Nuk mund të bashkëqeveriset me elementë me rekorde kriminale, që na vjedhin të ardhmen

553
Raporti vjetor i DASH për zhvillimin në vendet e Botës, duke iu referuar situatës në Shqipëri, theksonte ndër të tjera, se në parlamentin shqiptar janë edhe trafikantë të dënuar. Çuditërisht, klasa poitike nuk reagoi, në përgjigje të kësaj deklarate. Përkundrazi, u dëgjuan edhe përgjigje, se Kushtetuta jonë nuk ndalon dot asnjë person në Shqipëri që të mos zgjidhet, qoftë edhe në parlament, nëse nuk është dënuar në Shqipëri, pavarësisht, se është dënuar në ndonjë vend tjetër dhe e ka kryer dënimin. Ndërkohë, që në Shqipëri pritet të shkojë për miratim në parlament edhe projektligji për Reformën në Drejtësi. Pyetja që bëjnë të gjithë është: A do ta diskutojnë këtë projektligj në parlament edhe deputetët trafikantë, siç i cilëson raporti i DASH? Dhe më tej: Sa vlerë do të ketë një ligj për reformën në drejtësi, i cili është përgatitur dhe miratuar nga deputetë me rekorde kriminale? Mirëpo, jehona e çështjes së de-kriminalizimit të politikës shqiptare vazhdon që të jetë e ndjeshme edhe në Bruksel. Një nga zërat më të fortë të asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack, ka kritikuar ashpër qeverisjen Rama gjatë punimeve të kësaj asambleje në Bruksel. Në një intervistë nga Brukseli eurodeputetja Doris Pack tha se kryeministri Rama ka venë në poste publike si dhe ka lejuar hyrjen ne parlament te njerëzve me të shkuar kriminale. Sipas saj, Edi Rama është një regjisor i mirë që bën të harrohet realiteti problematik në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” sjell edhe prononcimet e politikanëve, analistëve për këtë çështje. Analistja Zamira Çavo, flet për “Telegraf” dhe pohon se Pack shquhet kundër të Majtës, shqetësuese është realiteti i së Djathtës shqiptare. Megjithatë problemi është megalomania e lidershipit qeverisës, sepse demagogjia e shndërron “vendin në një vend të “bukur e në zhvillim” për sytë e të huajve dhe të varfër e me plot probleme për ne”. Ndërsa Shenasi Rama pohon se ne na qeveris një bandë kriminale, Paria e Tiranës, të cilët na vjedhin të ardhmen. Deputeti Dash Shehi, shton se deputetët me rekorde kriminale duhet të dorëhiqen ose të largohen deri në fundviti. Deputeti Agron Duka thekson se këto janë çanga për kryeministrin. Ish deputeti Marko Bello thekson se num mund të bashkëqeveriset me element kriminalë dhe se deputetët tanë nuk mund të stigmatisin politikanët europianë si armiq të së Majtës shqiptare. Ndërsa kryetari i Frontit të Majtë, Marko Dajti thotë se Rama e ka tradhëtuar të Majtën, derisa qeveris me kriminelë e me njerëzit e Berishës. 
Intervista:
-Ju keni qenë shumë kritike në Asamblenë Politike për situatën në Shqipëri. Pse?
– Mjafton të shohësh realitetin. Ka persona që nuk kanë asnjë vlerë për të mbajtur poste në Shqipëri dhe socialistët ju kanë dhënë poste publike. Ka bashkiakë që rezultojnë të akuzuar dhe ndoshta të gjykuar për çështje kriminale në të shkuarën. Në këtë legjislacionit të Parlamentit shqiptar ka shumë persona që kanë një të shkuar kriminale. Nuk bëhet kështu politika. Qytetarët humbasin një gjë të shtrenjtë, besimin. Është për këtë arsye që mbështes zotin Basha, që e ka denoncuar këtë situatë. Zoti Rama është një regjizor i mirë. Ai di si të prezantohet të dhe të shpërqëndrojë vëmendjen, duke bërë të harrohet se ç’ka bërë nga mbrapa. Është ai që i ka venë këta njerëz në këto poste dhe ka mbrojtur të tilla kandidatura. Për këtë arsye, u shpreha me tone kritike në asamblenë politike dhe thashë që duhet ndihmuar zoti Basha për luftën e tij për një politikë të pastër , për një Shqipëri të denjë.
– Pra, për ju, ka një lidhje të pushtetit të krimit gjatë kësaj qeverisjeje?
– Po, qytetarët e dinë dhe ambasadorët e BE-së në Shqipëri duhet ta dinë. Ata duhen të jenë shumë më preçizë mbi këto fakte dhe t’ua raportojnë ato kryeqyteteve të tyre. Prandaj, nuk mjafton që e thotë vetëm zoti Basha këtë. Mund të thuhet, që këto denoncime vijnë nga opozita. Por çështja është se nuk është vetëm opozita që i njeh këto fate. Qytetarët vetë i njohin mirë. Ndaj zoti Basha meriton mbështetjen tonë.
– Sipas jush, rritja e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani shpjegohet me përkeqësimin e situatës në vend?
– Po. Basha i është referuar shifrave në rritje të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Shtrohet pyetja: përse? Ekziston një klimë shumë e vështirë për personat që nuk janë në të njëjtat në parti në pushtet apo që nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me pushtetin. Ndaj, Basha duhet mbështetur, por jo për një çështje solidariteti midis partive tona politike, por për një politikë serioze dhe të qartë për Shqipëri. Nëse do të kishte perosna me të shkuar kriminale në gjirin e demokratëve, unë do t’a kisha denoncuar me të njëjtën forcë. Por deri tani, më rezulton, që personat me të shkuar kriminale gjenden në gjirin e socialistëve.
-Sipas jush, pse Angela Merkel nuk i kushtoi shumë vëmendje Ramës gjatë samitit të Vjenës? Pse nuk e takoi Ramën?
– Kancelarja Merkel ka punë të tjera për të bërë . Nuk bëhet fjalë për një histori dashurie këtu. Ajo është shumë e zënë dhe nuk ishte e nevojshme që të takojë në mënyrë të veçantë Ramën. Kjo shihet kështu në Shqipëri në fakt dhe jo në kryeqytetet e tjera. Dhe kjo sepse Rama thotë, që ai dhe kancelarja gjermane formojnë një çift, sigurisht jo në dashuri, por që kanë afrimitet dhe vlerësojnë njëri tjetrin. Unë shpresoj që Angela Merkel të shohë problemet në Shqipëri dhe që t’ia thotë Ramës. Dhe për këtë arsye, Basha duhet të dëgjohet dhe mbështetet nga liderët e Partisë Popullore Europiane, sepse Shqipëria po vuan. Nuk është Partia Demokratike që po vuan, është Shqipëria që po vuan, me një situatë te keqe për të cilën sapo folëm.

Flasin për “Telegraf”
Prof. Asoc. Zamira Çavo: Pack, kundër së Majtës. Problem megalomania e lidershipit qeverisës
Doris Pack është një eurodeputete pasionante. Pasionin e saj kundër së Majtës nuk ka ngurruar ta shprehe asnjëherë. Në mendimin tim, me këto deklarata të fundit, aspak diplomatike, e dëshmoi se problemi i saj për të djathtën shqiptare është emergjent. Ndoshta vetë situata brënda PD-ës e ka shqetësuar. Ndryshe nuk mund të shprehej dot kaq shpesh në favor të një individi, i cili është përgjegjës si për krime ekonomike dhe për krimin e 21 Janarit. Mbase dhe frika se ky individ dhe të tjerë si ky do duhet të japin shumë shpejt llogari, e ka bërë edhe më të ndjeshme këtë frikë. Por nga ana tjetër, e mendoj se në të gjithë këtë folklor politik, ajo ka diçka, së cilës i duhet vënë veshi: Megallomaninë e lidershipit qeverisës si dhe problemet e mprehta që ka vendi. Këtu duhet të jemi të gjithë vigjilentë, sepse demagogjia jo rrallë po e shndërron vendin në një vend të “bukur e në zhvillim” për sytë e të huajve dhe të varfër e me plot probleme për ne. Por kjo besoj pak i intereson Doris Packut! 

Prof. Dr. Shenasi Rama:Të gjithë politikanët tanë janë një bandë, që na vjedhin të ardhmen
Deklarata e Doris Pack i bie në shenjë gjendjes. Qytetarët shqiptarë ikin, sepse nuk kanë shpresë e nuk kanë besim tek shërimi i gjendjes. Populli e tregon besimin e pakët që ka tek qeveria dhe Paria e Tiranës, edhe duke u tregtur rrugëve të botës. Por oligarkët tanë jetojnë në një parajsë të paparë dhe shkojnë në BE për të pazarin me zonjat e dashnoret në fund të javës. Kur ke këtë gjendje që kemi ne, është pak me thanë se krimi është në pushtet. Ama, është po ashtu një fyerje për ne shqiptarët që me u sjellë si kjo zonja që e ndan Bashën mënjanë nga oligarkia e Tiranës. Në shtetin shqiptar ka vetëm një oligarki, ajo është oligarkia e Tiranës dhe pjesë e saj janë të gjithë ata që drejtojnë shtetin shqiptar në të gjithë partitë. Jemi një shtet mafioz e kriminal, na drejtojnë kriminelët dhe deklarata si kjo bëjnë që të humbet kredibiliteti i BE-së. Këta janë një bandë, sundojnë bashkë, vjedhin bashkë, trafikojnë bashkë, i kanë bërë të gjitha bashkë dhe duhet të shihen ashtu si janë, një bandë kriminale që na kanë vjedhur të ardhmen të gjithë shqiptarëve.

Dashamir Shehi: Deri nag fundviti, duhet të pastrojmë deputetët e inkriminuar
Azilantët shqiptarë ikin nga Shqipëria për 1.000 motive, por që në Shqipëri ka njerëz të kriminalizuar në politikë, e dimë prej kohësh. Tani nga vjeshtja shpresojmë që të fillojë një proces dekriminalizimi, qoftë me ligjin “Për reformën në drejtësi”. Kështu që çfarëdo lloj mbështjetjeje që i bëhet Shqipërisë nga komuniteti ndërkombëtar është pozitive. Kjo tregon që rezistenca e forcave progresive në Shqipëri ka lënë gjurmë dhe ka çuar mesazhin edhe në qëndrat vendimmarrjeje politike të Brukselit e SHBA. Ndaj me këtë temë, tashmë duhet të merremi seriozisht. Nëse do të hiqen nga skena politike 3-4 personazhe në Parlament, do të fitonte gjithë politika, jeta publike. Unë shpresoj që përtje ligjit të dekriminalizimit, të largohen të inkriminalizuarit, sepse të miratojmë ligje që të mbeten formale, nuk ka kuptim. Shpresoj që nga tetori të miratojmë reformën në drejtësi dhe deri në fundviti, të kemi largime të këtyre deputetëve të inkriminuar. 

Agron Duka: Kjo është çangë për kryeminstrin, duhet të reagojë
Mua nuk më çudit ajo që thotë eurodeputetja Pack, sepse këto i ka thënë opozita me kohë dhe janë fakte që nuk kundërshtohen. Për mua, nuk është shumë e rëëndësishme që e thotë Pack, ose dikush tjetër. E rëndësishme është se realisht shqiptarët poi kin nga Shqipëria, u ka humbur shpresa se mund të jetojnë më këtu, dhe kjo dëshmon sa dobët është ekonomia jonë. Realisht ka njerëz me rekorde kriminale, që janë në krye të bashkive, këtu në parlament, edhe në poste të rëndësishme drejtuese. E rëndësishme është që problemi i kriminalizimit qëndron më shumë se ajo që thonë të huajt. Kjo është çangë për kryeministrin. Është njw zë i fuqishëm më shumë, që kryeministri të marrë masa. Kurse opozita, duhet të shërbejë si kalë beteje, për format e oponencës, deri në protesta. Sa do reagojë populli, kjo do tregohet në të ardhmen e afërt. Unë kam përshtypjen se reagimi do jetë i fuqishëm. 

Marko Bello: Qeveritarët tanë nuk mund të qeverisin me element me të kaluar kriminale
Shqetësimi që ngre znj Pack është një këmbanë alarmi për qeveritarët shqiptarë, të cilët duhet të kuptojnë se nuk mund të qeverisin bashkë me elementë me të kaluar kriminale. Më shumë se përfaqësuese e së djathtës europiane, Doris Pack flet si mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e cila e kupton se kjo mënyrë e të sjellurit nga ana e politikanëve shqiptarë dëmton në radhë të parë interesat e Shqipërisë dhe vë në rrezik të ardhmen europiane të popullit shqiptar. Pack është në sinkron me qëndrimet e Brukselit dhe Ushingtonit dhe gabojnë rëndë ata që e stigmatizojnë atë si armike të së Majtës apo, më keq akoma kërkojnë ta ridikulizojnë me gjithfarë epitetesh. Janë këta bandillë që hiqen si nacionalistë dhe sovranistë thjesht për të maskuar korrupsionin dhe shkatërrimin që po i përgatisin të ardhmes europiane vendit.

Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë: Shqipëria ka 23 vjet që qeveriset nga kriminelë. Rama i ka tradhëtuar të Majtët
Dorias pak nuk tha ndonjë gjë që ne se dinim. Ka 23 vjet që shteti shqiptar drejtohet nga kriminelë të korruptuar, hajdutë të pasurise publike, vjedhës votash, mashtrues ordinerë që gjithmonë kanë patur mbështetjen e fuqishme nga vendet perendimore. Por e reja e kësaj deklerate është se votuesve të majtë dhe aleatëve akoma ju duket e pabesushme kur shikojnë dhe dëgjojnë se kryetari i tyre i ka tradhëtuar dhe po drejton vendin me këto njerëz të inkriminuar dhe si aleatë kryesor ka zgjedhur parti të djathta që drejtohen nga ish njerëzit më të afërt të Berishës.
Somario
Në shtetin shqiptar ka vetëm një oligarki, ajo është oligarkia e Tiranës dhe pjesë e saj janë të gjithë ata që drejtojnë shtetin shqiptar në të gjithë partitë. Jemi një shtet mafioz e kriminal, na drejtojnë kriminelët dhe deklarata si kjo bëjnë që të humbet kredibiliteti i BE-së
Sigal