Nuk ka (asnjë) pranime të reja në PS, edhe pse skadoi afati

425
Edhe pse ishte vapë, në 18 korrik 2015 PS vendosi pas 4 vjetësh të mbledhë Asamblenë Kombëtare, për të vendosur, se çfarë do bëhet me partinë, e cila ishte dërmuar në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, ku PS humbi 15 % elektorat, në krahasim me zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ose 311.321 vota më pak. Elektorati socialist i zhgënjyer nga keqqeverisja e Rilindjes, pasi në këtë ndërkohë, qeveria “Rama” nuk mbajti premtimet elektorale, e sidomos në përmirësimin e jetesës dhe hapjen e vendeve të punës, por as në vlerësimin e kontributeve të socialistëve, që në 8 vjeçarin e qeverisjes së Djathtë, ishin persekutuar, përjashtuar nga administrate publike. Deputeti Blushi, pak ditë para zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, u ishte drejtuar socialistëve, se PS ka vdekur si parti, derisa ka mbi 4 vjet që nuk zbatohet statuti, nuk mblidhen forumet e PS, nuk ka debat të brendshëm, por vetëm Kryetari mandatskadues vendos gjithçka, pa përfillë mendimin kolegjial. 

Vendimet e Asamblesë Kombëtare, u thanë në letër
Mbase qenë ditë banje, ditët e punimeve të Asamblesë Kombëtare, ku të pranishmit, u ziente koka nga vapa, dhe jo nga hallet e partisë, ndaj çdo vendim që u morr në Asamblenë Kombëtare të PS, mbeti në letër. PS dëshiron të rrisë numrin e anëtarësisë nga 100 mijë në 150 mijë dhe sipas skadencave të vendosura në Asamblenë e fundit Kombëtare, data 10 shtator do të përmbyllë fazën e parë të këtij aksioni. Nga 10 shtatori deri më 10 nëntor do të zhvillohen mbledhjet zgjedhore të organizatave socialiste dhe do të bëhet një analizë e punës së tyre në zgjedhjet e 21 qershorit të kaluar. Deri tani, nuk është bërë asnjë pranim në PS, nuk ka filluar fare procesi i pranimeve, dhe ende nuk ka filluar as analiza në organizatat dhe forumet e piramidës të PS. Ndoshta pranimet e reja nuk bëhen, pasi njerëzit po zhgënjehen nga qeverisja e Rilindjes, shtohen të papunët, reformat kanë mbetur, varfëria i detyron shqiptarët të kërkojnë azil nëpër Europë. 

Koordinatorët e PS nëpër qarqe, më shumë shefa të kuadrit
Kryetari i PS, më shumë procesin e zgjedhjeve të reja në PS ua ka besuar disa njerëzve, sesa e ka bërë çështje të forumeve të partisë. Kjo shpjegohet, se kryetari i PD, do të ketë nën kontroll gjithë procesin e zgjedhjeve, domethënë, të zgjedhurit, vërtet të dalin nga procedurat e votimit, port ë zgjedhurit, duhet të jenë të dëshiruarit dhe njerëzit e besuar të kryetarit të PS. Kështu, grupi për organizimin dhe koordinimin e fushatës i është besuar Gramoz Ruçit, dhe në përbërje të tij janë koordinatorët e gjashtë rajoneve, sipas të cilave PS ka bërë organizimin e saj elektoral dhe janë Taulant Balla, Blendi Klosi, Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Ditmir Bushati dhe Koço Kokëdhima janë gjashtë koordinatorët e PS-së në të gjitha qarqet e vendit, të cilët kanë në dorë edhe emërimet në çdo hallkë të administratës qendrore dhe vendore, për të joshur njerëzit me influencë në qarqe dhe ata do të drejtojnë edhe forumet e partisë. Pjesë e këtij grupi janë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, ministri i Pushtetit Vendor Bledi Çuçi dhe deputeti i qarkut të Dibrës, Ulsi Manja. Ndryshimet në statutin e PS, do të hartohen nga grupi i punës që drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Pyetja është: Sa do t’i besojnë ende socialistët dhe elektorati i Majtë qeverisjes së PS? Procesi i deritanishëm në zgjedhjet e PS, tregon, që njerëzit nuk kanë më interes të anëtarësohen dhe kjo është kambana e alarmit për PS dhe qeverisjen e Rilindjes, që të ndryshojë dhe të ngjallë besim te elektorati, me mirëqeverisje, dhe jo me zgjedhje të komanduara në PS nga koordinatorë, që më shumë sillen si shefa kuadri, duke emëruar vetëm njerëzit e tyre të besuar.
Sigal