Oerd Bylykbashi: Ja se si është falsifikuar Kodi i Procedurës Penale nga Fatmir Xhafaj

989
Sigal

PD i jep përgjigje Vlahutinit dhe disa fakte, si u falsifikua neni 491

Deputeti i PD-së dhe nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi i ka dhënë përgjigje me fakte, se si është falsifikuar Kodi i Procedurës Penale nga Fatmir Xhafaj. Bylykbashi i ka dhënë përgjigje edhe ambasadores së BE-s në Tiranë Romana Vlahutin, e cila ditën e djeshme e ka nisur duke dalë në mbrojtje të Fatmir Xhafës.

Zbardhja e falsifikimit nga Fatmir Xhafaj

Ja argumenti i deputetit Oerd Bylykbashi si Fatmir Xhafaj, si kryetari i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore ka falsifikuar Kodin e Procedurës Penale.

Fundi i ‎imunitetit dhe strehës së kriminelëve

Deri në vitin 2013, kur PD doli në opozite, germa “f” e nenit 491 te Kodit te Procedurës Penale ndalonte ekstradimin, nëse nuk kishte marrëveshje ekstradimi. Por, meqë me Italinë ‎tashmë kishim marrëveshje, ky nen nuk do ta pengonte ekstradimin e vëllait të Fatmir Xhafajt, që ishte dënuar në 2012, sapo të kërkohej nga Italia.‎ Asokohe, Xhafaj thoshte publikisht për të vëllain: “ishte një adoleshent (vetëm 27 vjeçar!!!) që u gjet në vendin e gabuar në kohën e gabuar”. A thua se kishte bërë aksident rrugor dhe nuk kishte qenë kapo i një rrjeti kokaine në Bolonja.

– Xhafaj merr kontrollin e Reformës‎

‎Në vitin 2015 u ngrit Komisioni i Reformës në Drejtësi, me kryetar të plotfuqishëm Fatmir Xhafajn dhe grupi i punës në varësinë totale të Xhafajt, hartoi dokumentin sërish nuk e pa të nevojshëm ndryshimin e nenit 491, qoftë edhe për ta përshtatur me Konventën Evropiane të Ekstradimeve.

– Xhafajt i vjen “fati i mirë” në dorë, por ia lë në dorë Hysit

‎Në dhjetor 2016, Fatmirit i erdhi zogu në dorë përfundimisht. Detyra i jepet deputetes së PS, Vasilika Hysi që paraqet projektligjin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës në komisionin e Fatmirit. Në këtë projektligj, për herë të parë kërkohej që në nenin 491, germa “f” të ndryshohej, duke mos kërkuar më për ekstradimin marrëveshjen ndërkombëtare, siç ishte ne ligjin në fuqi, por “marrëveshjen” me kriminelin e dënuar. Propozimi në dukje naiv (por aspak i tillë) i Vasilika Hysit kërkonte që për të bërë ekstradimin duhej të merrej pëlqimi i të dënuarit. Pra, konkretisht, që të ekstradohej Agron Xhafaj, duhej që ai vetë të jepte pëlqimin, përndryshe refuzohej ekstradimi. Në shkurt 2017, thirret një seance konsultimi publik për Kodin. Versioni i paraqitur ishte ai me nenin 491 sipas Vasilka Hysit. Asgjë nuk ndryshon‎, dhe neni 491 mbetet siç ishte propozuar në dhjetor 2016. Në Mars 2017, projektligji i Kodit të Procedurës Penale shkon në Komisionin e Ligjeve të Fatmirit‎, njësoj siç e kishte propozuar Vasilika, në dhjetor 2016, bashkë me nenin “të lutem Agron a na e jep pëlqimin për ekstradim?” Debatet e dokumentuara në procesverbalin zyrtar, tregojnë qe nuk ka asnjë propozim alternativ dhe në votë hidhet versioni i propozuar nga znj. Hysi. Ky propozim miratohet. Pas miratimit ai nuk mund të ndryshojë përveçse me amendament në seancë. Drafti i Kodit shkon për votim në seancë plenare me firmën e Fatmir Xhafajt. Por neni 491 nuk është me ai i znj. Hysi i miratuar nga Komisioni, por një nen, ku në vend të pëlqimit të kriminelit siç propozonte deputetja Hysi, tashme kërkohet që shteti që kërkon ekstradimin të garantojë që i dënuari në mungesë do të rigjykohet.‎

– Xhafaj turpëron me ligj sistemet gjyqësore të Italisë, SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar që kanë marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë

Amendamenti Xhafaj konsideron apriori, se shtetet perëndimore shkelin të drejtat e të dënuarve. Pra në rastin Xhafaj, edhe pasi Gjykata e Kasacionit, gjykata supreme italiane, pas tre shkallësh gjykimi dhe pasi ka ekzaminuar çdo provë dhe kërkesë të avokatëve të Agronit, u dashka të zotohet që do të bëjë nul gjithë atë gjykim dhe do ta rigjykojë Agronin. Meqë kjo është poshtëruese për Italinë dhe çdo shtet tjetër normal, sigurisht është e sigurt që një garanci e tillë nuk do të vinte kurrë për Agronin. Dhe ja pra se si me ligjin e bërë nga Fatmiri, ekstradimi i tij nuk do të bëhej kurrë. Njësoj do të ndodhte, nëse ekstradimin do ta kërkonte SHBA apo Mbretëria e Bashkuar.‎ Që të ekstradohet krimineli i dënuar në mungesë duhet të marrë garanci se do rigjykohet, përndryshe s’ka ekstradim! E shet edhe si në përputhje me Konventën Evropiane të Ekstradimeve. Por ka një diferencë të vogël: Konventa kërkon që garancia e rigjykimit të shihet rast pas rasti kur nuk janë siguruar të drejtat minimale të të dënuarve në mungesë, ndërsa neni i Xhafajt është rregull automatik që pengon ekstradimin e çdo të dënuari në mungese, nëse nuk garantohet rigjykim. Kjo nxjerr nga loja marrëveshjet e ekstradimit me Italinë, ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.