Nuk mundesh të jesh profesionist i zoti, jashtë qenies tënde sociale

611
Prof. Dr. Tritan Kalo

Shoqëria jonë e këtyre 26 viteve Demon-kraci është bjerrë gradualisht nga shumë virtyte dobiprurëse të trashëguar nga të parët tanë, duke i zëvendësuar ato me vese ndoshta me ndikim përftues personal, por me efekt asfiksues të zhvillimit të saj dhe të gjithë vendit

Jakup B. GJOÇA
Gazetar i “Telegraf”

Prof. Dr. Tritan Kalo, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke pranuar se ne, si popull, vuajmë nga kompleksiteti i inferioritetit pohon se “Fatkeqësia e jonë, si popull jo shumë të emancipuar e të lëçitur, qëndron në faktin se edhe pse themi që: “Nga i dija dhe i dituri kurrë nuk të vjen e keqja”, bëjmë të pamundurën ta nënvlerësojmë e jo rrallë, edhe t’i nënçmojmë ato”. Ndërsa, për të zgjedhurit e popullit (Kastën Politike), Prof. Dr. Kalo, i cilëson “dhespotë”, derisa ata shpërdorojnë votëbesimin e shqiptarëve, për përfitimet e tyre personale, dhe në dëm të Shoqërisë dhe Shqipërisë. Shqipëria është në Udhëkryqin e Historisë së saj. Midis Anarshisë dhe tranzicionit demokratik nga njëra anë, dhe dëshirës dhe Aspiratës së madhe të gjithë shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në Familjen Demokratike Evropiane. Mirëpo, derisa Rrugëtimi drejt Demokracisë, PENGOHET vetvetiu nga vetë shqiptarët. Një pjesë e shqiptarëve, (Militantët partiakë) e presin Integrimin dhe Demokracinë, si Lëmoshë nga Kasta politike, (e cila përjetëson vetveten në Pushtet me Votëbesimin e miletit), duke i nderur asaj dorën e Mëshirës, së pari, të përfituar privilegjet për vetveten, duke shpërfillë të mirën e Shoqërisë. Shumë shqiptarë të tjerë, ende shpresojnë se Integrimi dhe Demokracia në Shqipëri do të vijë vetëm nga SHBA dhe BE, si Ceku i Bardhë, derisa vetë ne shqiptarët i nxjerrim sytë njeri-tjetrit, për hir të Pushtetit. Shqiptarët e vërtetë, Atdhedashësit, intelektualët, Rrugëtimin e Shqipërisë historikisht, e kërkojnë, së pari, nga Sakrifica e Vetvetes në shërbim të Interesave të Shqipërisë. Prof. Dr. Tritan Kalo, thotë në intervistën për “Telegraf”: “Nuk mundesh të jesh profesionist i zoti, jashtë qenies tënde sociale”. 

Prof. Kalo, a kemi Elitë sot në Shqipëri? Elitë intelektualësh? Elitë patriotësh? 
Termi elitë është pak subjektiv në përcaktimin, sepse kufijtë e shtrirjes dhe të dallimit të saj prej individëve të tjerë pseudo-elitarë janë jo të mirëpërcaktuara. Po ashtu, edhe politizimi i tejskajshëm i jetës së vendit tonë, ndikon jo pak në këto kufij. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar njerëzit e mençur, idealistë e atdhetarë. Fatkeqësia e jonë, si popull jo shumë të emancipuar e të lëçitur, qëndron në faktin se edhe pse themi që: “Nga i dija dhe i dituri kurrë nuk të vjen e keqja”, bëjmë të pamundurën ta nënvlerësojmë e jo rrallë, edhe t’i nënçmojmë ato. Ne vuajmë nga kompleksi i inferioritetit para dijes dhe bartësve të saj. Ekziston një thënie e bukur Latine për këtë rast: “Damnant quod non intelligent.” (Ata dënojnë atë çka ata nuk e kuptojnë). Po ashtu, dy eruditë si Çesterfild e Gëte, këtë kompleks inferioriteti të mbuluar me një petk urrejtje, apo përçmimi ndaj elitarit intelektual, do t’i përgjigjeshin reciprokisht: “Njerëzit i urrejnë ata që mbjellin në ta ndjenjën e inferioritetit” (Ç.) dhe “Njerëzit përçmojnë atë që s’e kuptojnë” (G.). Është më e lehtë të urrehet ajo që nuk kuptohet, se të përpiqesh ta kuptosh dhe të bëhesh bartës i saj. Elita ka dhe mjaft cilësore, por ATO pak dëgjohen dhe pak aktivizohen në mirëmenaxhimin e punëve tona.

Ju, si do ta karakterizonit atdhedashësin në ditët e sotme?
Në ditët që kalojmë do të doja të përkufizoja dy kategori atdhedashësit: 
1- Ata, që “Desiderantes meliorem patriam” (Ata dëshirojnë një tokë/atdhe më të mirë), dhe, për t’ia mbërritur kësaj, bëjnë të gjitha përpjekjet, si dhe vënë në punë të gjitha energjitë fizike, shkencore, morale e familjare. Disa prej tyre, si idealistë të përkorë, hynë në atë kategori njërëzish të përcaktuar nga Van Gog se: “Disa njerëz mbajnë vatër të madhe në shpirtin e tyre, por kurrë nuk vjen kush për t’u ngrohur në të.” Puna dhe përpjekjet e tyre do të kujtohen me veneracion dhe do të vlerësohen më mirë nga brezat e ardhshëm. Për fatin tonë të keq ky numër është i pakët dhe jo i mirëpritur nga shumica ektremisht pragamtiste e materialiste e jona si popull.

2- Ata, që Atdheun e konsiderojnë si pronë private, si çifligun e tyre, dhe e shfrytëzojnë atë pa asnjë skrupull etiko-moral. Fatkeqësisht “gjallesa” të tilla ka me shumicë në të gjitha hallkat e të katër “Pusht-shteteve”, në atë Legjislativ, në atë Ekzekutiv, në atë Gjyqësor dhe në Pushtetin Lokal. Janë këta pseudopatriotë ata, që ia nxinë faqen këtij vendi, janë ata që e varfëruan këtë popull, janë ata që fërkojnë duart kur ne marrim udhët e kurbetit, sepse në këtë mënyrë do të kenë më pak gërnjarë nëpër këmbët e tyre, janë ata që e kanë futur Demokracinë në një tunel pa dalje. Me vrasin veshin dhe më errësojnë mendjen fjalët të cilat u vishen atyre se: “janë njerëzit e kohës, njerëzit e suksesshëm të saj.” Unë, si individ, do të isha plotësisht përkrah mesazhit të mëposhtëm në lidhje me atdhedashësin e vërtetë se: “Jeta nuk është të marrësh dhe të kesh, jeta është të japësh dhe të jesh” (Kecin Kurse). 

Cilat janë veset e shoqërisë tonë në ditët e sotme? Cilat janë shkaqet?
Shoqëria e jonë e këtyre 26 viteve Demon-kraci është zhveshur gradualisht nga shumë virtyte dobiprurëse të trashëguar nga të parët tanë, duke i zëvendësuar ato me vese ndoshta me ndikim përftues personal, por me efekt asfiksues të zhvillimit të saj dhe të gjithë vendit. Mirëbesimi, kërkesa për dije, respekti reciprok, toleranca, ndershmëria, vlerësimi i punës dhe jo i fjalëve janë lënë pak nga pak mënjanë duke u zëvendësuar më shpërdorimin e besimit, me hipokrizinë, me arrogancën, mosrespektin, pasurimin e shpejtë, diplomimet pa dije, marrja e titujve shkencorë pa asnjë kontribut për të, ecja mbi shpinën e tjetrit karakterizojnë sot “Njeriun e Ri Demokrat”, i cili pritej të mos ishte një kopje e deformuar e “Njeriut te Ri Socialist”. Individët e pamoralshëm, të dhunshëm, kriminelë, puthadorës, dorëgjatë, pak të shkolluar po na shiten gjithnjë e më shumë si individë pragmatistë, të susksesshëm të mirëorientuar në mjegullnajën tonë evolucioniste tranzicionale. Pak kush e vret mendjen se si këta individë “ish-brekëgrisur” si të gjithë ne para 31.03.1991, u gdhinë “brekëgrisur” dhe u ngrysën “milionerë”. Ka kohë që në shoqërinë tonë nuk shtrohet pyetja se: “Pse duhej të shkatërronim gjithë ato objekte industrial-agrare, të cilat punësonin qindra e qindra mijëra njerëz? Pse të mos i ruanim dhe riaktivizonim mbi një bazë tjetër shoqërizimi të mjeteve të prodhimit? Po mjetet financiare të këtyre objekteve dhe njësive prodhuese agro-industriale ku vanë? Pse shkoi për skrap armatimi e një ushtrie të tërë apo u kontrabandua e u shit një pasuri, e cila i përkiste një populli të tërë? Pse duhet të legalizohet toka e prona e grabitur, dhe të mos i kthehen ato të zot? etj, etj.” Nga individ që e kishim te detyruar ligjërisht punën, si i vetmi burim jetese dhe të mirash materiale, shpejt u kthyem në individë që kërkojmë të pasurohemi shpejt, por jo të dërsijmë. Andaj ju turrëm drogës e prostitucionit, për t’u pasuruar shpejt dhe jo në mënyrë meritore nëpërmjet punës së moralshme. Në këtë çoroditje totale faji është sa individual, po aq edhe shoqëror. Pak, ose shumë pak u punua nga drejtuesit e këtij vendi për të penguar këtë rrënim moral të shoqërisë sonë, me efekt dëmprurës afatgjatë. Përkundrazi, duket si një punë e stisur prej vetë atyre, që të përbaltin sado pak secilin prej nesh, për të na mbyllur sytë e gojën përpara super aferave të tyre korruptive. “Njerëzit janë si bimët: nuk rriten mirë, nëse nuk u kushtohet kujdesi i duhur”, shprehet Monteskie.

Kemi kastë apo klasë politike në Shqipëri?
Kemi një simbiozë të të dyjave, një klasë politike në formë kaste politike, një klasë të kornizuar brenda vetë kastës. U nisëm në udhën e gjatë të Demokracisë më 31.03.1991 me dëshirën e madhe për “ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa”, të prirur shpesh edhe nga individë me të kaluar jo pak të korruptuar nga Regjimi i vjetër Diktatorial, por me dëshirën dhe vrullin e madh në mëndje dhe në zemër se në udhë e sipër elementët e tillë, koha do ti “nxirrte anash” dhe NE do të mundnim të krijonim Klasën e Re Politike të domosdoshme dhe të aftë, për të na drejtuar me sukses drejt Demokratizimit të një shoqërie post-diktatoriale. Në të gjitha këto 26 vite Klasa Politike që ne ngritëm, më shumë u soll ndaj votuesit dhe përftoi prej punës dhe taksave tona si një kastë e mirëfilltë politike, duke u kujdesur, jashtë retorikave elektorale, pak për mbrothësimin e kësaj shoqërie, përpos pasurimit pa fre të vetë anëtarëve të saj. Rezultantja e një qëndrimi të tillë, që është pak t’i thuash i papërgjegjshëm, por më shumë kriminal, është fakti i varfërimit tonë të përditshëm si dhe fakti i turravrapjes emigratore të qindra mijëra Shqiptarëve. Si individë dhe shoqëri, do të na duhet të vijojmë përpjekjet tona të përditësomë, për ngritjen e një Klase Politike të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme për rolin e saj shoqëror. Aristoteli qartazi shprehet për një raste të tillë se: “Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.” Në krahun tonë për të bërë të mundur ngritjen e kësaj klase kemi, sikundër thotë Leon Tosltoj, ndihmesën, që na japin kurdoherë: “Dy luftëtarët më të fuqishëm që janë durimi dhe koha.”

Shpeshherë, kemi dëgjuar politikanin, deputetin, qeveritarin që, për të justifikuar diçka, e cila kundërshtohet me forcë, të thonë: “Më ka votuar populli, ndaj sillem, ndaj veproj, ndaj hartoj dhe miratoj këtë ligj”. Sipas jush, deri ku janë kufijtë e së drejtës të të zgjedhurit në raport me detyrën dhe detyrimin ndaj të zgjedhurve?
-Të zgjedhurit tanë janë të detyruar në përputhje me Kodin Etiko-Moral të të sjellurit në raport me Detyrën e caktuar prej votuesve të tyre si dhe në përputhje me Ligjet në fuqi, të hartojnë dhe të miratojnë Ligje, të cilat në zbatueshmërinë e tyre NUK cenojnë aspak interesat madhore të Vendit tonë, të Popullit tonë si dhe të vetë Kombit Shqiptar, por, përkundrazi, të hartojnë dhe miratojnë Ligje të cilat të përforcojnë funksionalitetin e Shtetit, të nxisin zhvillimin ekonomik e socio-kulturor të vendit, të rrisin shkallën e sigurisë së jetës në vend, të harmonizojnë interesat e individëve dhe të grupeve të interesit me interesat e progresit të përgjithshëm socio-ekonomiko-politik. “Koha e tregon njeriun e ndershëm, kurse të keqin e njeh për një ditë” – thotë Sofokliu. Nëse të zgjedhurit tanë i largohen komunikimit të sinqertë, komunikimit të drejtpërdrejtë me zgjedhësit e tyre, dhe mirëkuptimin e tolerancën fillojnë t’i zëvendësojnë me arrogancën, shpërfilljen dhe intolerancën, ata pak nga pak i shkelin kufijtë e së drejtës dhe detyrimit të tyre ndaj zgjedhësve, e ATA si abuzues të mirëbesimit tonë e në shkelje të plotë të tyre, transformohen në “despotë”, për të cilët H. Truman shprehet se: “Despotët kurrë nuk e mohojnë se liria është e mrekullueshme, veçse ata e dëshirojnë atë vetëm për vete”. 

Ju, si do ta shpjegonit faktin, që Shqipëria është një nga të vetmet vende ishkomuniste, që ende nuk është integruar në Bashkimin Europian, edhe pse shqiptarët janë më europiandashësh dhe amerikandashës se çdo popull tjetër?
Si popull kemi vetinë “të kujtohemi dhe të përpiqemi” jo në kohën e duhur, për të marrë kthesat e dobiprurëse e mirëzhvillimore në udhën e historisë. Ishim të fundit që u shkëputëm prej Prandorisë Osmane, edhe pse prej kohësh nuk kishim më kufij gjeografik me të, po ashtu NE ishim të fundit që iu shkëputëm ish-Sistemit pseudo-komunist të Lindjes, edhe pse përsëri ndodheshim jashtë kufijve të shtrirjes gjeografike të tij. Këto dy fakte nuk duan të thonë aspak se ne, Shqiptarët, jemi më pak pro-perëndimorë, si vendet e tjera të ish Kampit Socialist. Përkundrazi, ne kemi qenë dhe kurdoherë mbetemi si popull shumë europiandashës dhe amerikanëdashës. Mosintegrimi ka të bëjë me faktorët e brendshëm socio-ekonimiko-politik, të cilat nuk i kanë plotësuar standardet dhe e kanë ngritur vendin në cakun e pranimit të tij në BE. Ky mosintegrim varet po ashtu edhe nga faktorë të jashtëm, të cilët ushtrojnë trusni për vonimin, ose mosintegrimin tonë në BE. Natyra ka bërë që të rrethohemi nga fqinj jo shumë dashamirës ndaj interesave Kombëtare Shqiptare, po ashtu edhe në qarqet Evropiane ekzistojnë reminishenca të së kaluarës jo të largët, kur ishin po këto qarqe që na detyruan të jetojmë në pesë vende të ndryshme si Shqiptarë të rrethuar nge vetë Shqiptarët. Në të drejtën Romake ekziston thënia se: “Nemo tenetur se ipsum açusare” (Askush nuk e akuzon vetveten).

Cilin virtyt apo virtyte të shqiptarëve mund të veçonit sot?
Këto 26 vitet e zhigatjeve “demon-kratike” e kanë varfëruar shpirtin dhe jetën e Shqiptarit prej shumë virtyteve, të fituara prej tij ndër shekuj në luftën për ekzistencë individuale dhe kombëtare. Fatmirësisht ne nuk jemi bjerrë plotësisht nga ndjenjat e dashurisë për vendin, jetën, të mirën, të bukurën dhe fisniken, të cilat bulëzojnë herë ndrojtur dhe herë më me forcë në shpirtin e shumicës sonë. “Njeriun e bën të lumtur madhështia shpirtërore dhe pasuria mendore” thekson Shopenhauer.

Ju, Prof. Kalo, si e shpjegoni faktin që shqiptarët kanë tjetër sjellje dhe tjetër mendësi, kur jetojnë larg Shqipërisë dhe integrohen shumë shpejt në shoqërinë ku emigrojnë?
“Vetmitari” Shqiptar i emigracionit ka dallime thelbësore nga “vetmitari” Shqiptar, që zhigatet udhëve të jetës në “Atdhe quhet toka, ku më ka lerë koka..” Në emigracion ke vetëm një mundësi, të ekzistosh, apo të zhdukesh. Koha e ka treguar se ne si individë, por jo pak edhe si popull, kemi ditur t’u rezistojmë vështirësive të çdo kohe, kemi mbijetuar dhe do të mbijetojmë. Të ndryshuarit të mendësive tona, të përpjekurit për një integrim të shpejtë dhe cilësor kudo që na kanë hedhur dallgët e jetës, flasin për një koeficient të lartë inteligjence që ne mbartim. Të qenit shumë pranë njëri tjetrit ndoshta shihet si angështi, si mungesë fushe ekzistence e këtij uni, andaj ai i bën karshillëk dhe shtyhet me ato që ka afër tij, pra me bashkëkombasit e tij. Këtë mundësi dhe konfort të të shprehurit të “unit të tij” Shqiptari e ka të pamundur jashtë trevave shqipfolëse. Gjithsesi, ne në thelb si individ jemi “Perëndimorë”, pavarësisht “Lindorizmave” që na janë ngërthyer në mendjen tonë për shkak të kryqëzimit të kulturave dhe influencave në këtë udhëkryqin tonë Ballkanik, si dhe për shkak të 500 viteve të Sundimit Osman. “Detyra e përditshme e një perëndimori është: Vepro gjithmonë në një mënyrë të atillë, që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët, pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore. Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo frikësime fetare, por vetëm e vetëm në emër të një njerëzimi më të lartë, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal. Dhe shpirti fisnik i një perëndimori është pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik….”(Prof. Krist Maloki: “Perëndimor apo Lindor”, Gazeta “Përpjekja Shqiptare” 1937).

Përse ne shqiptarët bëjmë më shumë politikë kafenesh, sesa të protestojmë fuqishëm kundër çdo qeverisjeje, kur e kuptojmë që keqqeverisja na dëmton interesat vetjake, kombëtare?
U bënë kohë që ne si popull i kemi futur “kutisë së shpejtësisë” së motorit tonë zhvillimor, vetëm marshin e parë, i cili shërben sa për t’i dhënë hov motorit, sa për të vajisur mekanizmat e tija, dhe jo për të përshkruar një udhë të tërë. Kuptohet, është më mirë se të mos e vësh fare në lëvizje vetë motorin, që me kohë do të bukosej/ndryshkej fare. Të rrethuar dhe të zhytur në egocentrizmin tonë shembullor për vetë kuptimin e këtij termi filozofik, e kemi më të lehtë të japim mend, të këshillojmë, të parashikojmë deri edhe kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Amerikën e largët, dhe pak shumë pak veprojmë të dalim nga kjo guaskë konformizmi ekstrem egocentrik, dhe t’i vejmë gjoksin problemeve të shumta të së sotmes dhe të së ardhmes sonë. Ndjenja e solidaritetit, e shqetësimeve kolektive është zbehur shumë në këto 26 vite përballë pangopësisë për mirëqenie individuale dhe familjare. Ne si popull jo se nuk dimë, apo nuk i njohim shqetësimet tona, por preferojmë t’i lëmë ato t’i zgjidhë vetë koha, ose për më keq, presim të na i zgjidhin të tjerët. Këtë situatë Rusoi mundej të përshkruante si në vijim: “Njerëzve u vjen e keqja shumë më tepër nga iluzionet, sesa nga mosdija. Shumë më pak na dëmton ajo që s’e dimë, sesa ajo që mendojmë se e dimë.” Zhytjes tonë në këtë apati asfiksuese për fatet tona individuale, kolektive dhe kombëtare “i kanë dhënë një dorë të mirë” edhe varfëria ekstreme, në të cilën janë zhytur një pjesë jo e neglizhueshme e jona, çka bën që shumë prej nesh të frymojnë vetëm për të ekzistuar dhe jo edhe për të menduar. Me indiferencën apo kontributin e gjithsecilit prej nesh, kemi mbërritur në një situatë që i ngjason vargjeve të mëposhtme:

“Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.”
“O moj Shqypni”, Vaso Pasha, 1878
(Vijon nesër)
BOKS
Pseudoatdhedashësit:
Ata, që Atdheun e konsiderojnë si pronë private, si çifligun e tyre, dhe e shfrytëzojnë atë pa asnjë skrupull etiko-moral. Fatkeqësisht “gjallesa” të tilla ka me shumicë në të gjitha hallkat e të katër “Pusht-shteteve”, në atë Legjislativ, në atë Ekzekutiv, në atë Gjyqësor dhe në Pushtetin Lokal. Janë këta pseudopatriotë ata, që ia nxinë faqen këtij vendi, janë ata që e varfëruan këtë popull, janë ata që fërkojnë duart kur ne marrim udhët e kurbetit, sepse në këtë mënyrë do të kenë më pak gërnjarë nëpër këmbët e tyre, janë ata që e kanë futur Demokracinë në një tunel pa dalje
1
Fatkeqësia e jonë, si popull jo shumë të emancipuar e të lëçitur, qëndron në faktin se edhe pse themi që: “Nga i dija dhe i dituri kurrë nuk të vjen e keqja”, bëjmë të pamundurën ta nënvlerësojmë e jo rrallë, edhe t’i nënçmojmë ato. Ne vuajmë nga kompleksi i inferioritetit para dijes dhe bartësve të saj
2
Nga individ që e kishim te detyruar ligjërisht punën, si i vetmi burim jetese dhe të mirash materiale, shpejt u kthyem në individë që kërkojmë të pasurohemi shpejt, por jo të dërsijmë. Andaj ju turrëm drogës e prostitucionit, për t’u pasuruar shpejt dhe jo në mënyrë meritore nëpërmjet punës së moralshme. Në këtë çoroditje totale faji është sa individual, po aq edhe shoqëror
3
Kemi një simbiozë të të dyjave, një klasë politike në formë kaste politike, një klasë të kornizuar brenda vetë kastës
4
Nëse të zgjedhurit tanë i largohen komunikimit të sinqertë, komunikimit të drejtpërdrejtë me zgjedhësit e tyre, dhe mirëkuptimin e tolerancën fillojnë t’i zëvendësojnë me arrogancën, shpërfilljen dhe intolerancën, ata pak nga pak i shkelin kufijtë e së drejtës dhe detyrimit të tyre ndaj zgjedhësve, e ATA si abuzues të mirëbesimit tonë e në shkelje të plotë të tyre, transformohen në “despotë”
5
Si popull kemi vetinë “të kujtohemi dhe të përpiqemi” jo në kohën e duhur, për të marrë kthesat e dobiprurëse e mirëzhvillimore në udhën e historisë
Sigal