Oerd Bylykbashi: Asnjë zgjedhje nuk është e ligjshme kur cenohet vota

413
Sigal

PD kërkesë në KQZ për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Korçë

Partia Demokratike kërkoi dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet lokale në Korçë të zhvilluara të dielën e kaluar. Sipas deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi, “asnjë zgjedhje nuk mund të jetë e ligjshme kur themeli i votës, cenohet me një shkelje  masive si ajo që ndodhi në Korçë”.”KQZ dhe të gjitha instancat e tjera duhet t’i japin përgjigjen e merituar këtij dhunimi të rëndë të një të drejtë kushtetuese që është e drejta e votës”, tha Bylykbashi. Sipas tij, aktualisht, përveç KQZ është angazhuar dhe Prokuroria. “Mendojmë se shteti i së drejtës është e vetmja garanci që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme. KQZ të japë ndëshkimin e duhur një procesi të korruptuar, siç është ai i zgjedhjeve të Korçës”. Sipas Bylykbashit, ky problem ka pasur edhe precedentë të mëparshëm. “Ne pamë një aplikim të kësaj shkeljeje të rëndë në qytetin e Korçës, e cila tregon se PS dhe LSI janë aq të bindur se asgjë nuk i ndalon në arrogancën e tyre. Ky është vetëm preludi i asaj që ne mund të presim, nëse kjo nuk ndëshkohet sot”. Lidhur me ngritjen e Komisionit Hetimor, Bylykbashi u shpreh se po përgatitet një kërkesë që do t’i dorëzohet Kuvendit.  “Ai është një instrument tjetër shumë i fortë që i jep Kushtetuta Parlamentit, për të hetuar një shkelje shumë të rëndë, që dëmton themelet e Kushtetutës”, tha Bylykbashi.  Në të gjithë zonën zgjedhore të Bashkisë Korçë është verifikuar masivisht fenomeni i blerjes së votës së zgjedhësve, në favor te kandidatit Sotiraq Filo, në një proces të paligjshëm, të mire strukturuar dhe mire drejtuar nga strukturat e Partisë Socialiste. Emisioni investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel” denoncoi në transmetimin e dt 04.11.2013, se ka zbuluar abuzimet flagrante të shtabit elektoral të kandidatit të PS-së në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo. Kamerat e “Fiks Fare” kanë filmuar të gjithë procesin e pagesës prej 2 mijë lekë/person që iu është bërë zgjedhësve në këmbim të votës. Një shtab pune i ngritur posaçërisht për fushatën nga PS ishte kujdesur deri në detaje. Qëllimi kryesor për ta në këto zgjedhje ishte sigurimi i sa më shumë votave në mbështetje të kandidatit Sotiraq Filo në shkëmbim të një shumë të hollash, konkretisht 2000 lekë të reja për çdo votë pro PS-së. Gazetarët e “Fiks Fare” kanë zbuluar dhe kanë filmuar me detaje mënyrën se si shtabi i PS-së operonte me zgjedhësit, të cilët më përpara kontaktoheshin në telefon, ku u tregohej fillimisht që duhet të votonin e më pas të shpërbleheshin.