Nuk ka BE pa dënuar krimin dhe korrupsionin!

418
Sigal

Lufta kundër krimit, korrupsionit dhe trafiqeve, reforma administrative, pavarësia e gjyqësorit dhe të drejtat e njeriut janë pesë piketat kryesore të vendosura  nga KE-ja. Madje, këto kushte u trajtuan nga një pjesë e politikës si inate të  vendeve të caktuara të BE-së  dhe që vinin për shkak të mosmarrëveshjeve  të brendshme të tyre. Por e vërteta jo vetëm që nuk është e tillë, por përkundrazi, detyrat e lëna prej tyre janë mëse të domosdoshme dhe të nevojshme nëse kërkojmë  të bashkohemi me  vendet  europiane. Kultura,tradita dhe ndershmëria e politikanëve, pushtetarëve  dhe deputetëve që bëjnë ligje në Kuvend , është dhe duhet të jetë në nivelin më të lartë të ndershmërisë së kombit tonë. Ndërkohë që, shërbimet e specializuara të vendeve demokratike perëndimore kërkojnë me ngulëm që të fillojnë  reforma në administratë  dhe të gjykohen të gjithë personat e inkriminuar, një pjesë e mirë e politikanëve bëjnë rolin e të paditurit dhe  fillojnë luftën me mullinjtë e erës. Duke mos pritur më tej dhe për të dhënë shembullin e parë, Belgjika vetëm para pak ditësh dërgoi një kërkesë ekstradimi  për shtetin shqiptar, ndoshta -ndoshta edhe si provë e gatishmërisë sonë në luftën e përbashkët kundër trafikut dhe korrupsionit. Kërkesa nuk ishte e zakonshme, por ishte  për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë anëtarë të koalicionit të majtë fitues të pushtetit aktualë. Sipas agjencive belge thuhet se: “Deputeti shqiptar Mark Frroku i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh. Ai duhet të rigjykohet në muajin shkurt para Gjykatës Penale të Nivelles, mbi dënimin me 10 vjet burg, marrë në vitin 2010, nga Gjykata Penale e Brukselit, në mungesë pasi kishte arritur të fitonte lirinë para se çështja ndaj tij të shkonte në gjykatë”, përfundon sqarimin drejtësia belge. Ky fakt është vetëm maja e ajsbergut të disa dhjetëra politikanëve, pushtetarëve dhe deputetëve që nën petkun e imunitetit janë trafikuesit më të mëdhenjtë të qenieve njerëzore ndër vite. Një pjesë tjetër e kësaj shpure politikanësh, injorantë dhe mediokër kanë blerë me para, por edhe me kërcënime imunitetet për t’i shpëtuar historive të tyre të trafikimeve të lëndëve narkotike, klandestinëve me skafe apo viza fallco. Sot, në Shqipëri, përfaqësuesit e vendeve perëndimore skandalizohen, kur pushtetarë të caktuar emërojnë në pikat strategjike njerëz për  interesat e tyre, kërcënojnë ministra, tentojnë të blejnë media dhe individë të caktuar të tyre si dhe godasin ministra dhe deputetë të Kuvendit. Çfarë duhet më tepër  që ne të kërkojmë ndjesë dhe të fillojmë një operacion mbarë kombëtarë të tipit “Duart e Pastra”, por jo si ajo e Berishës, por si origjinali, ai i Antimafies Italiane. “Nuk ka Europë dhe se Europa nuk mund të gënjehet kollaj”, -tha një ambasador i nivelit shumë të lartë në Tiranë, para pak ditësh gjatë një kafeje, kur po diskutonim situatën e rendit dhe sigurisë në vend. Nuk e imagjinoj dot,- tha ai- që një deputet kërcënon ministrin, drejtorin e një institucioni  aq më keq, kur ky është i pavarur dhe i zgjedhur me bord. Shpresoj që, Kryeministri t’u tregojë vendin këtyre njerëzve që s’kanë lidhje me ligjin dhe drejtësinë. Në të kundërt, do të mendojmë se shteti është i kapur tërësisht nga bandat dhe banditët me kollare dhe kostum që do të mbjellin vetëm  zi.