Nuk mund të jem në përbërje të trupës gjykuese, që do të ngarkohej me shqyrtimin e kësaj çështjeje

753
Sigal

Pas akuzave: Letra e hapur e Gjykatësi Ardian Dvorani, drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori

Drejtori i TCH Ben Blushi është takuar me gjykatësin Ardian Dvorani, anëtarin e Gjykatës së Lartë, i cili është edhe në trupën gjykuese për pronësinë e televizionit, e cila po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Më datën 25 Maj, Dhoma e Këshillimit në Gjykatën e Lartë do shqyrtonte në parim trajtimin e çështjes për pronësinë e Top Channel (Vjollca Hoxha & fëmijët, vs. Aurel Baci, Albert Sino). Trupa gjyqësore ishte e përbërë nga gjyqtarët Artan Broci, Shkëlzen Selimi dhe Medi Bici. Gjyqtari Medi Bici dha dorëheqjen më herët nga çështja. Datën e seancës, më 25 Maj, në seancë është paraqitur gjyqtari Ardian Dvorani, ndërsa pala kundërshtare me Vjollca Hoxhën në gjyq, pretendon se Dvorani ka kërkuar të imponojë prezencën e tij në gjyq, sepse ai nuk ishte shortuar dhe nuk ishte zgjedhur me procedurë, anëtar i trupës, për zëvendësimin e Medi Bicit. Mësohet se kjo seancë e datës 25 Maj është ndërprerë, pasi gjyqtari Shkëlzen Selimi ka kërkuar kohë të njihej me aktet e dosjes.

Reagimi i gjyqtarit

Gjykatësi Ardian Dvorani, anëtari i Gjykatës së Lartë i ka dërguar një letër publike Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhazair Zaganjori, ku ndër të tjera, i shpjegon arsyet pse nuk duhet të jetë as zëvendësues i gjykimit të kësaj çështjeje.

Në datën 07.06.2018 jam njohur me një Kërkesë, të nënshkruar nga kërkuesit, zotërinjtë Albert Sino dhe Aurel Baçi, e depozituar në Gjykatën e Lartë, e cila ka për objekt kërkimin e përjashtimit tim nga gjykimi i çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017 dhe përmban motivet përkatëse të asaj Kërkese. Nga konsultimi me sistemin elektronik të Gjykatës, sikurse parashtrohet edhe në Kërkesën për përjashtim, çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 ka si palë ndërgjyqëse paditëse Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha etj., dhe palë të paditura, kërkuesit Albert Sino dhe Aurel Baçi. Shkak ligjor dhe objekt i padisë është detyrimi i të paditurve të njohin paditësit pronarë mbi 60% të aksioneve të shoqërisë “Top Channel” sh.a, për shkak se kontrata e shit-blerjes së aksioneve nr. 1154 Rep./598/2 Kol datë 15.06.2007 është absolutisht e pavlefshme etj. Sipas sistemit elektronik relator i çështjes është gjyqtari Artan Broci. Kopjen e të dhënave publike të sistemit për këtë çështje e gjeni bashkëlidhur. Kërkuesit, zotërinjtë Albert Sino dhe Aurel Baçi, kërkesën e tyre për “përjashtimin tim” nga gjykimi i kësaj çështjeje civile e mbështesin në këto motive :

– Në datën 24.05.2018, në orën 18.00 për rreth një orë e tridhjetë minuta unë jam takuar dhe kam qëndruar me zotin Ben Blushi, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Top-Channel, në bar-restorant “Panevino” të Hotel Plaza në Tiranë.

– Ditën e nesërme, pra në datën 25.05.2018, unë kam marrë pjesë në përbërje të Kolegjit Civil që ka shqyrtuar çështjen civile të sipërcituar.

– Kjo pjesëmarrja ime në përbërje të Kolegjit Civil për shqyrtimin e çështjes është kryer në shkelje të ligjit, sepse unë nuk jam anëtar i atij Kolegji dhe nuk ka pasur procedurë shortimi për caktimin tim në përbërje të Kolegjit Civil për shqyrtimin e çështjes së tyre.

– Pjesëmarrja ime në përbërje të Kolegjit Civil për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në kushtet e njohjes me zotin Ben Blushi – Drejtor i Përgjithshëm i Top-Channel dhe takimit me të një ditë më parë përbën rrethanë të rëndë papajtueshmërie me rolin e gjyqtarit në këtë proces.

– Njëkohësisht parashtrohet se, megjithëse i pacaktuar rregullisht me short, kam marrë pjesë edhe në dy seanca të tjera për shqyrtimin e çështjes gjatës javës pasardhëse, duke këmbëngulur për shqyrtimin e çështjes.

Zoti Kryetar, meqenëse Kërkesa për përjashtim i është drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe për dijeni mua dhe gjyqtarit relator të Kolegjit Civil. Duke respektuar shqetësimin e Kërkuesve dhe duke shqyrtuar motivet e tyre për paraqitjen e Kërkesës, vlerësoj se është vendi që të parashtroj qëndrimin tim lidhur me sa përmban Kërkesa, e cila kërkoj që t’i bëhet e njohur menjëherë edhe Kërkuesve, zotërinjve Albert Sino dhe Aurel Baçi, si edhe palëve paditëse në gjykim Vjollca Hoxha etj., ashtu edhe publikut.

Së pari, është e vërtetë se jam takuar me zotin Ben Blushi. Me zotin Ben Blushi njihemi, personalisht dhe familjarisht, prej më shumë se 35 vjetësh. Për shkak të rrjedhave të jetës dhe të karrierave përkatëse, ndonëse nuk ndodhin shpesh, me thirrjen a kërkesën e njëri-tjetrit, apo kur është rasti, dëgjohemi dhe shikohemi për të biseduar në përgjithësi. Një rast i tillë, ka qenë edhe takimi dhe biseda me zotin Blushi, në datën 24.05.2018 në bar-restorantin e hotel Plaza, jo rastësisht si vend takimi, sepse është fare pranë banesave të prindërve dhe të afërmve tanë, që secili prej nesh i viziton shpesh, sikurse ndodhi edhe atë ditë. Biseda jonë ka pasur tema nga më të ndryshmet, por në asnjë moment biseda mbi çështje konkrete gjyqësore, përfshirë edhe atë për të cilën është paraqitur Kërkesa.

Së dyti, jo vetëm të nesërmen e takimit me zotin Blushi, pra në datën 25.05.2018, por as edhe në ndonjë datë tjetër të mëparshme apo të mëvonshme, nuk kam marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017, për të cilën Kërkuesit kërkojnë përjashtimin tim.

Unë jam gjyqtar i Kolegjit Administrativ dhe jo i Kolegjit Civil. Pra, si rregull, nuk kam në cilësinë e relatorit çështje civile për shqyrtim dhe nuk kam detyrimin të marr pjesë në shqyrtimin e çështjeve civile në Kolegjin Civil.

Është e vërtetë se në datën 25.05.2018, në cilësinë e gjyqtarit zëvendësues, sipas grafikut detyrues të shortuar kohë më parë, kam marrë pjesë në shqyrtimin e disa kërkesave dhe rekurseve në dhomën e këshillimit të Kolegjit Civil, me relator gjyqtarin Artan Broci. Më saktësisht kam marrë pjesë në shqyrtimin dhe kam disponuar për 10 kërkesa dhe rekurse për çështje të ndryshme civile. Në këtë ditë gjykimi, në dhomën e këshillimit të Kolegjit Civil nuk është shqyrtuar çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 ku kërkuesit janë në cilësinë e palës së paditur.

Së treti, pjesëmarrja ime si gjyqtar zëvendësues (i gatshëm) në përbërje të dhomës së këshillimit të Kolegjit Civil të datës 25.05.2018 nuk ka qenë e parregullt apo vullnetare. Sipas rregullave të funksionimit të Gjykatës së Lartë, aq më tepër në periudhën pas muajit Shtator 2017 ku jemi vetëm 9 gjyqtarë dhe nuk mund të funksionojnë normalisht secili nga tre kolegjet e kësaj Gjykate, bazuar në Urdhrin nr. 322 datë 26.12.2017, për çdo javë punë, për të plotësuar trupat gjykuese në rast mungese, papajtueshmërie a mosformimi të trupave gjykuese, nga një gjyqtar i secili Kolegj ka detyrimin të jetë i gatshëm të marrë pjesë në plotësimin e trupës gjykuese të kolegjeve të tjera të Gjykatës së Lartë për çështjet që ata programojnë për shqyrtim në javën përkatëse. Pikërisht, sipas shortimit të gjyqtarëve të gatshëm, për javën 21-25 maj 2018, kam qenë i caktuar i gjyqtar i parë zëvendësues (i gatshëm) për plotësimin e trupave gjykuese të Kolegjit Penal dhe të Kolegjit Civil, nëse ata do të kishin nevojë për plotësim të trupës gjykuese. Prandaj pjesëmarrja ime në dhomën e këshillimit të datës 25.05.2018 ka qenë përmbushje e detyrimit tim për të marrë pjesë në plotësimin e trupës gjykuese të Kolegjit Civil, meqenëse njëri nga gjyqtarët ishte në mungesë. Gjithsesi, theksoj se, në këtë datë, ndryshe nga sa tregohet në Kërkesën për përjashtim, çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 nuk është shqyrtuar. Po kështu, as para kësaj date dhe as deri më sot nuk kam marrë pjesë në shqyrtimin e saj.

Së fundi, nisur nga rrethanat konkrete të këtij rasti, ndonëse asnjëherë nuk kam marrë pjesë në shqyrtim, por nëse në të ardhmen për shkak të procedurave të shortimit do të gjendem përpara detyrimit për të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017, ndjej detyrimin dhe vlerësoj të shprehem paraprakisht se nuk mund të jem në përbërje të trupës gjykuese që do të ngarkohej me shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në rastin e çështjes konkrete, nisur nga rrethanat e krijuara, ndjeshmëria e çështjes dhe e palëve, fakti i vërtetë që jam takuar me zotin Ben Blushi – tashmë Drejtues i Top-Channel (me të cilin njihemi dhe shikohemi prej më shumë se 35 vjetësh dhe ndonëse atë ditë nuk kam biseduar për çështje gjyqësore), më sjell në bindjen dhe qëndrimin e palëkundur, se është cenuar paanshmëria ime, edhe pse në dukje, në lidhje me mundësinë që në të ardhmen të jem pjesë e trupës gjykuese për shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017. Prandaj, duke mos qenë pjesë e trupës gjykuese në shqyrtimin e kësaj çështjeje, nuk kam ende arsye procedurale për të hequr dorë nga gjykimi i saj, sikurse parashtrojnë Kërkuesit në kërkesë për përjashtimin tim. Megjithatë, këtë Kërkesë për heqje dorë do ta paraqes, pashmangshmërisht dhe menjëherë, kurdo që të jetë rasti, nëse rrjedh nga shorti, që të ngarkohem me detyrimin për të marrë pjesë në këtë gjykim. Njëkohësisht ju bëj me dije se, krahas Kërkesës drejtuar Gjykatës së Lartë, ditën e djeshme, tashmë sot edhe në mjetet e medias po shfaqen njoftime dhe informacione mbi këtë rast. Prandaj, jam në të drejtën time si njeri dhe gjyqtar, si edhe në detyrimin tim për korrektesë e transparencë me palët dhe publikun që këtë parashtresë t’ia komunikoj edhe mjeteve të informimit publik.

Ardian Dvorani

Gjyqtar, Gjykata e Lartë