por anëtarësia do të largohet e tëra dhe drejtuesit e pushtetit aktual lokal do jenë kundërshtarët më të mëdhenj. Por edhe në rast të largimit të Ramës nga PS-ja i humburi i madh mbetet përsëri Rama, pasi Meta koalicionin me Berishën e ka të ngritur dhe vetë rikthehet në qeveri. Megjithatë, për të gjitha këto, LSI, e drejtuar nga Ilir Meta do të vendosë përfundimisht në Konventën Kombëtare që do të zhvillohet në muajin prill. Tashmë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, me 4 mandatet që zotëron në Kuvend, po respekton të gjitha rregullat e përcaktuara të lojës në marrëveshjen me PD-në.