Numëruesit e Lezhës arratisen jashtë shtetit

32

Ngushtohet rrethi për numëruesit e votave. KQZ dhe politikanët kërkojnë ndëshkim penal për fajtorët

Tensionohet situata, pas mbylljes së numërimit në Qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Mashtrimi fatal që është bërë me votat në Lezhë, ka bërë që numëruesit e caktuar në zonën përkatëse të tentojnë largimin nga Shqipëria. Nga ana e vet, politikanët kryesorë, midis të cilëve edhe Sali Berisha, kanë kërkuar dënim me burg për numëruesit e Lezhës, të cilët me manipulimet e tyre, kanë çuar deri në përmbysje të rezultatit. Po kështu edhe KQZ-ja, si edhe kryetarët e partive, të cilët mendojnë se votat e tyre janë prekur. Në këtë mënyrë, disa numëruesve të Lezhës nuk u ka mbetur asgjë tjetër përveçse t’ia mbathin nga Shqipëria, gjersa situata politike të qetësohet. Vendi më i mundshëm për qëndrimin e tyre, është Greqia, por ka mundësi që ata të kalojnë më tej, drejt Gjermanisë, ose Italisë, për të humbur gjurmët e tyre. Ndërsa Komisioni Qendror, dje dha një deklaratë shtypi ku thuhet: “Gjatë shqyrtimit të këtyre 41 kërkesave ankimore, KQZ shqyrtoi rast pas rasti problematikën sipas objektit të ankimit të paraqitur duke rrëzuar plotësisht 33 prej tyre. Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit të paraqitur nga subjektet zgjedhore, konkretisht për ankimet e paraqitura me objekt kundërshtimin e vendimit për  tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Lezhë dhe për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Shkodër”.  Më tej, deklara thekson se “mbi bazën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ për këto 2 zona zgjedhore, shërbeu për KQZ, si indicje për thellimin e hetimit administrative”. Në deklaratë theksohet gjithashtu se, “KQZ, në këto dy raste, duke mos u kufizuar vetëm në objektin e kërkimit të paraqitur nga ankuesit, përdori autoritetin e plotë që i jep Kodi Zgjedhor për të adresuar ligjërisht, bazuar në përcaktimet e nenit 124 pika 6, në mënyrën më korrekte të mundshme, dhe me transparencën maksimale problemet e evidentuara, për të mos shmanguar deformimin vullnetit qoftë dhe të një zgjedhësi”. Duke folur për kërkesat e 2 qarqeve, pra për Lezhën dhe Shkodrën, deklarata thotë: “Kërkesën ankimore nr. 24 paraqitur nga subjekti Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë, kërkesën ankimore nr. 32 paraqitur nga subjekti Partia Republikane e Shqipërisë, për qarkun e Shkodrës. Gjatë procedimit administrativ për shqyrtimin e rezultatit të Zonës Zgjedhore Lezhë dhe Shkodër, i cili u zhvillua nga data 20 deri në datën 25 korrik 2013, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kqyri kutitë  e votimit të 258 Qendrave të Votimit për 4 ZAZ-të e qarkut Lezhë dhe 417 Qendrave të Votimit të 8 ZAZ-ve të qarkut Shkodër”. Natyrisht, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar vendimin e KQZ-së, për Lezhën, ndërkohë që forcat politike kanë kundërshtuar njera-tjetërn. Të gjitha këto kanë treguar që situate e elektrizuar n ëkëto momente, po përcillet me nervozizëm nga të gjithë. Kjo u jep pak shpresë numëruesve të Lezhës që të shpresojnë se mund të shpëtojnë pa u dërguar në gjyq.

Rastet flagrante

Nga hetimi administrativ i zhvilluar,  nga KQZ kryesisht për Zonën Zgjedhore Lezhë, dhe mbi bazën e kërkesës së Partisë Republikane për Zonën Zgjedhore Shkodër, u konstatuan deformime të rezultateve zgjedhore. U provua se rezultati zgjedhor kishte deformime të rënda në Zonën Zgjedhore Lezhë, ku rasti nga më flagrantët ishte manipulimi në rezultatet e 10 QV për të cilat, anëtarët e KZAZ-së 13 depozituan pranë KQZ-së tabela jo origjinale të rezultatit por të falsifikuara, të cilat për më tepër ishin të korigjuara duke fshirë të dhënat për rezultatin e disa subjekteve zgjedhore. Edhe për Zonën Zgjedhore Shkodër rezultuan ndryshime të numrit të votave për disa subjekte zgjedhore, por pa ndikime në ndarjen e mandateve për këtë qark siç pretendonte subjekti ankues. Mbi bazën e provave, ky proces i kqyrjes së kutive të votimit për këto dy qarqe, dëshmoi parregullsi në plotësimin e tabelave të rezultateve zgjedhore nga grupet e numërimit”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës së djeshme e cila i çon automatikisht, në burg numërusesit e votave të Lezhës

 Dritan Prifti: Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja janë pjesë e sistemit që vjedh votat.

Nga ana e vet, Dritan Prifti, deklaroi dje për gazetën “Telegraf” se Kolegji Zgjedhor është përfshirë në një servilizëm politik dhe nuk bën drejtësi. “Kolegji Zgjedhor  tregoi se  ata nuk bëjnë drejtësi, por serviolizëm politik. Të njëjtën kërkesë si imja për rinumërim në Fier, bëri edhe LSI-ja për Kukësin. Për LSI-në gjyqtarët servilë të Kolegjit i lejuan t’i shikojnë filmimet me ekspertë privatë. Kurse kërkesën time e refuzuan. Ishte indentike e njëjta kërkese  me të njëjtat prova. Unë i kam analizuar vetë faktet dhe kam faktuar  mbi 6.000 vota të vjedhura. Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja janë pjesë e sistemit që vjedh votat Ata që vjedhin votat, apo mbrojnë hajdutët e vjedhjes së votave, nuk e kanë problem të na futin duart në xhepa tona. Unë nuk do të ndalem me vendimin e Kolegjit. Do të bëj kallzim penal për të gjithë  numëruesit që kanë vjedhur votat. Filmimet që kam marrë si prova nga KQZ-ja janë të mjaftueshme për të gjetur vjedhjet dhe vjedhësit e votave”, u shpreh Dritan Prifti, kandidati i pavarur për Qarkun e Fierit..