Oerd Bylykbashi: Sot po arrestohen gazetarë e deputetë, nesër do jetë vonë

433
Sigal

Ne fillim Edi Rama arrestoi qytetarë, sepse nuk kishin para që të paguanin energjinë elektrike, por drita u duhej që të studionin fëmijët, të mbanin në punë aparatin e oksigjenit, apo thjesht që të mos ktheheshin në terr si ne mesjetë. Shumë nuk folën, sepse mund t’i paguanin faturat. Por Opozita foli për ta.‎ Më pas, ai a‎rrestoi qytetarë që mbronin banesat e tyre që të mos ua prishte shteti në shkelje të ligjit, të rrënonte mundin dhe djersën e një jete e t’ua linte fëmijët rrugëve. Shumë nuk reaguan, sepse nuk po prishej shtëpia e tyre. Opozita reagoi për të gjithë ata. Edi Rama nuk u ndal, ‎por ka katër muaj që arreston qytetarë, pse protestojnë kundër padrejtësive të një qeverie të zhytur në korrupsion dhe të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar dhe që i grabit deri në palcë. Opozita u ka dalë për zot atyre. Sot arreston gazetarë, arreston deputetë dhe drejtues të opozitës që mbrojnë qytetarët‎ që po dhunohen dhe po u grabitet e drejta për të zgjedhur. Kërcënon se do të burgosë të gjithë opozitën që nuk do të lejojë votime moniste. Radhë do t’u vijë të gjithëve nëse nuk reagojnë dhe ngrihen. Kjo e keqe me emrin Edi Rama ndalet tani! ‎Më vonë do të jetë shumë vonë edhe për ata që mendojnë se nuk kanë asgjë që t’ua marrë Edi Rama! Atëherë do t’u ketë marrë lirinë që deri dje mendonin që e kishin të garantuar.