Nuk deklaruan shpenzimet gjatë fushatës, KQZ gjobit partitë politike, reagon Balla

458
Disa subjekte politike, mes të cilave edhe tre partitë kryesore në vend, janë gjobitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mbledhjen e kësaj të marte, KQZ ka gjobitur me nga 1 milion lekë partitë PS, PD, LSI, PSD dhe Aleanca Demokristiane për mosdeklarim dhe moskorrektësi të shpenzimeve financiare në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Po ashtu janë gjobitur me nga 2 milionë lekë PDIU dhe partia SFIDA për Shqipërinë. “KQZ vendosi sanksionin administrativ ne masën 2 milionë lekë subjektin Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe subjektin SFIDA. KQZ vendosi sanksionin administrativ në masën 1 milion lekë për subjektet zgjedhore Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Social Demokrate dhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë” thuhet në njoftimin e KQZ. Ndërkohë pas këtij vendimi ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai ka hedhur akuza në drejtim të liderit të opozitës Lulzim Basha për prishjen e provave me duart e Klement Zgurit për rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Ndërsa akuza e dytë lidhet me shpenzimin e 1 milion dollarëve për lobim në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, Balla kërkon hetim për këtë aferë, e cila ka dëmtuar xhepat e shqiptarëve. “Pas shkeljes së ligjit nga ana e Klement Zgurit në rastin e kryebashkiakut Agron Kapllanaj, sot në KQZ po konsumohet një vepër e rëndë penale përsëri me autor kryesor Klement Zgurin, përsëri nën urdhrat e Lulzim Bashës. I vendosur nën hetim në Shqipëri dhe jashtë saj për transferimin e paligjshëm të 1 milion dollarëve përmes disa llogarive të dyshimta në një shtet të vogël të Amerikës Qendrore, sot Lulzim Basha po mundohet të prishë provat e veprës penale, por dhe të shkeljes administrative të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. “Dora” e shpërdoruar e Lulzim Bashës në KQZ Klement Zguri po mundohet t’i japë mundësi Partisë Demokratike të ndryshojë Raportin e verifikimit të financimit të fushatës zgjedhore, të partive politike, të cilat morën pjesë në Zgjedhjet e 25 Qershorit.”, shkruan Balla në rrjetin social.
Sigal