“Nuk ka opozitë që të dëshirojë të ndryshojë Shqipërinë”

522
Sigal

INTERVISTA/ Dashamir Shehi, Kryetari i  LZHK-së: “Realiteti shqiptar tregon që ne nuk e meritojmë të jemi në Europë”

Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së, në intervistën për “Telegraf”,  shpjegon se, shqiptarët nuk janë edhe shumë të interesuar për integrimin në Europë, derisa me shembullin e tyre nuk duan të jenë demokratikë si qytetarët e Familjes Europiane, që të zbatojnë ligjin, por u është mjaftuar heqja e vizave, si …integrim.  Njëkohësisht, zoti Shehi thotë se, nuk ka opozitë, që të dëshirojë që të ndryshojë Shqipërinë. Qëllimi i kësaj opozite të sotme, është të heqë Berishën e të vijë ajo që të kontrollojë këtë Shqipëri të çakërdisur. Vetëm kaq!

– Zoti Shehi, ç’do të thotë për shqiptarët mosmarrja për herë tretë e eurostatusit?

– Një zvarritje e një situate që duhet ta kishim zgjidhur me kohë. Por, më e keqe se mosmarrja e statusit është frenimi i vendit, largimi i proceseve integruese. Unë nuk e shikoj si dramë mosmarrjen e statusit, por gjykoj, që Shqipëria, këto standarde që i shtrohen, duket t’i realizojë për veten e saj, për shqiptarët e jo për hir të një statusi. Sepse, ka edhe shtete të tjera që nuk janë në Europë dhe jetojnë në regjime dinjitoze demokratike. Kjo duhet të na shqetësojë më shumë se sa mosmarrja e statusit. Realiteti shqiptar tregon që ne nuk e meritojmë statusin.

– Ndonjë forcë politike i intereson që ne të jemi akoma në këtë parademokraci?

– Unë gjykoj që të gjitha forcat politike, e sidomos,  PD-PS nuk u intereson që të jemi të integruar në Europë. Vetëm duke mos qenë në BE, mund të bëhen këto që po ndodhin në Shqipëri. Mungesë e shtetit, mungesa e kontrollit mbi gjithçka, niveli i korrupsionit, demagogjitë e kota, një sistem arsimor që kemi sot, mundësia për t’u pasuruar menjëherë pa kontribuar asgjëkundi, mospagimi i taksave. Po të ishim në syrin vëzhgues të institucioneve europiane, nuk do të bëheshin këto punë.

Mungesën e vullnetit politik të klasës politike për të realizuar aspiratën e integrimit të  shqiptarëve, si mund ta shpjegoni?

Edhe kjo aspiratë e shqiptarëve për t’u integruar në Europë, unë gjykoj se nuk është fort e vërtetë. Të jemi realist, shqiptarët nuk janë shumë europianë. Nuk është se ka ndonjë dëshirë edhe vetë populli të integrohet në Europë. Kush nuk e paguan energjinë elektrike? Populli. Kush ndërton pa leje? Kush shpërdoron tokën bujqësore? Kush zë pronën e tjetrit? Kush nuk i paguan taksat? Populli shqiptar. Kjo ideja që populli shqiptar është i mirë, e të këqijtë qëndrojnë sipër, kjo nuk qëndron.

– Sa e vërtetë është që PD-PS, kështu siç e bëjnë debatin, kërkojnë të përfitojnë kapital politik elektoral mbi kufomën e dështimit të integrimit?

Unë gjykoj që të gjitha palët mundohen të përfitojnë politikisht, sepse jemi në fushatën zgjedhore. Kjo fushatë do të shtyhet me llafollogjitë paraelektorale dhe me rezultatin e zgjedhjeve do të duket nëse shumica e shqiptarëve i ka përtypë këto lloj përrallash, apo ka filluar të reflektojë e të gjykojë drejtësisht dhe në qoftë se nuk jeton mirë, ka të drejtën me votë të ndëshkojë.

Mos vallë në plan të parë, për çdo forcë politike, pa përjashtim është pushteti dhe aspak ndërtimi i bazave të shëndosha të një shoqërie demokratike?

– Qëllimi i strategjive politike është si të vijnë në pushtet. Kjo dëfton që ne nuk i jemi larguar shoqërisë së vjetër. Unë e gjykoj këtë shoqëri të sotme shqiptare, si shoqëri postkomuniste, e jo si një shoqëri demokratike. Shoqëria jonë nuk e ka përtyp, nuk e ka kuptuar se çfarë është demokracia.

– Mendoni se mungon tërësisht edukata dhe kultura demokratike, qoftë të partitë politike, qoftë edhe te vetë shoqëria jonë?

– Unë në radhë të parë e filloj nga shoqëria, e cila fatkeqësisht nuk e ka edukatën dhe kulturën demokratike. Partitë politike janë pasqyrë e vetë shoqërisë.

– Mosreagimin shoqëror për disfatën e proceseve të integrimit, duhet ta kuptojmë me mungesën e kulturës demokratike?

– Pikërisht, lidhet me nivelin e ulët të emancipimit demokratik që ka shoqëria jonë. Po të kishte ndonjë  popull me shkallë të lartë të emancipimit demokratik, do të kishim reagime të fuqishme, që do të tronditnin klasën politike.

– Përse nuk shqetësohet kush?

– Shqiptarët nuk e kanë kuptuar nga vjen përfitimi i tyre në integrimin europian. Siç nuk ndjejnë se janë ndonjë çikë më të lumtur, që sot janë në NATO, nga dje që nuk ishin. E vetmja gjë që i lidh shqiptarët me BE-në ishin vizat. Ato u hoqën dhe shqiptarëve kjo u mjafton, ndaj nuk kërkojnë të kenë institucione më të pavarura. Jemi në një shoqëri foshnjore, nga kultura demokratike.

Ky ngërç në KQZ, cilin objektiv ka dhe cilët janë suportët e tensionimit politik, edhe në këtë institucion të pavarur?

Unë e gjykoj që KQZ-ja është një strukturë politike. Sot e kontrollojnë ata që janë në pushtet sot, nesër do ta kontrollojnë ata që do jenë në pushtet. Ne jemi një shoqëri për të mbajtur e kontrolluar pushtetin dhe jo për të ndërtuar rregulla demokratike. Në vendet demokratike nuk ka fare KQZ, i bën Ministria e Brendshme dhe ia dorëzon palës kundërshtare. KQZ-ja te ne është bipartizane, ndaj deri në ditën e zgjedhjeve në KQZ-në partiake do të ketë vetëm ngërçe të tilla politike.

–  A nuk ka kontrast të thellë, derisa palët politike janë dhe  premtojnë zgjedhje të ndershme, e nga ana tjetër, tensionojnë klimën politike në KQZ, duke hedhur në erë besueshmërinë e procesit zgjedhor?

– Shpresoj  që zgjedhjet e 23 qershorit 2013 të jenë më të mira, se sa herët e tjera. Zgjedhje të pastra nuk pres, sepse ligji është bërë e tillë që është bërë për të prodhuar probleme. Është ndërtuar për të eliminuar partitë alternative, është ndërtuar për të qëndruar në këmbë vetëm dy parti. Ky ligj zgjedhor nuk është ndërtuar as për shqiptarët, as për Shqipërinë, as për demokracinë. Kur bota thotë që të bëni zgjedhje të lira e  të ndershme, kjo do të thotë që ne asnjëherë nuk kemi bërë zgjedhje të ndershme e të lira.

– Do të luajnë rol në shumatoren e fitores aleancat politike?

– Sigurisht, gjykoj që ka një farë roli. Jo ndonjë kushedi se çfarë, sepse me Kodin Zgjedhor që kanë bërë, partitë alternative, personazhet alternative, që mund të luanin rol përcaktues, janë hequr qafe në mënyrë të dhunshme me ligj.

Këto forca të reja politike, në saj të sondazheve, duket se kanë përqindje të konsiderueshme. A do të luajnë rol në balancimin e raporteve për shumatoren qeverisëse?

Kjo është për t’u vërtetuar, se sondazhet në Shqipëri nuk kanë qenë ndonjëherë. Shqiptarët gënjejnë. Shoqëria shqiptare nuk është e maturuar që ta pranojë të renë ndryshe. Do të shkojë gjithnjë pas të vjetrës, sepse e vjetra është potencialisht mundësi pushteti. Që do të thotë, që po qëndroi PD-ja në pushtet, do t’u hedhë ndonjë karamele të vogël këtyre që ka në sqetull, po të vijë PS-ja në pushtet, do t’u hedhë atyre që ka në oborr ndonjë çokollatë. Edhe populli shqiptar këtë percepton. Kush e ka pushtetin, kush mund ta marrë pushtetin. Shqiptarët nuk e gjurmojnë mbrapa të drejtën dhe të mirën.

LSI-ja a do të luajë rol të rëndësishëm, si në 2009-n, sepse zhurma bëhet se cila nga forcat e mëdha do të ketë LSI-në, ka edhe fitoren?

Unë besoj që LSI-ja nuk do të ketë peshën që kishte në 2009 dhe roli i saj do të jetë shumë i vogël. Unë nuk shoh program ideologjik të saj. Është një ndërmarrje shumë e madhe, me shumë marketing.

Në këtë fushatë zgjedhore, LZHK-ja me cilin kah politik do të jetë?

– Unë kam qenë gjithnjë i djathtë, shpresoj në një zgjidhje oportune me koalicionin e djathtë, për hir të këtij Kodi që është imoral, që i detyron të gjithë të gjejnë një çadër politike. E cila nuk më pëlqen, për të qenë i sinqertë.

Kryeministri Berisha tha pardje, që Shqipëria nga “bumi” ekonomik, vjen e katërta në botë për treguesit e lartë të zhvillimit ekonomik. Ne, apo Kryeministri jeton në botë tjetër?

Kryeministri thotë këto se askush nuk shan punën e vet. Duhet t’ja thonë të tjerët. Unë nuk gjykoj që është ky shkëlqim i madh. Shqipëria është vendi më i varfër në Europë.

Opozita nuk do të ndryshojë Shqipërinë

Sa të drejtë ka Kryeministri që tha, pardje, se ai nuk ka opozitë dhe e vetmja opozitë e tij është media?

– Për këtë ka të drejtë. Nuk ka opozitë të madhe. Kjo opozitë po të kishte qenë më e organizuar, po të kishte patur më dinjitet, largpamësi, edhe pak më shumë dëshirë për të ndryshuar gjërat, do t’i kishte fituar me kohë zgjedhjet. Kjo opozitë pret që t’ja japin pushtetin si dhuratë, nuk ka dëshirë të bëjë një Shqipëri më të mirë. Opozita ka dëshirë që këtë Shqipëri që është e çakërdisur, ta kontrollojë ajo. Po të kishte dëshirë opozita të bënte një Shqipëri tjetër, do të kërkonte një Kod tjetër Zgjedhor dhe do t’i kishte hapë rrugë për herë të parë demokracisë në Shqipëri. Kjo opozitë thotë. Të iki Berisha, që të vijë unë. Vetëm kaq kërkon.

-Faleminderit!