Oerd Bylykbashi: Pushtimi i pushteteve nga Rama dhe dërgimi në Kushtetuese i bllokimit të lejeve të ndërtimit

433
Sigal

Duke dëgjuar dje lumin e sharlatanizmave thellësisht shqetësuese të këtij kryeministrit tonë, me erdhi në mendje të perifrazoj dhe të përshtat (vetëm duke ndryshuar emrin) një thënie të gazetarit legjendar italian Indro Montanelli: “Aftësia për të gënjyer e (Ramës) është pothuajse prekëse. Sepse i pari që i beson gënjeshtrave të tij është vetë ai”.

Më pas, perifrazimi i legjendarit Montanelli vazhdon: “(Edi Rama)është një nga ato sëmundje që kurohen me vaksinë. Dhe për t’u shëruar nga ai, duhet një dozë e mirë vaksine (Rama). Duhet ta shohësh atë në pushtet”.

Kush i besonte dikur akuzave broçkulla të Ramës se Berisha kërkonte të kapte të gjithë pushtetet, nuk kishte parë ende asgjë!!! Ky ishte premtimi i parë i Ramës. Sot, Rama kryeministër po kap gjykatat, parlamentin e ka bërë si noter që i duhet vetëm për vulë dhe pullë, presidentit i heq kompetencat ose i anulon çdo dekret, Gjykatës Kushtetuese i injoron vendimet ndërsa Gjykatën e Lartë e lë me 3 anëtarë mangët, institucionet e pavarura si ILDKP, AMA, Komisioneri (i pavarur) i Mbrojtjes se të Dhënave, etj po i pushton njeri pas tjetrit dhe shpejt e ka radhën KQZ. Po shkatërron autonominë vendore për të cilën çirrej, kur betonizonte Tiranën (mjafton të bëjmë një xhiro nga Komuna e Parisit dhe jo vetëm që të freskojmë kujtesën) dhe sot vendosi të pezullojë me fermanin e tij kompetencën ligjore të bashkive që të japin leje ndërtimi sipas planeve të miratuara ligjërisht vetëm që t’i japi ai lejet kur te vjedhë zgjedhjet bashkiake. Ai zhbëri komunat e bashkitë vetëm që të centralizojë edhe më shumë pushtetin, etj..

Në fakt lista e kapjes se pushtetit nga Rama është e gjatë dhe nuk mbyllet këtu. Nuk është çudi që të përpiqet të vendosë Kalifatin e tij plot me xhafare dhe eunuke dhe te na e shesë si reformë anti-korrupsion.

“Rama” është një sindromë politike agresive që duhet parandaluar me karantine. Meqë kjo nuk u bë kur ishte koha, po të besosh Indro Montanelli-n “do të lirohemi nga [Rama] si nga lija e dhenve, me vaksinë. Dhe e vetmja vaksinë është që [Rama] të provojë të qeverisë…”.

Në fakt unë jam vetëm pjesërisht dakord me legjendarin Indro, sepse për rastin tonë duhen doza të larta antiviralesh opozitarizmi, kombinuar me vaksinën e Montanelli-t. Sa më shpejt të largohet kjo sëmundje, aq më mirë për shqiptarët!

Bllokimi i lejeve të ndërtimit drejt Kushtetueses

 Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për mosdhënien e lejeve të ndërtimit deri në mesin e vitit 2015 është antikushtetues, pasi i merren kompetencat pushtetit vendor për të vendosur mbi menaxhimin e territorit nga ana e pushtetit qendror. Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se Këshilli Kombëtar i Territorit nuk është epror mbi bashkitë dhe komunat. Ato kanë kompetencën për të administruar territorin dhe për të hartuar e miratuar planet e tyre urbanistike. Vendimi i qeverisë, një akt i pastër antikushtetues, mund të injorohet nga vendorët.