Nuk ka BE, pa reformim të Administratës Publike

469
Bashkimi Europian është i vendosur që të mos hapë dyert e saj për Shqipërinë, nëse nuk respektohen 5 kushtet bazë, për të cilat nuk kanë kompromise. Po cilat janë ato që kanë të bëjnë me burimet njerëzore dhe sa të rëndësishme janë për këtë integrim. Reforma në Administratën Publike është një prioritet, pasi nuk mundet që reformat e tjera të gjejnë zgjidhje nëse mungojnë burimet njerëzore dhe sidomos ato që kanë nivelin profesional, arsimor, shkencor, ndershmërinë, përkushtimin dhe cilësi të tjera, të cilat na ulin në tavolinën e madhe të BE. Ndaj reforma në Administratën Publike dhe të drejtat e njeriut si; liria e shprehjes, e fjalës, e zgjedhjes, e punësimit, konkurrimi i ndershëm dhe verifikimi i falsifikatorëve, pronat etj., etj. janë kushte ku Europa nuk do të tolerojë dhe këtë më shumë se kushdo e kanë të qartë politikanët dhe sidomos pushtetarët qendrorë dhe lokalë, të cilët qëllimisht bëjnë të kundërtën që ne të mbetemi jashtë dyerve të Europës.
Dhe faktet janë tronditëse. Gazeta “Telegraf” ka ditë që ka ngritur alarmin se Administrata Publike është në parametrat më mjerane dhe se kjo administratë është mbushur me trafikantë, si ai i denoncuar nga Greqia pardje, por edhe me qindra raste të tjera të bëra publike nga ndërkombëtarët, opozita, media dhe qytetarët e ndershëm. Nuk mundet të pranohet që të diplomuar nga kioskat e tipit “Kristal” dhe “Vitrina” e shumë të tjera të uzurpojnë administratën, ku një pjesë e mirë e tyre nuk dinë shkrim e këndim. Është skandaloze që të mos kesh arsimin e mesëm dhe të jesh punësuar, fjala bie në ndërmarrjet e bashkisë dhe minibashkive. Sigurisht që këta nuk ranë nga qielli, por dikush i solli në zyrat që mbahen me taksat e shqiptarëve. Dje një qytetare ka denoncuar në “Telegraf” faktin se Administrata Publike po rekruton nëpunës, të cilët nuk kanë kaluar testin me shkrim dhe se ka drejtues që janë kualifikuar si drejtorë drejtorish dhe komandohen si drejtorë të përgjithshëm, me urdhër të ministrit të linjës apo pushtetarëve lokalë të bashkisë dhe administratorëve të tyre. Dhe tashmë këta ministra janë kanë marrë dorën se po punësojnë fëmijët, gratë apo të afërmit e gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë që nesër do t’i kontrollojnë për aktivitetin e tyre. Pra duan të jenë të mbrojtur, pavarësisht se ai që e pëson është qytetari shqiptar dhe taksapaguesi që ka 25 vjet i zvarritur dhe i zhgënjyer, sidomos në këto vitet e fundit. Po kush janë në toplistën e këtyre emërimeve, të cilat bien në kundërshtim me kërkesat e ligjeve shqiptare dhe orientimin e institucioneve evropiane. Është Ministria e Brendshme që ka funksionarë dhe drejtues që rrinw me kriminelë dhe dekonspirojnë aksionet e tyre. A nuk janë me dhjetëra raste, si ai i ditëve të fundit, ku persona në kërkim qëndrojnë me drejtues policie? 
Është Ministria e Mbrojtjes, e Punës, e Shëndetësisë, Qeveria, entet e pavarura, bashkitë e rretheve, ajo e kryeqytetit etj, të cilat janë mbushur me nëpunës preferencial dhe si kriter nuk kanë nivelin arsimor, por kanë shoqërinë dhe militantizmin. Administrata e saj është e tejngopur nga fise dhe farefise të personazheve të politikës dhe komisionerëve të zgjedhjeve. A nuk ishte rasti më skandaloz, ai i ujësjellësit të Tiranës që u vendos të shkurtohen punonjës dhe ata u shkurtuan dhe mirë u bë, pasi në si shqiptarë nuk e kemi takatin të mbajmë administratë të fryrë. Por që të hiqen nga dera dhe të futen nga dritarja, kjo është më shumë se skandaloze. Kush i ka punësuar dhe me cilat urdhra janë rekrutuar këta punonjës? Sigurisht janë ata drejtues që edhe bashkëshortët, prindërit, të afërmit i kanë po në pozita të fuqishme. Dhe këtu kemi të bëjmë me nëpunës të koalicionit të “Rilindjes” dhe të aleatëve që morën votat nga e djathta dhe janë strukur në qymezin e “Rilindjes”. Bëhet fjalë për partinë e çamëve, Topit, LSI dhe në krye të batalionit janë militantët e “Rilindjes”. Ne, këto ditë do të bëjmë publike emrat e punonjësve të emëruar kohët e fundit në administratën qendrore dhe atë lokale, në ministri dhe në bashki, në institucionet e pavarura dhe ato të drejtësisë. Qeveria Shqiptare, Pushteti Qendror, Bashkitë dhe Pushteti Lokal në Tiranë dhe kudo në 61 njësitë administrative duhet urgjentisht të largojnë të gjithë “plepistët e tipit Kristal” vetë ministrja e linjës, në Administratën Publike ka deklaruar nëpërmjet një udhëzimi se do të testohen nëpërmjet një kursi të gjithë ata që kanë mbaruar arsimin privat dhe sidomos kioskat që u mbyllën nga Kryeministri Rama sapo erdhi në krye të qeverisë. Ndaj, nëse duam të shkojmë në Europën e bashkuar duhet të shkojmë me integritet, dinjitet dhe nivel arsimor e profesional dhe jo me diploma të universiteteve, që na diskredituan shkollën. Dhe këtë më mirë se kushdo e ka për detyrë ta zbatojnë përfaqësuesit e burimeve njerëzore në pushtetin lokal, që nga bashkia e kryeqytetit deri tek institucioni më i lartë qendror, me në krye gardianen e Administratës Publike dhe konkurseve zonjën Milena Harito. 
Sigal