Odeta Nishani: Dorëhiqem nga ministria, ka presion psikologjik!

469
Sigal

Zonja e Parë, Odeta Nishani ka dhënë dorëheqjen nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ku mbante postin e Drejtores së Statistikave. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ajo ka deklaruar se: “E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cenohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithçka duhet të funksionojë në një kuadër etik. Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve). Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria.

Gjej rast të falënderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor.