Nuk e shes Dukën për postin e Nënkryetarit të Bashkisë të Korçës, që më ofroi Peleshi

1093
Nga Jakup B. GJOÇA
Arjan Jaupllari, kandidat për deputet me PAA
Po më bashkojnë me një personalitet që quhet Agron Duka, burrë me shpirt dhe zemër të madhe. I suksesshëm në të gjitha veprimtaritë profesionale dhe politike. Besëlidhës dhe fjalë-mbajtës! Pse, po më ftojnë? Vlerësova shumë ftesën, sepse po më ftonin për një kauzë: Bashkohu me ne, është koha për zgjidhje
Arjan Jaupllari, do të kandidojë për deputet me Partinë Agrare Ambjentaliste në Qarkun e Korçës dhe në intervistën për gazetën “Telegraf” rrëfehet përse ndjen neveri për këtë klasë politike, që deri tani pengon integrimin e Shqipërisë. Zoti Jaupllari, zbardh njëfarësoj edhe pazaret për “blerjen” e personaliteteve, me poste qeveritare, në prapaskenë nga Rilindja Socialiste, kur pohon se zv/kryeministri Niko Peleshi e joshi me postin e zv/kryetarit të Bashkisë së Korçës, me kusht që të braktiste Agron Dukën në zgjedhjet parlamentare. 
Zoti Jaupllari, ju si intelektual, çfarë ndjesie keni për këtë klasë politike, që 26 vjet, ende nuk ka mundur ta integrojë Shqipërinë në Familjen Evropiane?
– Neveri. E para, sepse jenë shqiptarë dhe kanë detyrim ndaj atdheut të tyre. Së dyti, kanë premtuar dhe asnjëherë nuk e kanë mbajtur fjalën. Së treti, janë tallur me këtë popull, sikur të mos ishin pjesë e tij. Së katërti, janë nënshtruar të huajve, për të përfituar politikisht momentalisht. Së pesti, qëllimi ka qenë përfitimi ekonomik personal dhe jo mirëqenia e popullit. Së gjashti, është klasa politike që mësoi shumë shpejt shkollën e korrupsionit dhe shumica u bënë edhe profesorë të kësaj fushe. Së shtati, kanë blerë mediat, e me propagandën që bëjnë duket sikur nuk e ka fajin politika. Së teti, ka spekuluar me punën dhe djersën e njerëzve të ditur, të përkushtuar dhe të ndershëm, por nuk i kanë ofruar për të ndryshuar politikën ë tyre neveritëse. Së nënti, kanë luajtur shumë keq me politikën rajonale, gjoja për stabilitet në Ballkan, por e kanë trazuar më keq. Së dhjeti, niveli intelektual i kësaj klase politike ka njohur vetëm rënie. Mediokriteti intelektual, korrupsioni dhe kriminalizimi më bëjnë ta urrej këtë klasë politike, sepse për 27 vjet shkelën mbi parimet dhe virtytet më të mira të këtij populli.
Si e shpjegoni, që shqiptarët ende votojnë përherë të njëjtët politikanë?
– Së pari, gabimi kryesor i shqiptarkë është, sepse të gjithë merren me politikë në çdo kohë dhe vend e pa vend. Së dyti, duke u marrë kaq gjatë, të duket vetja se kjo është politika, shumë e thjeshtë. Së treti, të bëhen mosbesues ndaj një politikani që është realist dhe nuk i gënjen. Së, katërti, politikanët mediokër ju thonë se, shumë gjëra ju i dini më mirë se ne, duke ju ofruar çfarë ju hahet. Së pesti, duke qenë deputet, tashmë janë më larg halleve dhe problemeve të popullit, sepse janë përzgjedhur në listë nga kryetari, duke u larguar nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë, gjejnë justifikimin për t’u bërë i besueshëm. Së gjashti, korrupsioni është shtrirë aq shumë, sa është kthyer në bindje se, po nuk je i korruptuar, nuk fiton dot. 
Kjo është aq e vërtetë, sa një ditë një miku im më tha: “Merr në partinë tënde dhe ndonjë të korruptuar, se, me këtë ndershmëri që ke ti, nuk fiton dot”. Së fundi, justifikimi i radhës, kur vinë zgjedhjet, është i turpshëm. Ne jemi deputetë të listës dhe kaq e kemi mundësinë, votën ia ke dhënë partisë, jo mua. Humbja e demokracisë së drejtpërdrejtë gjen justifikim, që çdo katër vjet të ndërrohen listat, duke sjellë gënjeshtarin e radhës, që nuk do shkojë më për katër vjet. Kurse ne votojmë mashtruesin e radhës.
Përse ne ende nuk e kemi krijuar akoma edukatën dhe shkallën e emancipimit demokratik, që me votë, duhet të “dënojmë” politikanët që na zhgënjejnë?
– Në Shqipëri ka vdekur opozitarizmi në çdo qelizë të shoqërisë. Në këtë vend, kush hap gojën persekutohet, ose dërgohet në gjyq, kush lëpihet si kërmilli arrin majën dhe nuk shikon më poshtë. Personalisht, duke mbetur një opozitar konstruktiv edhe ndërkombëtarëve, ju kam propozuar një ligj organik për opozitarizmin në çdo qelizë të shoqërisë. Në një vend, ku nuk funksionon më asnjë organizatë, sindikatë apo çfarëdo qoftë që bën opozitën është e domosdoshme të sanksionohet ligjërisht opozitarizmi, sepse, duke qenë detyrim ligjor, sjell emancipimin demokratik dhe vret frikën për të reaguar.
Përse ju doni të bëheni politikan, duke pranuar të jeni kandidat për deputet?
– Mendoja se midis profesionit dhe politikë ishte një distancë e madhe, por nuk është kështu. Në momentin që politikat e fushës ku kontribuon nuk merren parasysh nga vendi ku merren vendimet politike, ke një arsye më shumë për të shkuar aty dhe të realizosh atë që shtresa shoqërore, apo profesionale, por dhe dëshira e mirë individuale, të shtyjnë drejt saj. Interesat e shoqërisë në tërësi janë mbi gjithçka.
Pse zgjodhët Partinë Agrare Ambjentaliste?
– PAA më gjeti mua dhe unë zgjodha PAA. Kur dy miqtë e mi të ngushtë më thirrën për t’ju bashkuar kauzës së re të Partisë Agrare Ambjentaliste, më erdhën në mendje shumë pyetje, disa nga të cilat duhet t’ia ktheja përgjigjen po vetë. Kush po më fton? Këta janë dy miqtë e mi më të mirë, të cilët gjithmonë më kanë dashur, sepse besojnë të virtytet e mia dhe i promovojnë ato. Për ku po më ftojnë? Po më bashkojnë me një personalitet që quhet Agron Duka, burrë me shpirt dhe zemër të madhe. I suksesshëm në të gjitha veprimtaritë profesionale dhe politike. Besëlidhës dhe fjalë-mbajtës! Vlerësova shumë ftesën, sepse po më ftonin për një kauzë: Bashkohu me ne, është koha për zgjidhje. Kur disa personalitete të majtë, të djathtë apo të qendrës ishin bashkuar me Agron Dukën, që ishte vendosur në krye të PAA, dhe besonin te e vërteta, gjë të cilën mezi e kisha pritur, si dimension të ri në politikën shqiptare. 
Zoti Jaupllari. Kohët e fundit keni pasur shumë oferta nga parti të ndryshme madje përflitet se keni bërë edhe një takim me zv/kryeministrin Peleshi, I cili ju ofroi postin e nënkryetarit të Bashkisë së Korçës në këmbim të largimit nga PAA e Dukës?
– Po. Madje, tani afër, zoti Peleshi më propozoi të emërohesha zv/kryetar i Bashkisë së Korçës, për të braktisur zotin Duka në zgjedhjet e reja parlamentare. Unë nuk e shes Dukën për postin e Nënkryetarit të Bashkisë të Korçës, që më ofroi zoti Peleshi. Është pjesë e karakterit timë që për interesa personale nuk bëjë pazare me askënd dhe kjo është edhe një lloj premtimi që u bëjë elektoratit, miqve dhe dashamirësve të shumtë që më kanë besuar dhe nxitur në kandidimin tim. 
Cili është programi elektoral i PAA?
– Programi i partisë sonë mbështetet në disa shtylla kryesore si: siguria ushqimore, bujqësia, blegtoria dhe mbrojtja e ambientit. Ky program është miratuar nga Konventa e PAA. Po t’i shtojmë edhe çështjen e pestë të sigurisë, cilësisë dhe efektshmërisë së barnave, plotësohet ylli me pesë cepa i sigurisë së jetës. Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam luftuar dhe luftoj për të garantuar, sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e banave, kurse tani do luftoj për të garantuar edhe sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e ambientit. Të luftosh për këto tre çështje, ke mbrojtur jetën e njeriut, sepse tre shkaktarët kryesorë të sëmundjeve sot janë: Ushqimet, ambienti dhe barnat. 
Cila është risia juaj, që kërkoni nga Vetvetja, ta mbartni kontributin tuaj në politikë?
– Vetvetja. Të jesh dhe të mbetesh vetvetja në politikë nuk është e lehtë. Unë besoj se duke qenë i tillë gjithë jetën, duke u bashkuar me Agron Duken dhe miq e shokë të mirë kemi gjetur njeri tjetrin, duke u bashkuar për të shkuar në parlament për t’i dhënë një dimension të ri politikës shqiptare. Besoj se politikanë të tjerë që do kalojnë shoshën, që ka filluar të shoshë, do bashkohen për të dhënë kontributin e munguar që pret votuesi shqiptar.
Cilat janë problemet më imediate, më parësore në zonën tuaj elektorale dhe cilët faktorë i kanë shkaktuar ato?
– Do veçoja dy nga më kryesoret. Së pari, Korça është rajoni me shtrirjen më të gjerë gjeografike, por ky nuk është matësi që përcakton numrin e deputetëve, atë e përcakton numri total i banorëve, prandaj ja hoqën një deputet këtij qarku. Kjo zgjidhje e gabuar e largon më shumë deputetin nga populli. Problemet më imediate, që sa vinë dhe kanë gjasa të shtohen, lidhen me sigurinë ushqimore të produkteve të importuara, bujqësinë në lidhje me subvencionimin e farërave, plehrave dhe garantimin e shitjes së prodhimeve. Blegtorinë, që lidhet me parandalimin e sëmundjeve nëpërmjet vaksinimit, subvencionimin e për shtimin e numrit të krerëve dhe grumbullimin e produkteve blegtorale. Ambientin, megjithëse konsiderohet nga qytetet e pastra përsëri mbetet shume punë për të bërë. Së dyti, politika e fasadave të rilindjes urbane me pedonale në qendër të qyteteve dhe masakër urbane në periferi e zonat e thella malore. Shkaktarët janë politika e fasadës, korrupsioni dhe drejtuesit servilë.
Ju, si mund ta bindni elektoratin, si kandidat për deputet me PAA në zonën elektorale të Qarkut të Korçës, që do të përfaqësoni zërin dhe interesin e tij në Parlament?
– Dua të shoh vetëm përpara. Së pari, dua të shihem me njerëzit sy më sy. Dua t’i takoj për t’ju thënë që të votojnë për veten e tyre, sepse pas tyre do jem unë që, para se të vendosja t’i përfaqësoja e mora pëlqimin e tyre. Së dyti, jam njëri prej tyre, së treti, kam jetuar dhe jetoj me hallet dhe problemet e tyre, Së katërti, besoj se më shumë se kush tjetër deri sot, kam qenë dhe do jem pranë tyre. Së pesti, unë i dua njerëzit, nuk njoh kufij interesi, besën dhe fjalën e mbajtur i kam të shenjta, besoj te mirënjohja, pasi mirësinë për të gjithë e kam dhënë pa kufi.
Faleminderit!
Sigal